Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Gara e hershme për President, kronikë e një tensioni të paralajmëruar

Shpallja e kandidaturës për president të ardhshëm të vendit nga ana e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, “ka trazuar” partitë politike në koalicionin qeverisës lidhur me këtë pozitë.

Pas bërjes publike të kandidaturës nga ana e ish-kryeministrit Haradinaj, u shfaqën reagimet dhe aspiratat e partnerëve tjerë të koalicionit, duke mos lënë anash as të tjera subjekte politike që s’janë pjesë e ekzekutivit, për ta synuar Presidencën.

Ndërkohë, pikërisht kjo pozitë është bërë shkas që të luhatet edhe qëndrueshmëria e koalicionit qeverisës.

Kjo pasi që Haradinaj pak ditë më parë doli me një kusht ndaj bashkëqeveritarëve, ndërlidhur me pozitën institucionale që ai synon ta drejtojë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai deklaroi se Aleanca është para dy zgjidhjeve, e që sipas tij të dyja janë shumë të vështira.

“E para është që të vazhdojë të jetë pjesë e pushtetit dhe e vendimmarrjes, por ta kushtëzojë me marrjen e një pozicioni vendimmarrës të presidentit edhe ajo është logjika pse Këshilli Drejtues i AAK-së më ka dhënë autorizim të negociojë edhe për çështjen e presidentit, me qëllim që ne të mos përjashtohemi nga tavolina e marrjes së vendimeve”, theksoi mes tjerash Haradinaj.

Sipas tij, në rast se neAAK s’e merr presidentin tani, meqenëse janë parti më  e vogël, PDK-ja dhe LDK-ja, në emër të një shumice në parlament, “mund të na mbivotojë në çdo situatë e në tema të interesit nacional”.

“Në këtë rast, tani situata është ndjeshme jo me LDK-në, sepse LDK-ja nuk mund t’i ketë dy përgjegjësitë e para edhe kryetarin e qeverisë dhe presidentin. Edhe LDK, në fakt nuk ka shprehur ambicie”, shtoi ai.

“E që i bie se ne, unë jam në pozitë me të vështirë me PDK-në, sepse presidenti dikur ishte në PDK. Mirëpo, unë mendoj edhe për PDK-në, shpresoj se do ta kem mirëkuptimin edhe nga ata, sepse në këto situata të ndjeshme, nëse Aleanca duhet të jetë partner, duhet t’i jepet mundësia të ketë vendimmarrje. Përndryshe, vetëm sa për ta mbajtur në jetë një qeveri për pak pushtet, për Aleancën ne e dimë rrugën që të shkojmë në shtëpi, se e kemi ditur edhe në të kaluarën, ja do të shkojmë në zgjedhje”, shtoi ai për REL-in.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim nga Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes zëdhënësit të saj, Besian Mustafa, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje, deri në publikimin e këtij artikulli.

Kurse, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë se emri i presidentit kalon nëpër zyret e partisë së tij.

“Zgjedhja e Presidentit kalon nëpër zyrat e LDK’së. Ashtu siç kaloi edhe zgjedhja e Kryeministrit dhe Kryetares së Kuvendit…Kur bëhet kështu, dihet kush bëhet President. Ai që përfaqëson unitetin e popullit. Vazhdojmë…”, shkroi Haziri të hënën në rrjetin social Facebook.

Së fundi, edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa Mustafa “e qortoi” Haradinajn, duke e akuzuar për mungesë të disiplinës në qeverisje.

“LDK do të kërkojë që Qeveria  të jetë e gatshme të bëjë rikonfigurime dhe ndryshime në çdo kohë për ata që nuk e kuptojnë rendin qeverisës dhe disiplinën qeverisëse; të cilët ndjekin agjenda personale apo partiake, apo për të cilët vlerësohet se e shpenzojnë pa meritë paranë publike”, ka theksuar ai.

Ky reagim i Mustafës erdhi pas përplasjeve të fundit mes partnerëve të koalicionit lidhur me pozitën e presidentit të vendit, si dhe dialogun me Serbinë.

KALLXO.com ka provuar të marr një qëndrim edhe nga zyrtarë të Nismës Socialdemokrate, e cila është pjesë e qeverisë, por nuk ka arritur të sigurojë ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, pas takimit me krerët e partive të koalicionit qeverisës, të thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti të hënën tha se Limaj nuk u shtrua çështja e presidentit.

“Kosova ka presidentin e vet, nuk është temë e diskutimit. Bile-bile, për mendimin tim, diskutimi i kësaj teme është i turpshëm”, theksoi ai.

Rreth shpalljes së kandidaturës së Haradinajt për president, analistët politik kishin paralajmëruar ndikimin në brishtësinë e koalicionit qeverisës.

E këto diskutime po ndodhin në kohën kur presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, janë në pritje të konfirmimit ose hedhjes poshtë së aktakuzës ndaj tyre nga ana e Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale, për krime lufte dhe kundër njerëzimit.

Në anën tjetër, kandidimi për president po i kërkohet sërish kreut të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacollit.

Këshilltari i Pacollit, ka thënë se një pjesë e qytetarëve dhe të shoqërisë civile kërkon që Behgjet Pacolli të shpallë kandidaturën e tij.

“Kjo gjë po kërkohet tani edhe nga partia, Aleanca Kosova e Re. Gjithmonë duke respektuar mandatin kushtetues të Presidentit aktual. Si ish-President i vendit, z. Pacolli ka dëshmuar se i vendos interesat e vendit para ato të tij. Në rast të marrjës së detyrës ai do të jap dorëheqje nga pozita e Kryetarit të AKR-së”, ishte deklaruar ai para disa ditësh.

Mandati pesë vjeçar i presidentit Hashim Thaçi përfundon në pranverën e vitit 2021.

Në nenin 83 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se “Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.

Akti më i lartë juridik i vendit, e përcakton edhe se zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Gjithashtu, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion tjetër publik, apo në parti politike.