Gazetarët me Kryetar të Ri dhe Asociacion të Riemërtuar
Zekirja Shabani, redaktor i Ekonomisë në Gazetën “Tribuna”, është zgjedhur kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës. Ai ka marrë 58 vota nga anëtarët e këtij asociacioni.
Kundërkandidatët tjerë ishin Shkumbin Ahmetxhekaj i RTK-së, i cili ka marrë 48 vota; Parim Olluri, redaktor përgjegjës i Gazetës Jeta në Kosovë pjesë e BIRN-it, i cili ka marrë 38 vota; Milaim Krasniqi nga Radio Kosova që ka marrë 28 vota dhe Arton Mulliqi nga RTV 21 i cili ka marrë 25 vota.
Bordi i ri këtij Asociacioni do të përbëhet nga tetë anëtarë të cilët janë: Enis Veliu nga gazeta “Zëri”, Blerta Aliu nga “Koha Ditore”, Dardan Hoti nga “Kosovapress-i”, Arsim Halili nga RTK-ja, Fidan Rama nga “Tribuna” si dhe Arben Llapashtica e Shkëlqim Hysenaj nga KTV-ja.
Kuvendi është mbajtur pasi Liridona Lluka- Gashi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e kryetares. Kjo kishte ndodhur pasi gazetarët kishin mbledhur Këshillin Iniciues për të organizuar kuvendin e jashtëzakonshëm.
Rreth 300 gazetarë kishin nënshkruar një peticion, përmes të cilit tregonin se ishin të pakënaqur me udhëheqjen e ish-kryetares Lluka-Gashi. Ajo kishte mbetur e vetme në këtë pozitë, pasi gjithë bordi i kaluar patën dhënë dorëheqje.
Në këtë Kuvend, u dhanë edhe propozime të ndryshme, ndër to ishte që asociacioni të quhet vetëm Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke ia hequr fjalën “Profesionistë”, i cili u miratua me shumicë votash. Në këtë Kuvend të jashtëzakonshëm, u kërkua që ndër të tjera të dihet edhe numri i saktë i anëtarëve të Asociacionit.