Gazetarët Serbë Dënojnë Largimin e Monumentit në Kosovë

Monumenti i cili u hoq të dielën u dedikohej Gjuro Slavuj-it dhe Ranko Pereniq-it, dy gazetarëve serbë, të cilët ishin rrëmbyer në vitin 1998, dyshohet nga pjesëtarë të UÇK-së, përgjatë rrugës Rahovec-Zoçisht.

“Shkatërrimi i monumenteve kushtuar të kidnapuarve dhe gazetarëve të zhdukur, paraqet masën e lirisë së medias në një shoqëri që padyshim nuk dëshiron të merret me faktin se ka njerëz të pafajshëm që kanë vuajtur, edhe pse kanë qenë duke e bërë punën e tyre në mënyrë dinjitoze”, thuhet në letrën e Shoqatës së Gazetarëve të Serbisë (UNS) dhe një shoqate tjetër që quhet Shoqata e Gazetarëve të Kosovës dhe Metohisë.

Këto shoqata thanë se shpresojnë të shohin vendosjen e një monumenti të ri.

Në pllakën përkujtimore ishte e shkruar në shqip dhe serbisht: “Këtu më 21 gusht 1998, janë zhdukur dy gazetarë, Gjuro Slavuj dhe Ranko Pereniq. Ne ende i kërkojmë! UNS “.

Monumenti ishte vendosur në gusht të këtij viti me rastin e 15 vjetorit të rrëmbimit të tyre.

Edhe në vitin 2012, gazetarët serbë kishin vënë një monument tjetër, i cili po ashtu ishte hequr pas një muaji.

Slavuj dhe Pereniq ishin rrëmbyer teksa po ktheheshin nga përgatitja e një raporti rreth kthimit të murgjve në Zoçisht. Sipas UNS-së , ata ndodheshin në një zonë të kontrolluar nga luftëtarët shqiptarë. Trupat e tyre dhe vetura blu e tipit Zastava nuk janë gjetur kurrë.

Shoqatat e gazetarëve gjithashtu i bënë thirrje misionit të BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, Eulex  dhe Policisë së Kosovës që : “urgjentisht të gjejnë autorët e krimit dhe të hetojnë motivet për shkatërrimin e monumentit”.

UÇK-ja mori nën kontroll fshatrat e Rahovecit mes 11 dhe 28 korrikut, 1998.

Gjatë kësaj periudhe, më shumë se 40 persona u vranë dhe më shumë se 100 serbë dhe romë u morën peng , edhe pse shumica u liruan, kur ndërhyri Kryqi i Kuq.

Gjatë luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, më shumë se 13,000 persona vlerësohen se janë vrarë dhe më shumë 1,700 janë ende të zhdukur.

Rasti “Rahoveci 1998” është hetuar së pari nga Tribunali i Hagës, por nuk është ngritur asnjë aktakuzë. Më vonë rasti i ishte dorëzuar misionit të OKB në Kosovë, i cili më pas ia kishte transferuar atë Eulex-it.

Eulex-i nisi një hetim, por në shkurt të këtij viti, një gjykatë në qytetin e Prizrenit liroi shtatë shqiptarë të dyshuar për terrorizimin e  fshatarëve serbë duke i dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Edhe zyra Zyra e Prokurorisë Serbe për Krime Lufte e ka hetuar këtë rast, mirëpo në mungesë të provave rasti është shuar.

Ky shkrim është botuar së pari në Balkan Transitional Justice