Seanca e Kuvendit më 4 qershor 2020, FOTO: Kuvendi i Kosovës

Garë për president në zgjedhje parlamentare

Edhe pse Kosova është në prag të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt të këtij viti, kjo gjë nuk i ka penguar politikanët kosovarë që të shpallin zyrtarisht kandidaturat për president.

Presidenca e Kosovës aktualisht është duke u udhëhequr nga ushtruesja e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit në nëntor të vitit të kaluar. Osmani në këtë pozitë nuk mund të qëndrojë më gjatë se gjashtë muaj.

Kësisoj, pas konstituuimit të legjislaturës së ardhshme të Kuvendit, partive politike parlamentare do t’i duhet të zgjedhin veç kryeministrit të ardhshëm, ashtu  edhe kreun e shtetit.

Pozitën e presidentit nga tash po e synojnë, ish-kryeparlamentarja Vjosa Osmani e cila në zgjedhje do të garojë në listën për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, subjekti i të cilit në këto zgjedhje nuk do të ketë kandidat për kryeministër.

Megjithëkëtë, sipas Kushtetutës së Kosovës, zgjedhja e presidentit  kërkon dy të tretat e votave të deputetëve apo 80, kurse për zgjedhjen e qeverisë duhet shumica e votave të të gjithë deputetëve, apo më së paku 61 sosh.

Gazetari kosovar, Agron Halitaj thotë se zgjedhjet e 14 qershorit për nga natyra janë më specifike.

“Ato vërtetë janë shpallur për të krijuar një legjislaturë të re, prej së cilës varet formimi i një qeverie legjitime, por krahas kësaj, pretendohet të bëhet edhe zgjedhja e presidentit të ri”, shprehet ai për KALLXO.com.

Njohësi i zhvillimeve politike shton se, në rrethanat që u krijuan pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, zgjedhjet e parakohshme thuajse kanë qenë të pashmangshme edhe sikur të mos binte Qeveria Hoti për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Me shumë gjasë, ato do të shpalleshin për ndonjë datë tjetër për shkak të mungesës së konsensusit mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri. Fakti se zgjedhjet e parakohshme po mbahen në kohën kur në krye të shtetit është një ushtruese e detyrës së presidentit, i jep kuptim edhe shpalljes së kandidaturave për këtë post”.

Halitaj thekson tutje se, duhet kujtuar se edhe në të kaluarën posti i presidentit ka qenë pjesë e pazareve politike. “Prandaj më e drejtë dhe më e sinqertë është që të dihet që tani se kush e synon atë post, sesa emrat e kandidatëve potencialë për president të lakohen në nivel të spekulimeve”, tha ai për KALLXO.com.

Në anën tjetër, analisti politik, Nexhmendin Spahiu i cilëson si normale kandidaturat për president të ardhshëm.

“Mendoj që shpallja e kandidaturave është normale meqenëse presidenti zgjedhet prej parlamentit dhe është pjesë e pazareve politike. Tani jemi në fushatë zgjedhore dhe secili dëshiron ta tregojë synimin e vet më të sinqertë për të përfituar nga fushata”, tha ai për KALLXO.com.

Sipas Spahiut, kandidatura e Haradinaj ka “logjikën” e garimit në këto zgjedhje duke mos qenë partia e parë.

“Synimi i Ramush Haradinajt për shembull për president ka një logjikë: Ne nuk do të jemi partia e parë, mirëpo ne do të jemi në koalicion me partinë e parë dhe unë synoj që të jem president, dhe ky duket shumë i besueshëm në sytë e opinionit publik dhe kjo i shton sasinë e votave të njerëzve të luhatur për partinë e tij, për të qenë më pranë një njeriu që shpreson se ka gjasa reale për të qenë president”, shprehet ai.

Analisti vlerëson se e njëjta gjë vlen edhe për Vjosa Osmanin.

“Po e njëjta gjë vlen edhe për Vjosa Osmanin e cila është në një pozicion më delikat për shkak se nga një parti e djathtë, futet në listën e një partie të majtë. Ajo sigurisht që don me tregu pak dinjitet dhe Albin Kurti i ka mundësuar këtë dozë dinjiteti duke i premtuar vendin e presidentit”, shtoi ai.

Kurse gazetari Agron Halitaj thotë se pritshmëria është se edhe në këto zgjedhje do të fitojë Lëvizja Vetëvendosje.

“Megjithatë, gjasat që kjo parti të fitojë numër aq të madh të ulëseve në Kuvend, sa për të mos e pasur nevojën të bëj koalicion paszgjedhor me ndonjërën prej partive shqiptare, por vetëm me mbështetjen e partive të komuniteteve pakicë, ta bëj kuorumin për zgjedhjen e presidentit të ri, janë të vogla”, thekson ai.

Sipas Halitajt, VV-së do t’i duhet të zgjedh mes dy opsioneve: të bëj koalicion me ndonjërën nga partitë shqiptare, apo ta çoj vendin sërish në zgjedhje.

“Nëse VV përcaktohet për opsionin e parë, atëherë i zvogëlohen gjasat Vjosa Osmanit që të legjitimohet si presidente e Kosovës, sepse asnjëra prej partive shqiptare, qoftë AAK-ja, qoftë PDK-ja, nuk do t’ia linte VV-së dy postet kryesore: të kryeministrit dhe presidentit”, përfundoi ai për KALLXO.com.

Edhe Nexhmedin Spahiu tregon për gjasat që kanë Osmani e Haradinaj për të marr në drejtim Zyrën e Presidentit.

“Tani ajo [Vjosa Osmani] mund të jetë presidente vetëm në rast se lista e Vetëvendosje i merr dy të tretat në parlament, përndryshe e  ka të pamundur që të jetë presidente. Kurse gjasat e Haradinajt janë shumë më të mëdha për shkak se votat të cilat i merr Vetëvendosje, plus votat e Haradinajt dhe të minoriteteve jo-serbe mund ta arrijnë numrin e 80 deputetëve për të zgjedhur presidentin”, tha Spahiu për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Kushtetua e Kosovës e përcakton se nëse asnjëri kandidat për President nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet President.

Kurse, nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.