Gazmend Ejupi. Foto: KALLXO.com

Gazmend Ejupi për instalacionin ‘Misioni: Ekzekutoni’: Përmes shisheve prezantohet ajo çfarë ndodhi në Fortesë në vitin 1999

Që nga 13 korriku 2021 në qendër të fshatit Fortesë (Bellacërkë) të Rahovecit është vendosur instalacioni “Misioni: Ekzekutoni”.

I ideuar dhe realizuar nga artisti Gazmend Ejpui, ky instalacion përkujton viktimat e masakrës së 25 marsit të viti 1999.

Memoriali “Misioni: Ekzekutoni” është një instalacion me tri kuti hekuri në formë trekëndëshi të mbuluara me xham, të cilat mbajnë brenda shishe xhami, që ndriçohen gjatë natës.

Artisti Gazmend Ejupi është diplomuar për arte në Londër. Krijimtaria e tij bazohet në hulumtim e storie. Praktikat kryesore i ka videot, instilacionin pikturën e kuratimin

Aktualisht Ejupi është udhëheqës  në programin Arti dhe mediat digjitale në UBT dhe drejtor i galerisë, “Paper Galery” në Prishtinë.

Në këtë intervistë për KALLXO.com, Ejupi flet për idenë për realizmin e instalacionit, “Misioni: Ekzekutoni”.

Rëndësinë që ka arti modern në përkujtimin e ngjarjeve sikurse në Fortesë, por edhe në sfera tjera.

KALLXO.com: Si ju erdhi ideja për realizimin e instalacionit “Misioni: Ekzekutoni” në Fortesë të Rahovecit?

Gazmend Ejupi: Gjatë qëndrimit në Londër, në fillim, bashkë me bashkëshorten Afërditën kemi përkthyer për BBC-në. Kemi përkthyer materiale të ndryshme për ngjarjet gjatë luftës 1998/99  në Kosovë dhe një prej storieve që kemi përkthyer ka qenë edhe storia e Fortesës, (Bellacerkës) ku përmendet masakra, dëshmitarët që flasin dhe një prej momenteve ku përmendet shishet, ka qenë shokues për mua. Më 25 (me 25 mars 1999) ka ndodhë masakra, më 26 janë nxjerrë trupat nga lumi prej fshatarëve, aty ka qenë dhe kryetari aktual i Komunës së Rahovecit, edhe që të mos humbet identiteti i viktimave, çdo njëri prej trupave është varrosur me një shishe plastike apo xhami. Brenda shisheve janë shkruar emrat dhe mbiemrat e viktimave.

Prej atij momenti më ka mbetur në kokë se duhet të bëjë diçka për këtë.

Mirëpo, nganjëherë momenti të kallëzon për kohën e jo ti momentit.

Kujtimi përmes arit modern

KALLXO.com: Pse zgjodhët këtë mënyrë artistike të pasqyrimit të atyre ngjarjeve që ndodhë në Fortesë gjatë luftës?

Gazmend Ejupi: Besoj që është momenti i duhur që në Kosovë të trajtohen të gjitha këto raste që kanë ndodh dhe t’ ju jepet mundësia artistëve të rinj, gjeneratave të reja, që me u shprehë sa më modern, sa më kreativ. Vlera nuk i humb nëse s’ është skulptura si monumente, nuk i humbet, vlera shtohet dhe me rëndësi është qasja moderne, duhet kuptuar një gjë që plaga ende nuk është shëruar dhe kurrë nuk do të shërohet.

Raste janë gjithmonë shumë të rënda, siç e dimë, trajtimi qysh ne si artisti, komunitet artistik, duhet me i trajtu, duhet me theksua anën moderne, duhet me pru në shesh anë moderne, është e domosdoshme.

Gazmend Ejupi. Foto: KALLXO.com

KALLXO.com: Çfarë përfaqësojnë shishet e xhamit që janë vendosur në tre kutitë trekëndëshe prej hekuri?

Gazmend Ejupi: Shishet prezantojnë saktë rastin si ka ndodhur. Edhe pse kanë qenë disa të plastikes, ne i kemi ikur klishesë që mos e qenë direkt interpretimi, por me qenë sa më moderne. Në trekëndëshat, brenda janë pasqyrat, tri pikat kryesore të këndit janë me dritë, ato ndizen natën dhe ndriçojnë vetëm lartë, jo anash.

Shenjën  ku e kemi vendos pllakën është transparente, mirëpo lexohet vetëm nesër e vendos dorën përfundi saj, dmth je pjesë e një vepre arti.

Instalacioni ‘Misioni: Ekzekutoni’. Foto: CHwB

Përgatitja e instalacionit

KALLXO.com: Sa kohë jua është dashur për realizimin e instalacioni dhe sa ju ka ndihmuar rrëfimi i banorëve vendas për masakrën për instilacionin tuaj?

Gazmend Ejupi: Hulumtimi ka qenë prej ditës së parë, edhe para se me fillu me këtë projekt. Me Nora Weller kemi punu, me orë të tëra,  minimumi dy tri orë në ditë, ndonjë herë edhe  më shumë, 7-8 orë, kemi shkëmbyer informata, materiale. Mandej hulumtimi tjetër që ka qenë shumë sfidues, ka qenë shfrytëzimi i materialeve për hapësirën, pasi instalacioni duhet të jetë i qëndrueshëm ndaj kushteve atmosferike. Kemi eksperimentuar diku 3 muaj e gjysmë vetëm me formatin e shisheve se a janë apo nuk janë të sakta, a janë të mjaftueshme me shpreh respektin si dhe çështjen e energjisë. Por, për këtë jeni mbështetë nga komuna (Rahovecit), nga kryetari, po ashtu edhe nga zyrtarët e komunës, veçmas nga ekipi i CHwB-së.

KALLXO.com: Kur jemi të CHwB-ja, si arritët kontaktet që projektin tuaj ta realizoni në kuadër të platformës, HeritageSpace?

Gazmend Ejupi: Për projekt është aplikimi, mandej janë edhe rekomandimet. Në këtë rast Nora Weller ka qenë mentore e projektit. Takime në fillim që janë kanë qenë shumë interesante, duke filluar prej storiese si një, pra si ngjarje, temat e projketit, etj.

KALLXO.com: Sa ndikojë bashkëpunimi me mentoruesen Nora Visoka-Welle për realizimin e instalacionitm “Misioni: Ekzekutoni”.

Gazmend Ejupi: Me Norën punojmë shumë vite me radhë, kemi pasur ekspozita edhe në Kembrixh, ku Nora e ishte kuratore. Raporti im me Norën sa i përket botës së artit është i vazhdueshëm, ku dominon ana kritike për veprat, ekspozitat, etj.

Me të (Norën) nga dita e parë kemi filluar me idenë për instalacionin e Fortesës (Bellacerkës), si inspirimi kur kam përkthyer për BBC-në, sfida më e madhe ka qenë puna e hulumtimit, shfrytëzimi i materialeve, lokacioni, a do të jetë e mjaftueshme, si do të pritet nga komuniteti, pasi ishe diçka e re, si vepër arti.

Ajo që mendoj së është me rëndësi të thuhet është se nëse një memorial kushton 70 mijë euro, një instalacion kushton 20 mijë euro, atëherë 50 mijë euro mund të jepen për komunitetin që kanë humbur të afërmit që m`u siguruar një fond për shkollim.

Instalacioni ‘Misioni: Ekzekutoni’. Foto: CHwB

KALLXO.com: Sa ndikon sipas jush arti, për ruajtjen e memories kolektive, sidomos në rate të tilla?

Gazmend Ejupi: Mendoj se arti është i domosdoshme për çdo industri që ekziston për momentin. Kreativiteti është i domosdoshëm, pavarësisht a e duam apo jo, kjo nuk është zgjedhje, kjo është e duhur, pse?

Nëse bëhet e njëjta si në Fortesë, nëse përsëriten aktet e njëjta të artit modern, atëherë vijueshmëria do të rritet më shumë, gjërat e reja do të pranohen më lehtë, fokusi për me qenë në qendër të vëmendjes në botën internacionale të artit është më i lehtë. Pra, nëse ka shumë më shumë qasje, duke u nisur prej komunitetit të edukimit, sidomos Fakultetit të Arteve, atëherë gjeneratat e reja do ta akceptojnë më lehtë, kreativiteti ka me qenë në nivel më të lartë, ka me pas më shumë mendim kritik, pasi mendimi kritik, shprehja kritika mungon te ne.

Instalacioni ‘Misioni: Ekzekutoni’. Foto: CHwB