Gazetarët Këndojnë Në Shkup

Me një angazhim për një natë, në klubin e gazetarëve të Shkupit u shënua nisja e projektit “Solidaritet dhe liri”, një përpjekje e përbashkët e Sindikatës Maqedonase të Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias (SSNM), rok-grupit “Reporterët” dhe Asociacionit të Gazetarëve (ZNM).

Aktiviteti u mbështet nga Ambasada Amerikane në Maqedoni.

Në grupin “Reporterët” Zharko Dimitrovski luan me kitarë, Mile Bosnjakovski me bass-kitarë, Borjan Jovanovski u bie daulleve, ndërsa Petrit Saraçini dhe Stojan Trpcevski këndojnë.

Nata iu “kushtua të gjithë gazetarëve, pavarësisht se ku punojnë ata, për të kontribuuar për unitetin tonë, i cili do të sigurojë një hapësirë ku ne mund të debatojmë paqësisht dhe me dinjitet dhe të qëndrojmë përkrah secilit koleg që ka telashe”, tha Petrit Saraçini.

Gjatë natës rok-grupi këndoi këngën  e tyre të parë të incizuar vitin e kaluar. Kënga ka titullin simbolik “Liria”, ndërsa është shkruar nga gazetarja Saska Cvetkovska. Grupi këndoi edhe rok-hite të njohura.

Si pjesë e projektit “Solidaritet dhe liri”, grupi planifikon të incizojë një album dhe të mbajë koncerte përgjatë tërë vendit. Këngët do të zgjidhen nga një konkurs i hapur.

Të ardhurat nga shitja e albumit dhe biletat e koncerteve do të grumbullohen në një fond solidariteti që do të përdoret kur gazetarët do të kenë nevojë për mbështetje materiale.

Shumë pjesëmarrës në këtë ngjarje mbanin të veshura bluza me mbishkrimin “Liri për Kezo-n”. Gazetari Tomisllav Kezarovski po mbahet në paraburgim në Maqedoni.

Policia paraburgosi gazetarin hulumtues të së përditshmes Nova Makedonija gjatë majit.

Nën akuzat se zbuloi identitetin  e një dëshmitari të mbrojtur, në një artikull të shkruar në vitin 2008, ai po mbahet në paraburgim që nga maji, pavarësisht kërkesave të organizatave kryesore të gazetarëve të vendit për lirimin e tij.

Pas mbylljes së disa medieve kritike të qeverisë gjatë viteve të fundit, Maqedonisë i  ra rejtingu në rangimet e bëra për lirinë e fjalës.

Në raportin për Indeksin e Lirisë së Mediave në Botë 2013, Reporterët pa Kufi, e renditën Maqedoninë në vendin e 116 nga 179 shtete, ku u mat liria e medieve.

Kjo përbën një rënie për 22 vende nga viti i kaluar dhe për 89 nëse renditja e tashme krahasohet me vitin 2009.

Para katër vjetësh Maqedonia në të njëjtin raport ishte renditur e 34-ta.