Gazmend Muhaxheri

Sfiduesi me Mercedes

Ai do të provojë për herë të tretë për të mposhtur kryetarin aktual të Pejës, Ali Berishën. 

I nominuar nga LDK-ja, Gazmend Muhaxheri, do të bëjë edhe një përpjekje për të marrë fronin e të parit në qytetin veriperëndimor të Kosovës. 

Muhaxheri, është nip i Ymer Muhaxherit, i cili ka udhëhequr LDK-në në vitet ’90-të në qytetin e Pejës, deri në “kuvendin e karrigeve” të kësaj partie më 2005. 

Megjithatë, Gazmend Muhaxheri kishte humbur dy herë, kur kishte synuar ngjitjen në krye të pushtetit lokal. Konkurronte nën flamurin e ish-Partisë Reformiste ORA. 

Por, tash beson se do të fitojë, pasi mbron ngjyrat e një subjekti më të madh politik, të dytit në Kosovë. 

“Tash Berishën do ta sfidoj me mercedes (LDK), e jo më me fiqë (ORA), si në zgjedhjet e kaluara”, kishte deklaruar Muhaxheri para fillimit të fushatës.

Por, kjo nuk i shkakton drojë pushtetmbajtësit aktual të Pejës. Kryetari Ali Berisha beson se do t’i shkaktojë humbjen e tretë sfiduesit të tij Gazmend Muhaxherit. 

Por, kryetari Berisha thotë se e respekton kundërkandidatin e tij, për shkak të profesionalizimit të treguar gjatë bashkëpunimit mes tyre. 

“Muhaxherin e vlerësoj si një kandidat të mirë dhe një profesionist të mirë të këtij qyteti, pasi atë e kam pas edhe bashkëpunëtor të mirë në kohën kur ka qenë në koalicion me neve, me subjektin ORA”, kishte deklaruar me herët Berisha.

Gazemnd Muhaxheri, inxhinieri i ndërtimtarisë i lindur më 1964, mbajti pozita të larta publike përgjatë viteve. 

Ishte anëtar i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës dhe deputet i Partisë Reformiste ORA prej vitit 2004 deri më 2007. 

Pastaj nga muaji shkurt i vitit 2010 deri në maj të 2011-ës, Muhaxheri kishte udhëhequr drejtorinë e Urbanizmit, deri sa kishte kaluar në strukturat e LDK-së.

Gazmend Muhaxheri, është i martuar dhe ka 2 fëmijë, një djalë dhe një vajzë, dhe jeton në Pejë, në një shtëpi moderne në qendër të qytetit, në afërsi të Shkollës Fillore “Tetë Marsi”.

Nuran Muhaxheri, bashkëshorte e kandidatit të LDK-së për kryetar të Pejës, ka thënë që bashkëshorti i saj është person i cili e do punën shumë, ndërkaq sipas saj ai është tip që shumë lehtë bëhet nervoz.

“Dobësitë e tij janë që çdo gjë e merr afër zemrës dhe seriozisht. Ndërkaq përparësitë e tij janë që Gazmendi punon çdo gjë pa interes”, ka thënë ajo, derisa ka treguar që “shef” në familje të jetë ajo.

Edhe Muhaxheri, sikurse rivali i tij Berisha, për festën e Tetë Marsit bashkëshortës së tij i ka blerë lule.

Ndërkohë, plani zhvillimor komunal në të cilin bazohet plani qeverisës i Muhaxherit për katër vjetët e ardhshëm, është i bazuar në tri shtylla. Në turizëm, bujqësi dhe në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme. 

Bujqësia është tjetri dikaster që Muhaxheri i LDK-së ka thënë që ta ketë parasysh për ndihmesë, si në blegtori, pemëtari,  perimekulturë dhe shtalla.

Ndërsa, si komponentë më të rëndësishme, Muhaxheri thotë që ta ketë ngritjen e cilësisë në arsim, pasi që sipas tij pa arsim cilësor nuk mund të ketë zhvillim ekonomik.

Muhaxheri, ish-drejtor i Urbanizmit në Pejë, kritikoi kryetarin Berisha për çështjet që ndërlidhen me sektorin që e ka udhëhequr më herët, gjatë debatit Zgjedhjet Lokale 2013 që u mbajt më 26 tetor të këtij viti. 

“Janë bërë disa punë të pakontrolluara nga pushteti aktual, sidomos në lagjen Dardania në shtratin e përroit në atë lagje. Këta me tendera kanë ba dëme të mëdha për dy mandate, ky pushtet që është tash”, ka hedhur akuza Muhaxheri në drejtim të Berishës. 

Ndërkaq ky i fundit ka akuzuar Muhaxherin se disa nga projektet që Muhaxheri përmend, kanë filluar në kohën sa ai ishte drejtor i Urbanizmit, siç është rasti i përroit të Çokolicës.

“Sa i përket projektit të Çokolicës, bartës, hartues, dhe menaxhues i projektit, bashkë me UN-Habitat-in ka qenë pikërishtë Gazmend Muhaxheri”, ka thënë Berisha.

Sipas kryetarit Berisha, qyteti i Pejës ka probleme me vërshime, për shkak të problemit gjeografik që ka.

Por, ish-drejtuesi i Urbanizmit të Pejës pranoi se motra e tij ishte punësuar në administratën komunale gjatë  kohës sa ai ishte i pushtetshëm.

Me të pyetur në debatin e së premtes se pse një gjë të tillë ta ketë bërë Muhaxheri, ky i fundit nuk ka pranuar që kontrata të jetë nënshkruar nga ana e tij, duke thënë që nënshkrimin ta ketë bërë Berisha, edhe pse në kontratëtn e sipërpërmendur, të datës 6 tetor të vitit 2009 dukej qartë nënshkrimi i Muhaxherit.

Mirëpo, ish drejtori i Urbanizmit të Komunës së Pejës është përgjigjur që motra e tij Hana Muhaxheri të ketë dy fakultete të përfunduara të nivelit master, dhe se sipas tij ishte kandidatja më potenciale.