
Kandidatët e PDK-së për deputetë.Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Gardë Kombëtare dhe Njësit të Helikopterëve për emergjenca civile: Zotimet e PDK-së për sigurinë dhe mbrojtjen
Për zhvillimin e sektorit të sigurisë dhe të mbrojtjes, tre kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), janë zotuar se nëse partia e tyre do të qeveris me vendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do të bëhet digjitalizimi i sistemit të sigurisë, do të ngritet Njësiti i Helikopterëve për emergjenca civile, do të krijohet Garda Kombëtare, si dhe do të bëhen sigurimet shëndetësore dhe jetësore për ushtarakët dhe policët.
PDK-ja, në programin zgjedhor ka paraparë një platformë të sigurisë kombëtare e cila parashihet të aplikohet në një periudhë afatgjate- 20 vjeçare. Nëse do të marrin besimin e mjaftueshëm të qytetarëve për të qeverisur me vendin, Besa Kabashi- Ramaj, Rashit Qalaj dhe Kujtim Gashi janë zotuar në “DebatPërnime”, më 19.01.2025, se do të bëjnë ndryshime të mëdha në sektorin e sigurisë, duke nisur nga konsolidimi i këtij sektori, në mënyrë që Kosova të shndërrohet në vend stabil e të sigurt, e që siguria mos të trajtohet më si një temë e përditshme.
Në plan të parë, tre kandidatët vendosën digjitalizimin e sistemit të sigurisë duke integruar kështu jo vetëm institucionet e sigurisë, të mbrojtjes dhe të inteligjencës, por edhe akterët tjerë institucionalë si Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit.
Mes tjerash, pati zotime edhe për rajonin e Prizrenit. Një prej tyre më të rëndësishmëve ishte që në kazermën e KFOR-it në Prizren të ndërtohet një Qendër e Inovacionit për Trajnime dhe Teknologji Informative. Përveç kësaj saj, ata bën të ditur se në programin e PDK-së parashihet edhe ridizajnimi i autostradës Prizren-Tetovë.
Si të bëhet digjitalizimi i sistemit të sigurisë përderisa FSK-ja nuk ka qasje në veri?
Për të parë kërcënimet e sigurisë në kohë reale, kandidatja Besa Kabashi – Ramaj, eksperte e sigurisë dhe mbrojtjes, thotë se do ta bëjnë digjitalizimin e sektorit të sigurisë dhe integrimin e platformave të ndryshme që përdorin institucionet brenda sektorit të Policisë.
Kur u pyet se si do ta bëjnë digjitalizimin përderisa katër komunat veriore (Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi) nuk kontrollohen nga Forca e Sigurisë të Kosovës, Kabashi- Ramaj tha që digjitalizimi nuk do ta bëjnë për katër vite, por se me kalimin e viteve do të shikojnë si do t’ia bëjnë që të integrojnë të dhëna edhe nga ato komuna.
“T’i shikojmë krejt databazat aktuale që i kemi dhe t’ia fillojmë me pilotu integrimin e databazave të institucioneve ekzistuese. T’i testojmë se si mund t’i mbledhim ato informata dhe si mund t’i shfrytëzojmë për parandalimin e kërcënimeve. Mandej, momentin që funksionalizohen për këto, të mendojmë si t’ia bëjmë aty ku nuk kemi qasje”- tha ajo.
Në vazhdimësinë e kësaj teme, se si do ta dërgojnë FSK-në në veri, Kabashi-Ramaj tha se nuk ka pjesë të Kosovës ku ligjërisht nuk mundet të dërgohet Ushtria e Kosovës, por sipas saj, PDK-ja zgjedh rrugën që të koordinohet me aleatët.
“Me aleatët tonë NATO-n dhe SHBA-n në pjesë të ndjeshme të Kosovës do të koordinohemi për ta ruajtur stabilitetin … Kjo nuk do të thotë që nuk jemi sovran, nuk do të thotë që ne nuk kemi të drejtë ta përdorim ushtrinë atje, por se ne koordinohemi me aleatët”- tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në dhjetor 2024 është shprehur se me zotimin e ish-kryeministrit, Hashim Thaçi, për mosdërgim të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të vendit pa lejen e KFOR-it, janë krijuar kufij të brendshëm.
Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri – zonë e banuar me shumicë serbe – pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Letër-këmbimi me NATO-n besohet të jetë bërë në përpjekje për ta mbajtur situatën atje nën kontroll. Kuvendi i Kosovës, në vitin 2018, miratoi ndryshimet ligjore për transformimin e mandatit të FSK-së në ushtri. Ligji për FSK-në, i cili hyri në fuqi në janar të 2019-ës, thotë se kjo forcë mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës.
Ngritja e Gardës Kombëtare dhe e Njësitit të Helikopterëve për emergjenca civile
Për të ngritur nivelin e mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme, PDK zotohet se do ta zhvillojë Gardën Kombëtare, e cila do të mundësojë kombinimin e forcave aktive, forcave rezervë dhe vullnetarëve që duan t’i shërbejnë vendit në fushën e sigurisë.
Kabashi-Ramaj beson që Garda Kombëtare e rrit aftësinë e Kosovës që të maksimizojë kapacitetet e saj që të reagojnë më shpejt në raste të katastrofave.
“Ne e parashohim që për ngritje të nivelit të mbrojtjes nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme të krijojmë pesë regjimente, siç kemi planifikuar me partnerët tanë strategjikë SHBA-në dhe NATO-n, t’i ndërtojmë këto regjimente dhe t’i funksionalizojmë brenda këtij mandati”- tha ajo.
Në lidhje me emergjencat civile, Kabashi- Ramaj u zotua se do ta ngritin edhe Njësitin e Helikopterëve.

Ngritjen e kapaciteteve ajrore për emergjenca civile, sipas saj, do ta bëjnë me një njësi me gjashtë helikopterë, të cilët do të shfrytëzohen edhe për çështje mbrojtjeje.
“Sidomos për shpëtimin e jetëve të qytetarëve tonë që me sa kam informacion 150 deri në 170 vdesin brenda vitit për shkak se nuk kemi kapacitet me transportu prej aty ku aksidentohen deri në QKUK (Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës)”- tha ajo.
Kur u pyet nëse kjo njësi parashihet të pajiset me helikopterët “Black Ops”, të tipit që Qeveria Kurti po i negocion për qëllime ushtarake, ajo tha se kjo është njësi tjetër por e cila sipas planit të tyre duhet të vendoset në FSK për shkak se ka kapacitet më shumë për mirëmbajtje dhe për pilotë.
Sipas saj, edhe pse e kanë në plan ta vendosin në FSK, do të ndërtojnë një protokoll të veçantë që për raste të incidenteve në emergjenca civile mund të shfrytëzohet për të shpëtuar jetë.
“Deri të mbërrijmë që buxheti shtetëror të rritet deri në atë nivel që të kemi dy njësi të helikopterëve, ne kemi planifikuar që të kemi një njësi të përbashkët dhe kjo nuk është që nuk ka ndodhur kurrë më përpara në vende partnere”- tha ajo.
Për helikopterët “Black Ops”, ajo tha se janë idealë pasi kanë mundësi të bëjnë operacione ushtarake dhe civile, veçse janë shumë të kushtueshëm.
“Vendet e BE-së kanë disa helikopterë standard që përdoren në emergjenca civile, por që munden me shërbyer edhe në operacione ushtarake. Blerjet ushtarake nuk bëhen përmendësh, por na bazë të nevojave”- tha ajo.
Kabashi-Ramaj u zotua se helikopterët do të blihen brenda mandatit të parë.
Çka për armatimin?
Besa Kabashi- Ramaj nuk tregoi se çfarë mendojnë saktë si PDK për Fabrikën e Municionit, për të cilën ka bërë marrëveshje Qeveria Kurti, por tha se si më të duhur e shohin që armatimi të blihet.
“Nuk guxojmë t’i mashtrojmë qytetarët që vendet mbrohen vetë, sepse ne jemi demokraci dhe jemi rreshtuar kah Perëndimi. Dhe, vendet perëndimore mbrohen përmes aleancave siç është NATO”- tha ajo duke shtuar se “nëse kthejnë besimin në NATO e në SHBA, do të arrijnë të bëhen pjesë e kësaj Aleance”, e më pas edhe standardin e armatimit Kosova do ta ketë si ata.
Se çfarë modeli kanë në plan për blerje të armatimit, ajo ta shkurt se do të marrin shembullin e aleatëve.
“Aleatët tanë pikësëpari blejnë armatim, si për shembull “Beretta” është italiane, por në momentin që e përdorë Ushtria Amerikane, Beretten e prodhon vetë në Amerikë. Pra nuk blen armatim vetë. Ne duhet të kemi kujdes se si e trajtojmë sektorin e prodhimit”- tha ajo.
Ajo tha se synojnë që buxhetin për mbrojtjen ta rrisin më shumë se 2 për qind të GDP-së dhe ta bëjnë minimumi gjysmë miliardi.
“Kjo nuk është vetëm për ushtrinë, por ne e shohim sigurinë si sektor gjithëpërfshirës, që përfshin edhe dikastere tjera”- tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 16.12.2024, ka nënshkruar Kontratë me prodhuesin shtetëror turk “Makine ve Kimya Endüstrisi” (MKE), me të cilin, sipas shefit të Qeverisë, po vendosen themelet e industrisë së mbrojtjes. Ai kishte thënë se me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% vendore.
Kurse, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci pati thënë se për hapjen e fabrikës së municionit kanë pranuar një Raport fizibiliteti nga Ministria e Mbrojtjes e Turqisë.
Kurse, për armët e Policisë të Kosovës, kandidati Rashit Qalaj i cili vetë ka qenë drejtor i këtij institucioni, tha se ka armë që janë blerë e nuk janë përdorur.
“Duhet të blesh armë që janë efektive me kualitet të lartë të cilat mund t’i përdorë polici kudo. Ju e dini që ka armë të cilat policia kufitare nuk i përdorë tash e që janë blerë në këtë mandat. Armë të ndryshme nga Kroacia, Turqia të cilat nuk janë adekuate”- tha ai.
Sipas tij, nuk duhet politika të imponoj blerje të armëve pa bërë analiza dhe pa marrë vendime nga organi kompetent në këtë rast që është Policia e Kosovës.
Më 12.01.2024, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, pati thënë se të gjitha patrullat policore në vend do të pajisjen me armë të gjata. Ai tha se këto armë do të rritet efikasiteti në luftimin e krimit.
Njoftimi për blerjen e armëve të gjata për zyrtarët policorë erdhi një ditë pasi Shtetet e Bashkuara konfirmuan se kanë miratuar kërkesën e Kosovës për blerjen e 246 sistemeve kundërtanke, Javelin, që prodhohen në SHBA, për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Planet për Policinë
Rashit Qalaj tha se e kanë në plan që të bëjnë një vlerësim strukturës organizative të Policisë për të parë nëse kjo e tanishmja është e duhura.
“Aktualisht Policia ka 7 departamente dhe ka shumë divizione në kuadër të saj. Kemi një qasje të rritur të administratës, ndërsa nuk vërehen shumë efektet e policëve në terren, e nevojat janë që të ketë shumë policë në terren”- tha Qalaj.
Sipas tij, ky vlerësim nuk do të bëhet vetëm nga ministri i Brendshëm, por nga të gjithë partnerët, Policia e Kosovës me Drejtorinë strategjike dhe shoqërinë civile.
Përveç saj, ai tha se Kosova ka nevojë për ekspertë të hetimeve financiare që t’i qasen krimit të niveleve të larta, hetimit të krimit të organizuar, rrjedhjes së parave si dhe financimit të terrorizmit.
Gjithashtu, Qalaj tha se Kosova ka kapacitete të limituara për hetimin e krimeve kibernetike, jo vetëm në nivel qendror në Prishtinë, por edhe të rajoneve policore që të jenë në gjendje si shtet t’i parandalojmë dhe t’i hetojnë këto.
Se a kanë në plan Vetting-un në Policinë e Kosovës, ai tha se Policia ka nevojë që të ketë zyrtarë me integritet sa më të lartë, kështu që do të shohin si ta bëjnë këtë proces gjatë përgatitjes të dokumenteve.
“Qeverisja e Partisë Demokratike do të arrijë që të ketë mekanizma që Policia e Kosovës të arrijë me të vërtetë këtu dhe njëri nga mekanizmat që unë mendoj që është i domosdoshëm, i nevojshëm është çështja e Vetting-ut”- tha ai.
Një tjetër çështje në lidhje me Policinë që Qalaj e renditi si emergjente është që Ligji mbi Policinë të ndryshohet dhe të plotësohet në mënyrë që aspekti operacional të jetë plotësisht i pavarur nga Ministria e Brendshme.
“Edhe pse me ligjin aktual shkruhet aty që Policia e Kosovës në aspektin operacional është e pavarur apo që ministri i Brendshëm nuk përzihet në menaxhimin operacional, mirëpo duhet në mënyrë decidive të shkruhet që ministrit të Brendshëm dhe politikës i ndalohet përzierja në aspektin operacional “- tha Qalaj.
Kurse, në aspektin e sigurimit dhe mirëqenies së policëve, Besa Kabashi-Ramaj tha që brenda mandatit të bëhet sigurimi shëndetësor dhe jetësor për FSK-në dhe Policinë.
Për strukturën komanduese të Policisë, Qalaj tha se Drejtori i këtij institucioni duhet të udhëheqë më Policinë e Kosovës, por jo të jetë i nënshtruar nga ministri i Brendshëm.
“Çështja e emërimit dhe shkarkimit e individëve në kuadër të strukturës komanduese është ekskluzivisht e Drejtorit të Policisë. Por, Drejtori duhet të jetë kompetent që t’i thotë edhe ministrit ‘Jo’ kur ministri tenton që të ndërhyj në kompetencat e tij”- tha ai.
Për shujtat për Policinë, ai tha se është e pamundur që të sigurojnë shujta për të gjithë për shkak të punëve të tyre, por se do ta rregullojnë përmes kompensimit.
Qalaj tha se këtë do ta bëjnë në gjysmën e parë të mandatit.
“Shujtën të siguruar e kanë policët e Njësisë Speciale, të cilët e kanë pasë edhe më herët dhe e kanë edhe sot. Ndërsa për policët e patrullës duhet të rregullohet ndryshe që ata të marrin kompensim”- tha ai.
Se a do t’i kthejnë policët serbë në pozitat e tyre të mëhershme në Policinë e Kosovës në vijnë në pushtet, Qalaj tha se rruga e të dorëhequrve në institucionet kosovare ka mbaruar.
Sipas tij, ata kanë pasur të gjitha mundësitë e botës që të jenë pjesë e Policisë së Kosovës, sa që kanë pasur edhe afat për t’u rikthyer në institucionin ku kanë punuar.
“Ata janë larguar me një kërkesë nga një president i një shteti tjetër dhe mendoj që një polic më uniformë kur jep dorëheqje rruga për kthimin e tij në institucionet e Kosovës ka mbaruar”- tha ai.
Mirëpo, zgjidhje për këtë çështje, Qalaj tha se sheh që të integrojmë pjesëtarë të komunitetit serbë, që nuk kanë të kaluar kriminale.
Cili është plani i PDK-së për zjarrfikësit?
Zjarrfikësit në Kosovë i kanë kushtet më së keqi edhe pse kanë rol të madh në siguri.
Se si do të gjejnë një zgjidhje nëse qeverisin nga 9 shkurti, Rashit Qalaj tha se në vitin e parë të qeverisjes do të përcaktojnë nën ombrellën e kujt janë zjarrfikësit: të Ministrisë të Brendshme apo të komunave.
“Ku është ombrella e zjarrfikësve tanë? A është Ministria e Brendshme apo komunat. Kjo është çështja kryesore që do të rregullohet që në vitin e parë nën qeverisjen e PDK-së?”- tha ai.
Qalaj tha se Kosova nuk ka zjarrfikës të trajnuar dhe me pajisje të duhura për shuarjen e zjarreve në ndërtesat 15-16 katëshe që janë ndërtuar gjatë zhvillimit të Kosovës.
“Mosha e shtyrë- nëse nuk gaboj është 55 vjet. Ata fizikisht nuk janë në gjendje që t’i kryejnë punët ashtu siç duhet”- tha ai.
Për pensionimin e parakohshëm, Qalaj tha se kjo çështje do të rregullohet në mes Ministrisë së Brendshme dhe komponentëve aktualë të nivelit menaxhues, të ekipeve të zjarrfikësve dhe po ashtu të sindikatave.
Zjarrfikësit e Kosovës kishin protestuar para objektit të Qeverisë së Kosovës për shkak të kushteve të tyre të punës më 30.11.2023, sa i përket organizimit, financimit dhe menaxhimit të shërbimit të zjarrfikës dhe shpëtimit dhe se kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë.
Ndryshime në strukturën e AKI-së
Besa Kabashi – Ramaj tha se nëse qeverisin do të bëjnë vlerësimin nëse do të vazhdojë Petrit Ajeti të jetë Kryeshef i Agjencisë të Kosovës për Inteligjencë.
“Nuk është fare mirë që kur ndodhi p.sh sulmi mbi infrastrukturën kritike, në vend që me parandalu AKI–ja, bashkë me Policinë, shefi i AKI-së ishte atë ditë aty.
Kabashi- Ramaj tha që ideja e tyre është që të rriten kapacitetet njerëzore, profesionale dhe teknologjike të AKI-së, që ata të kenë mundësi të ndihmojnë në luftën ndaj krimeve kibernetike dhe luftën hibride.
“Po- do të bëjmë ndryshime në strukturën e AKI-së dhe ato ndryshime do të bëhen në bazë të nevojave të shtetit për t’i ngritur kompetencat e AKI-së dhe personelit “- tha ajo.
Në vitin 2021, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kishin emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
Planet për rajonin e Prizrenit
Kandidati për deputet, Kujtim Gashi, i cili ka qenë ministër i Kulturës nën qeverisjen e PDK-së, ka theksuar se PDK në programin e saj ka paraparë ndërtimin e hekurudhës së re për lidhjen e Kosovës me shtetet fqinj përmes Prizrenit.
Ai tha se autostradën Prizren-Tetovë do ta ridizajnojnë me një fizibilitet të ri.
“Natyrisht ky është projekt i shtetit të Kosovës që ka filluar si i tillë përkundër defekteve të mëdha. Ne do t’i adresojmë edhe problemet që i kanë banorët e Lagjes së Trimave dhe fshatit Hoçë. Këtë rrugë do ta realizojmë në afat rekord”- tha ai.
Gashi tha se një hekurudhë e tillë ndihmon zhvillimin ekonomik, por edhe transportin me Shqipërinë edhe me Maqedoninë e Veriut.
Projekt të rëndësishëm, Gashi thotë që e kanë autostradën për Duhël e cila kalon nëpër Lipjan, Ferizaj dhe bënë lidhjen me Shkupin. Sipas tij, kjo ndihmon lidhjen e Dukagjinit, të Prizrenit, Therandës dhe Malishevës.
Për Suharekën, Gashi u zotua se do ta ndërtojnë Unazën e Re.
Kurse për Dragashin edhe Prevallën, ai tha se kanë paraparë ndërtimin e dy qendrave të skijimit.
Gashi tha se kanë filluar në komunë fizibilitetin e projektit për t’u furnizuar me ujë nga Vërmica, që të sigurohet uji 24 orë për 50 vitet e ardhshme.
Përvoja e PDK-së në qeverisje
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.
Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.
Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.
PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.
Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.