Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gara për kreun e ShSKUK-së, bordi i ndërron tre anëtarë të komisionit vlerësues

Bordi i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës ka vendosur që të ndërrojë tre nga pesë anëtarët e komisionit vlerësues për zgjedhjen e drejtorit të këtij institucioni. Ky vendim është marrë në ditën kur është mbyllur afati i aplikimit për drejtor.

Njëri nga anëtarët e komisionit vlerësues që është larguar nga ky komision është këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Diellor Rizaj, i cili është edhe anëtar i bordit të ShSKUK-së.

Kryetar i bordit të ShSKUK, Xhevat Jakupi, thotë se shkarkimi i Rizajt është bërë për shkak se i njëjti mbante edhe pozitën e këshilltarit të ministrit. Ai ka thënë se bordi në kohën kur është caktuar Rizaj të jetë pjesë e komisionit vlerësues ka qenë i informuar që ai ishte këshilltar politik por se nuk kanë pasur njohuri se kjo përbënte konflikt të interesit.

“Kolegu ynë Diellori është ndërru për shkak se është këshilltar politik në Ministri dhe sipas Ligjit për Konflikt të Interesit nuk mundet një këshilltar politik me qenë në vendimmarrje për shërbyes publikë. Ne e kemi kërkuar mendimin e zyrtarit tonë ligjor dhe sugjerimi i tij ka qenë që kolegu jonë duhet me u zëvendësu me anëtar tjerë të bordit për me i ik konfliktit të interesit”, ka thënë Jakupi.

Në anën tjetër, këshilltari i ministrit Armend Zemaj, Rizaj ka thënë për KALLXO.com se ka kërkuar vetë që të largohet nga pozita e anëtarit të komisionit vlerësues.

“Për shkak të interferimit politik unë kam kërkuar që të largohem nga komisioni”, ka thënë Rizaj. Ai ka thënë se kërkesën e ka bërë gjatë një mbledhjeje të bordit të ShSKUK-së.

KALLXO.com ka bërë kërkesë për qasje në procesverbalet e mbledhjeve të bordit në të cilën është vendosur për ndërrim të anëtarëve të komisionit vlerësues.

Kryetar i bordit të ShSKUK, Xhevat Jakupi, ka thënë se kur është emëruar Rizaj si anëtar i komisionit, bordi nuk ka pasur informacione se kjo zgjedhje mund të përbënte konflikt interesi.

Në bazë të Ligjit mbi zyrtarët publikë të emëruarit politikë nuk bëjnë pjesë te nëpunësitit civilë dhe nëpunësit që ofrojnë shërbime publike. Ata nuk kanë të drejtë që të ndërhyjnë  në menaxhimin si dhe në asnjë funksion tjetër që ka të bëjë me shërbimin civil.

Kjo gjë përcaktohet qartë me Rregulloren për fushat dhe përgjegjësitë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrave nr. 06/2020.

Kjo Rregullore e përcakton rolin e një këshilltari politik të kryeministrit dhe ministrave e i cili është mbështetja dhe këshillimi i eprorit të tij në ushtrimin e përgjegjësive.

Të gjithë këshilltarëve politikë u ndalohet që: të ushtrojë çfarëdo pushteti ligjor, për ushtrimin e të cilit është kompetent eprori i tij; të ushtrojë çfarëdo funksioni tjetër që ndërlidhet me menaxhimin e shërbimit civil; të ndërhyjë në cilindo funksion tjetër i cili ushtrohet nga shërbimi civil; të ndërhyjë në funksionet të cilat me legjislacionin përkatës i janë përcaktuar shërbimit civil; të ushtrojë kompetenca ligjore, të cilat duhet të ushtrohen nga eprori i tyre, Zyra e Kryeministrit ose ministritë; të autorizojë shpenzimin e fondeve publike; t’u japë udhëzime nëpunësve civilë.

Nga komisioni vlerësues është larguar edhe Haki Smajli, që ishte pjesë e komisionit si i deleguar nga Ministria e Shëndetësisë.

Jakupi ka thënë se e kanë larguar Smajlin meqë kanë dashur të kenë nivel më të lartë të ekspertizës.

“Ne kemi pasë dëshirë që me e pasë një nivel më të lartë të ekspertizës në përcjellje të stafit në shërbyes civil dhe kemi menduar që pozitë më e lartë dhe kemi menduar që person më i përshtatshëm është sekretari përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë për ta ngritur nivelin e ekspertizës”, ka thënë Jakupi.

Anëtari Haki Smajli është kontaktuar nga KALLXO.com për qartësimin e arsyeve të largimit të tij nga komisioni vlerësues, por ai ka thënë se nuk është informuar për shkarkimin e tij nga komisioni vlerësues për drejtor të ShSKUK-së.

“Unë për herë të parë po dëgjoj prej juve që jam largu. Emërimi im nuk ka qenë privilegj por përgjegjësi. Unë fillimisht e kam pranuar, ndërsa tash s’qenkam anëtar”, ka thënë Smajli.

Kryetari i bordit, Xhevat Jakupi, ka thënë se anëtarja Vjollca Kadolli ka dhënë dorëheqje nga komisioni vlerësues, kërkesë që është miratuar nga bordi.

“Një anëtare tjetër ka kërku me u liru prej detyrës që mos me qenë më pjesë e komisionit, është anëtarja Vjollca Kadolli. Ajo ka kërku nga bordi me u largu dhe ne e kemi zëvendësuar me dikë tjetër”, ka vazhduar Jakupi.

Ai ka treguar për KALLXO.com emrat që kanë zëvendësuar anëtarët e larguar.

“Kolegu ynë Diellor Rizaj është zëvendësuar me përfaqësuesen nga ShSKUK, Agreta Gecaj- Gashi, Haki Smajli me sekretarin Ardian Mehmetaj dhe Vjollca Kadolli me anëtarin e bordit Naim Hoxha”, ka thënë Jakupi.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të ShSKUK-së ka qenë i hapur nga data 25 nëntor 2020 dhe ka qenë i hapur 15 ditë.

Më pas, përmes një vendimi të ri të bordit, të datës 9 dhjetor 2020, ky konkurs ishte shtyrë deri më datën 11 janar 2021.

Në vendimin për shtyrje të afatit të konkursit thuhet se data e mbylljes së konkursit është 30 ditë nga data e publikimit në web-faqe, ndërsa koha e aplikimit 15 ditë nga mbyllja e njoftimit.

“Njoftimi sipas vendimit përfshin periudhën nga 25 nëntor 2010 deri më 25 dhjetor 2020, kurse kandidatët e interesuar mund të aplikojnë nga data 26 dhjetor 2020 deri më 11 janar 2021”, thuhet në vendimin e bordit të ShSKUK-së.

Në vendim thuhet që kandidatët të cilët kanë aplikuar në konkursin fillestar nuk kanë nevojë të riaplikojnë sepse aplikimi i tyre do të konsiderohet valid.

Më tej në arsyetimin e marrjes së këtij vendimi nga bordi thuhet se janë mbështetur në pikën 1 të nenit 68 të Ligjit për zyrtarë publikë.

Kjo pikë, në këtë Ligj, thotë se “Hapja e procedurës së konkurrimit shpallet nga NJBNJ, në web-faqen e konkurrimeve të SIMBNJ, të paktën 30 ditë para datës së planifikuar për paraqitjen e aplikimit nga kandidatët e interesuar”.

Ndërsa, rregullorja që duhet të caktojë kohëzgjatjen e aplikimit për pozitat e shërbimit civil thotë se koha e aplikimit nuk duhet të jetë më e shkurtë se 8 dhe jo më e gjatë se 15 ditë. Por, kjo rregullore nuk vlen për pozitën e drejtorit të ShSKUK-së pasi për këtë pozita të ngjashme është në proces të hartimit një rregullore e re.

Ish- drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor të Kosovës, Basri Sejdiu, ishte shkarkuar më 6 korrik 2020 me vendim të bordit të këtij institucioni.

Siç ka konfirmuar bordi i këtij institucioni, shkarkimi i tij erdhi si pasojë e performancës jo të kënaqshme dhe mospërmbushjes së detyrave të punës.

Që nga ajo kohë, postin e ushtruesit të detyrës së drejtorit e ka mbajtur infektologu Valbon Krasniqi.