
Kandidatët për deputetë nga Koalicioni për Familjen. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Futja e lëndës fetare në shkolla, ndalimi i martesave të gjinisë së njëjtë dhe krijimi i Ministrisë për banim: Planet e Koalicionit për Familjen
Duke hyrë për herë të parë në garë zgjedhore si Koalicion për Familjen, kandidatët për deputetë nga ky përbashkim politik zotohen për promovimin e vlerave “fetare dhe patriotike”, largimin e çështjeve që kanë të bëjnë me orientimin seksual nga librat shkollorë, krijimin e premiumeve në sistemin shëndetësor si dhe sigurimin jetësor e shëndetësor për policët.
Për herë të parë Koalicioni për Familjen po garon në zgjedhjet që do të mbahen në Kosovë më 9 shkurt 2025. Me një frymë krejtësisht tjetër, ky koalicion që u themelua rishtazi me shkëputjen e disa deputetëve të partisë në pushtet- Lëvizjes Vetëvendosje, dhe me bashkimin e disa partive me traditë shumëvjeçare, si AKR e PD, synon të promovojë vlera duke e vendosur familjen si koncept kryesor të programit.
Me bartës të listës, ish-deputetin e Vetëvendosjes, Eman Rrahmanin, Koalicioni për Familjen premton se nëse i marrin votat e mjaftueshme për të hyrë në Qeveri, do të ndryshojnë kurrikulat shkollore ku do të përfshihet edhe lënda fetare, do të themelohet ministria ku përfshihet çështja e banimit si dhe do të krijojnë ‘premiume’ në shëndetësi.
Këto premtime janë vetëm disa nga shumë të tjera që ky koalicion i shpalosi në “Debat Përnime” të transmetuar më 26.01.2025.
Pjesë e kësaj liste janë 72 kandidatë për deputetë. Eman Rrahmani dhe Visar Korenica – më 01.10.2024, patën dhanë dorëheqje nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje pas mospajtimeve lidhur me Projekt-Kodin Civil.
Ata konsiderojnë se ky Kod, “me disa dispozita cenon familjen tradicionale”. Këta dy deputetë kanë qenë edhe kundër Projektligjit për shëndetin riprodhues, pasi sipas tyre, ky projektligj “legalizon fertilizimin me donim dhe pa identitet të njohur”, e po ashtu ata kanë kundërshtuar edhe Projektligjin për gjendjen civile, me arsyetimin se ky dokument “lejon ndërrimin e gjinisë sipas ndjesisë”.
Rroga e 13- të për policët e suksesshëm
Bejtush Gashi, kandidat i Koalicionit për Familjen dhe ish-ministër i Punëve të Brendshme, ka paraqitur një seri premtimesh për të forcuar sigurinë në Kosovë dhe për të reformuar sektorin e sigurisë.
Ai ka theksuar rëndësinë e kthimit të dinjitetit dhe integritetit për zyrtarët e uniformës, si dhe garantimin e sigurisë për qytetarët e Kosovës.
Fokusi i Koalicionit për Familjen është të ndërmarrë reforma të thella në Policinë e Kosovës, duke përmirësuar aspekte të rëndësishme si kuadrot e policisë dhe digjitalizimin e shërbimeve.
Gashi ka theksuar nevojën për një qasje të re në sektorin e rendit dhe sigurisë, duke ulur aksidentet në komunikacion dhe duke rritur komunikimin me qytetarët.
Ai premtoi se do të vendosin në shërbim kamerat inteligjente për të ulur aksidentet në komunikacion.
“Fokusi jonë, sidomos tek rendi dhe siguria, do të përqendrohet tek reforma e Policisë së Kosovës, e cila ka nevojë që në aspektin e kuadrove të reformohet, ndërsa të digjitalizohet në aspektin e shërbimeve”- tha ai.
Ky proces do të fillojë me ngritjen e mirëqenies së zyrtarëve të uniformës dhe të familjeve të tyre, duke siguruar sigurimin shëndetësor dhe jetësor, një shërbim më të mirë dhe kushte më të mira pune për ta.
Një prioritet i Gashit është fuqizimi i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, e cila sipas tij do të ofrojë trajnime të përhershme për zyrtarët policorë. Ai ka theksuar rëndësinë e avancimit të arsimit dhe trajnimit të vazhdueshëm për profesionistët e sigurisë.
“Kjo qendër do ofroj shërbime edhe për rajonin dhe do të jetë qendër e Ekselencës për shërbime në këtë drejtim”- tha Gashi.
Ai ka theksuar se reforma në Policinë e Kosovës do të fillojë me procesin e Vetting-ut, që do të përfshijë hetimin e të kaluarës së të gjithëve- pa përjashtim.
“Reforma në Policinë e Kosovës do fillojë prej Vetting-ut, përkatësisht hetimin e të kaluarës për të gjithë pa përjashtim”- tha Gashi.
Ky proces, sipas tij, do të realizohet në përputhje me ligjin, duke siguruar që pozitat që duhet të kalojnë në këtë proces të jenë të qarta dhe të drejta.
Gjithashtu, një tjetër prioritet është sigurimi i një jete të sigurt për punonjësit e policisë dhe përmirësimi i kushteve të tyre të jetesës.
Ai premtoi rrogën e 13-të për policët që kanë performancë të lartë.
“Do të bëjmë përpjekje që diferenca në mes të policit fillestar dhe drejtor të ulet”- tha ai.
Një nga qëllimet e tjera të Gashit është rritja e bashkëpunimit mes policisë dhe qytetarëve, duke aktivizuar më shumë policimin në bashkësi dhe përmirësuar marrëdhëniet me komunitetet.
Gashi ka shprehur angazhimin për të eliminuar ndërhyrjet e paarsyeshme dhe për të ndihmuar në krijimin e kushteve për integrimin e komunitetit serb dhe bashkëpunimin me ta.
“Do të angazhohemi fuqishëm që të krijojmë një bashkëpunim me komunitetin atje dhe realisht përmes integrimit të komunitetit.”
Gashi ka theksuar se, për sa i përket policëve serb që kanë dhënë dorëheqje, do të angazhohen për të krijuar mundësi për ata që kanë pasur një të kaluar të pastër, duke iu nënshtruar hetimit të së kaluarës së tyre.
“Ata që nuk kanë qenë të involvuar në aktivitete kriminale që janë zhvilluar në ato komuna, do t’i nënshtrohen procedurave që parashihen me akte ligjore”- tha Gashi.
Në kuadër të angazhimeve të tij për sektorin e sigurisë, Gashi ka premtuar rritjen e numrit të zjarrfikësve dhe përmirësimin e kushteve për këtë shërbim.
Ai ka theksuar se do të investohet në përmirësimin e kushteve të punës për zjarrfikësit, rritjen e pagave dhe për të rekrutuar staf të ri, duke i zëvendësuar ata që janë në moshë të vjetër dhe që kanë shërbyer për një periudhë të gjatë.
“Do të angazhohemi që të krijohen kushtet dhe në të njëjtën kohë të rritet numri i atyre që punojnë në këtë shërbim”- tha ai.
Gashi ka theksuar se do të mbështesin Forcën e Sigurisë së Kosovës për të rritur buxhetin e saj dhe për të realizuar planin e mbrojtjes në përputhje me angazhimet ndërkombëtare.
“Do të vazhdojmë me intensitet për të rritur buxhetin për këtë institucion dhe në të njëjtën kohë do të përmbushet procedura e obligimeve për planin gjithëpërfshirës në fushën e mbrojtjes”- është shprehur Gashi.
Ai gjithashtu ka nënvizuar rëndësinë e krijimit të mundësive për zhvillimin dhe forcimin e raporteve me misionet ndërkombëtare.
Ndërmjetësimi në rastet e konflikteve bashkëshortore
Asdren Bytyqi, kandidat për deputet nga Koalicioni për Familjen dhe avokat me profesion, ka paraqitur programin për reformimin dhe forcimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ai ka theksuar nevojën për të luftuar krimin dhe korrupsionin, përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e sektorit të drejtësisë, dhe për rritjen e aksesit dhe efikasitetit të shërbimeve ligjore për qytetarët.
Bytyqi ka theksuar se një nga prioritetet kryesore është lufta kundër krimit dhe kriminelëve, përmes një sërë masash që do të përfshijnë edukimin dhe vetëdijësimin e rinisë.
“Programi jonë për drejtësi angazhohet që të vazhdojë luftën kundër krimit përmes një sërë masash, fillimisht vetëdijësuese, së pari përmes edukimit dhe arsimimit të mirëfilltë për gjeneratat e reja lidhur me pasojat e krimit dhe dëmet sociale e familjare”- tha ai.
Një tjetër prioritet, sipas Bytyqit është reforma e thellë në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.
Ai ka premtuar vazhdimin e procesit të Vetting-ut për të verifikuar integritetin e krerëve të lartë të këtyre institucioneve, duke u mbështetur në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Do të vazhdojmë Vetting-un në sistemin gjyqësor dhe prokurorial për krerët e lartë të këtyre institucioneve sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias”- tha ai.
Një nga nismat më të rëndësishme për Bytyqin është krijimi i një sistemi digjital të komunikimit ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe qytetarëve.
Ai ka sqaruar se ky sistem do të mundësojë një qasje më të lehtë dhe më efikase për të gjithë, duke përfshirë mundësinë e pagesave online për të gjitha taksat dhe shërbimet ligjore.
“Ne zotohemi se do të ndërtojmë një sistem digjital të komunikimit mes të gjitha institucioneve të drejtësisë, përfshirë qytetarët e thjeshtë, i cili do të mundësojë që të gjitha lëndët, të gjitha shkresat, të gjitha komunikimet, të gjitha taksat të paguhen online”- shpjegoi ai.
Sipas tij, ky sistem ka një kosto prej 1 milion euro dhe është modeluar sipas sistemeve të ngjashme që përdoren në Estoni, Australi, Gjermani, Amerikë dhe Austri.
Një tjetër problem që Bytyqi e ka adresuar është mungesa e mbrojtjes ligjore për trashëgimtarët dhe shmangia e trashëgimisë nga vëllezërit ose motrat.
Ai ka theksuar se do të ndërmarrin masa për të garantuar mbrojtjen e të drejtave të trashëgimtarëve.
“Ne zotoheni që të zgjidhim një problem që ka qenë ai është mungesa juridike në mbrojtjen e trashëgimtarëve ligjor nga shmangia e trashëgimisë nga vëllezërit ose nga motra”- tha ai.
Po ashtu, Bytyqi ka theksuar se do të forcohet institucioni i ndërmjetësimit, duke shtuar numrin e psikologëve të paguar nga buxheti i shtetit për të ndërmjetësuar në raste konflikti, sidomos në rastet e dhunës në familje.
“Do ta shtojmë numrin e psikologëve me pagesë nga ana e buxhetit të shtetit, të cilët do të ndërmjetësojnë rastet kur ka konflikt bashkëshortësh në mënyrë që mos të mbushen burgjet vetëm me njerëz që kanë dhunë në familje, por në rast se ka nevojë me u ripajtu ose me u rikthy ta vendosim ndërmjetësimin ”- tha ai.
Një aspekt tjetër që potencoi Bytyqi është përshpejtimi i shqyrtimit të lëndëve në Gjykata. Për këtë qëllim, ai ka propozuar disa masa, përfshirë rritjen e buxhetit për Akademinë e Drejtësisë.
“E para, me shtu buxhetin që është nën minimumin e BE-së sa i përket Akademisë së Drejtësisë, në mënyrë që të rritet numri i prokurorëve dhe gjyqtarëve”- u shpreh ai.
Për sa i përket burgjeve, Bytyqi ka paraqitur një plan për ndërtimin e fabrikave dhe punëtorive brenda burgjeve, për të angazhuar të burgosurit në aktivitete pune dhe për t’iu ofruar atyre mundësinë për të fituar një pagë.
“50% të burgosurve në burgun e sigurisë së lartë janë me terapi me diazepan, dhe angazhimi në veprimtari pune bën që ata të fitojnë një pagë mbi pagën minimale”- pretendoi ai, duke thënë se këto shifra i ka siguruar vetë si avokat.
Ky plan, sipas tij, ka për qëllim jo vetëm rehabilitimin e të burgosurve, por edhe kompensimin e viktimave të krimit.
“Parashohim një herë në muaj me i stimulu të burgosurit me lexu nga një libër, edhe me punëtor social me diskutu edhe me marrë benefite të qëndrimit në Skype nga dy orë ekstra në javë edhe një herë në 3 muaj 48 orë vikend…”- tha Bytyqi.
Një tjetër prioritet, sipas tij, është përmirësimi i kushteve të punës për gardianët e burgjeve. Ai ka premtuar që do të shtohet buxheti për këtë sektor dhe do të realizohen reforma në administratën dhe infrastrukturën e burgjeve, për të siguruar kushte më të mira për gardianët dhe të burgosurit.
Bytyqi theksoi se do të angazhohet për reforma të thella në institucionet e drejtësisë, duke siguruar që ata të drejtohen nga individë me integritet dhe pa u ndikuar nga grupet politike dhe ekonomike.
“Fokusi jonë politik do të jetë në reformimin e këtyre institucioneve (drejtësisë) duke vendosur në pozita njerëz me integritet, të cilët nuk i shërbejnë grupeve politike dhe ekonomike të caktuara”- shtoi ai.
Promovimi i vlerave fetare në shkolla
Kandidatja Xheneta Venhari, mësuese me profesion, ka paraqitur një program për zhvillimin e arsimit në Kosovë i cili prek thellë në mënyrën se si ka funksionuar sistemi deri më tani.
Ajo e sheh arsimin si shtyllë të zhvillimit gjithëpërfshirës të vendit dhe synon të sjellë reforma të rëndësishme për përmirësimin e cilësisë së edukimit, promovimin e vlerave fetare dhe kulturore, si dhe përkrahjen e familjeve për arsimimin e fëmijëve.
Venhari ka theksuar se një nga objektivat e saj kryesore është përmirësimi i cilësisë së arsimit në Kosovë, duke “promovuar vlera fetare dhe kulturore të shëndosha”.
Ajo ka propozuar masa ligjore për të parandaluar promovimin e ideve dhe qëndrimeve që lidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor që sipas saj janë në kundërshtim me identitetin biologjik.
“Do ta përmirësojmë cilësinë e arsimit përmes promovimit të vlerave fetare dhe të traditës së sistemit arsimor e kulturor”- tha ajo.
Në lidhje me këtë çështje që lë hapësirë për ndërhyrje në Kushtetutë dhe në ligje themeltare, Asdren Bytyqi dha anën e tij të juristit, duke thënë se kjo çështje zgjidhet duke ndërruar kurrikulat e shkollave e jo Kushtetutën dhe Ligjin për Arsimin.
“Kushtetuta e parasheh bazën e mosdiskriminimit të askujt mbi bazat e orientimit seksual, gjinisë etj. Mirëpo kjo ka të bëj me të drejtat kushtetuese të jetës, lirisë, punës etj”- beson ai.
Bytyqi ka përmendur se shpjegimi i pjesëve të trupit, bërja e lejueshme e dashurisë së homoseksualeve dhe martesa mes tyre në libra shkollorë, është një doktrinë ultra-liberale që është prezente në disa libra të arsimit fillor dhe se kjo, sipas tij, nuk është në përputhje me vlerat morale të shoqërisë kosovare.
“Sa i përket kësaj doktrine ultra-liberale që është prezente në disa prej librave duke filluar prej klasës së parë, dhe e cila për neve është kritike, sepse nuk është në përputhje me vlerat morale të shoqërisë”- thotë ai.
Sipas Bytyqit, ndryshimet që kërkohen janë në nivelin e kurrikulave dhe librave, dhe jo në ndryshimin e Ligjit për Arsimin.
“Nuk ka nevojë fare që të ndërrohet Ligji për Arsimin, sepse Ligji për Arsim i parasheh të gjitha të drejtat e qytetarëve, fëmijëve, që askush nuk ka të drejtë të diskriminohet nga e drejta e arsimit”- shtoi ai.
Ai ka theksuar gjithashtu se nuk ka nevojë për përfshirjen e temave të orientimit seksual në librat shkollorë, duke theksuar se ato nuk janë të nevojshme për fëmijët.
“Ne kur të jemi në Qeveri do t’i rishikojmë këta libra dhe ato do të jenë në përputhje me vlerat dhe traditat e këtij vendi”- tha Bytyqi.
Ai ka bërë një krahasim me shtetet e Bashkimit Evropian, si Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Bullgaria dhe Rumania, të cilat, siç thotë ai, kanë Kushtetuta të ngjashme me atë të Kosovës, por që nuk përfshijnë këto aspekte në kurrikulat e arsimit.
Bytyqi ka përfunduar duke theksuar: “Do t’i largojmë nga librat ngase konsideroj se nuk janë të nevojshme për fëmijët tanë”.
Ndërkaq, Xheneta Venhari ka theksuar se Koalicioni për Familjen do të angazhohet në zhvillimin e kurrikulave të reja për arsimin fillor dhe të mesëm, me fokus në edukimin patriotik dhe ndihmën për të rinjtë të kuptojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike.
Një tjetër pikë të programit që paraqiti Venhari është mbështetja për prindërit dhe fëmijët e moshës 1-6 vjeçare.
Ajo ka premtuar që do të sigurohet mundësia që çdo fëmijë të ketë qasje në çerdhe, duke shtuar se buxheti për këtë do të parashikohet dhe realizohet.
“Koalicioni për Familjen do të përkujdeset që çdo fëmijë që prej moshës 1-6 të kenë mundësi me i dërgu fëmijët nëpër çerdhe të ndryshme, dhe sigurisht që kemi paraparë edhe buxhetin për këtë.”
Gjithashtu, Venhari ka premtuar mbështetje për nënat që duan të kujdesen për fëmijët në shtëpi dhe ka propozuar që të ndahen mjete buxhetore për punën dhe kujdesin që ato bëjnë për fëmijët.
“Ndërsa për nënat që dëshirojnë që edukimin e fëmijëve ta zhvillojnë nëpër shtëpi, duke e ndaluar vetveten me punu për shkak të kujdesit ndaj fëmijëve, atëherë sigurisht që kemi paraparë të ndahen mjete buxhetore për punën dhe kujdesin që e bëjnë me fëmijët”- tha ajo.
Venhari ka paraqitur një plan për mësimin tërditorë, duke e nisur këtë program në tri faza. Faza e parë do të përfshijë klasat 1-5, ndërsa në dy vitet e para të qeverisjes do të përgatiten objektet e nevojshme për zhvillimin e këtij projekti. Ndërsa në vitin e tretë do të pilotohet projekti në disa zona të Kosovës, përderisa në vitin e katërt, sipas saj, do të përfshijë 50 përqind të vendit.
Një tjetër reformë që Venhari ka prezantuar është përmirësimi i kurrikulës dhe zbatimi i edukimit fetar në shkollat publike.
Ajo ka shpjeguar se e kanë në plan që edukimi fetar të realizohet me kujdes dhe sipas praktikave më të mira europiane, me fokus në përfshirjen e të drejtave të pakicave fetare.
“Do të zbatohen arsimi në edukimin fetar në shkollat publike që do të bëhet me kujdes dhe vëmendje të veçantë në bazë të praktikave më të mira europiane, veçanërisht në përfshirjen e të drejtës së pakicave fetare”- shtoi ajo.
Venhari është rreshtuar kundër testimit të mësimdhënësve me test klasik, por shtoi nevojën e e trajnimeve për mësimdhënës, duke theksuar se këto trajnime janë më të dobishme për zhvillimin profesional të tyre sesa testimet e detyrueshme.
“Nuk mendoj që ka nevojë për testime të tilla, përderisa ne e kryejmë një arsim Master e Doktor Shkence, pse duhet të jetë një testim i tillë i mësimdhënësve?” – tha mësimdhënësja.
Ministria e banimit
Arsim Gërxhaliu, kandidat i Koalicionit për Familjen dhe profesion arkitekt, ka shprehur mendimet e tij për rëndësinë e planifikimit hapësinor dhe ndërtimit, duke theksuar se këto janë pjesë integrale të programit të tij.
Gërxhaliu ka përmendur nevojën për një reformë të thellë në infrastrukturën ligjore të planifikimit hapësinor. Ai ka theksuar se reforma duhet të shtrihet në disa segmente, duke filluar nga riorganizimi i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës.
“Së pari duhet të bëhet riorganizimi i Ministrisë të Planifikimit Hapësinor, Mjedisit dhe Infrastrukturës. E dyta, Ligji i Planifikimit Hapësinor duhet t’i nënshtrohet reformës rrënjësore” – ka thënë ai, duke shtuar se edhe ligji i ndërtimit ka nevojë për përmirësime.
Ai gjithashtu ka përmendur rëndësinë e trajtimit të çështjeve të banimit, një fushë që është lënë pas dore në vitet e kaluara.
“Pjesa e banimit që ka qenë shumë pak e trajtuar në vitet e kaluara, do ta merr trajtimin adekuat”- tha ai.
Gërxhaliu ka propozuar ndarjen e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Mjedisit nga ajo e Infrastrukturës dhe shtimin e komponentës së banimit në këtë ministri.
Ai ka theksuar se ligji aktual i Planifikimit Hapësinor, i miratuar në vitin 2013, nuk ka mundur ende të japë rezultate dhe nuk është kompatibil me rrethanat lokale.
“Ai ligj nuk është kompatibil me rrethanat shoqërore dhe kontekstin lokal të vendit tonë.” Gërxhaliu ka kërkuar që të hartohet një ligj i ri në përputhje me kapacitetet ekonomike, shoqërore, politike dhe mjedisore të Kosovës.
Nëse i marrin votat e mjaftueshme për ta bërë Qeverinë, Gërxhaliu tha se do ta hartojnë Ligjin i ri për Planifikimin Hapësinor që është në përputhje me kapacitetet ekonomike, shoqërore, politike, mjedisore dhe resurset humane ekzistuese brenda institucioneve.
Në lidhje me ndërtimet ilegale, Gërxhaliu ka theksuar se plani i tyre nuk është të rrënohen objektet, por të krijohet një sistem i rregulluar dhe i kontrolluar për ndërtimin.
“Ne nuk nisemi prej asaj që duhet me u rrënu objektet dhe asnjë plan zhvillimor nuk parasheh rrënim por parasheh rregullim të masave për ndërtim”- tha ai.
Ai ka propozuar ngritjen e një Instituti të Tërmeteve dhe Inxhinierisë Sizmike, i cili do të jetë përgjegjës për kontrollin e sigurisë së ndërtimit. Ky institut, sipas Gërxhaliut, do të angazhojë 60-70 inxhinierë dhe do të centralizojë kontrollin e të gjitha kushteve të sigurisë të objekteve.
“Ndërtimi ilegal që ka ndodhur prej viteve 90 e këndej, i kemi parasysh edhe rrethanat emergjente në të cilat ka qenë shoqëria- një fazë emergjente për strehim, por pavarësisht asaj, grupet e fuqishme të interesit shumë kanë ndikim me këtë legjislacion aktual sesa me reformat që munden me ndodhë”- tha ai.
Premiume në shëndetësi
Bernard Tahirbegolli, kandidat i Koalicionit për Familjen e me profesion mjek ka shpalosur disa prej prioriteteve për përmirësimin e sektorit shëndetësor në Kosovë.
Ai ka theksuar se sistemi shëndetësor aktual është trashëguar nga periudha e administratës ndërkombëtare, duke u mbështetur ende në një model të lënë nga UNMIK-u.
“Kosova prej pasluftës e tutje e ka një sistem të financimit të shëndetësisë që e ka lënë UNMIK-u. Ende krejt sektorët kanë kaluar nëpër tranzicion, e shëndetësia është në të njëjtin model që ka fillu në ‘99-tën e po vazhdon tutje”- tha ai.
Tahiri ka paraqitur një plan për zgjerimin e mbulueshmërisë shëndetësore, përmirësimin e infrastrukturës dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
Ai ka përmendur gjithashtu disa projekte kyçe, si themelimin e Agjencisë për Akreditimin e Institucioneve Shëndetësore dhe Institutit të Ekselencës Klinike, si dhe digjitalizimin e shëndetësisë.
“Ne kemi planifikuar zgjerimin e mbulueshmërisë shëndetësore, përmirësimin e infrastrukturës të institucioneve, ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe rritjen e sigurisë së pacientëve”- tha ai në mënyrë të përgjithshme.
Tahiri gjithashtu ka theksuar rëndësinë e konkurrencës mes sektorit publik dhe privat. Ai ka propozuar fuqizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke rritur stafin dhe duke bërë kontrata me spitale.
“Shteti nuk duhet me qenë për dikë nënë e për dikë njerkë. Ne do ta fuqizojmë konkurrencën mes sektorit publik dhe privat, dhe kjo do të bëhet përmes kontratave nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore”- tha Tahirbegolli.
Sipas tij, aktualisht, Fondi është me një staf të vogël dhe vetëm me një shërbim – trajtimin jashtë vendit. Tahiri ka propozuar që ky Fond të rritet dhe të përfshijë kontrata për shërbime shëndetësore të tjera.
Një tjetër pikë është rishikimi i menaxhimit të sektorit shëndetësor dhe emërimi i drejtorëve.
Tahiri ka kundërshtuar përpjekjet e Qeverisë për të emëruar drejtorë në mënyrë politike, duke propozuar që ky proces të realizohet përmes një konkursi të hapur dhe të drejtë, të drejtuar nga komisionet dhe jo nga ministrat.
“Drejtori duhet mu emëru në bazë të një procesi konkurrues të drejtë që vendos komisioni e jo ministri”- tha ai.
Tahiri gjithashtu ka kritikuar ministrin aktual të Shëndetësisë, Arben Vitia, për vendimet që ai ka marrë gjatë pandemisë, duke i cilësuar si të papajtueshme me Kushtetutën.
Ai ka shprehur nevojën për një strategji shëndetësore që të kalojë përmes një procesi të miratimit në Kuvend, duke siguruar që të ketë një dialog politik përpara se të implementohet.
“Ministri aktual i Shëndetësisë (Arben Vitia) në kohë të pandemisë ka bërë vendime kundërkushtetuese. Ka bërë vendim për shëndetësinë sektorale të cilin e kisha shfuqizu të parin”- u përgjigj i kur u pyet se çka kishte zhvbë më së pari nëse bëhet ministër.
Në aspektin financiar, Tahiri ka planifikuar rritjen e buxhetit nga 3.8 përqind për shëndetësi deri në 5 përqind të GDP-së, që sipas projeksioneve të tij do të arrinte rreth 450 milionë euro.
Ai gjithashtu ka propozuar një sistem të premiumeve për qytetarët, që do të ndihmonte në mbulimin e shpenzimeve të shërbimeve shëndetësore.
Këto premiume, sipas tij, do të mundësojnë që qytetarët të mos kenë nevojë të paguajnë për çdo vizitë në institucionet shëndetësore, por do të mund të ribursohen për shërbimet.
“Në bazë të tyre premiumeve qytetarët mos me pas nevojë me pagu sa herë shkojnë në institucion shëndetësor, ose në barnatore, por me i pas të rimbursuara këto”- tha ai.
Gjithashtu, ai ka përmendur mundësinë e shndërrimit të Klinikës Emergjente që ka mbetur vetëm në tulla, në një Qendër Nacionale të Traumës, e cila mund të hyjë në funksion deri në vitin 2026.
“Objekti që është nisur për Klinikë Emergjente, mund të rikthehet me pak fonde në një Qendër Nacionale e Traumës. Kjo brenda vitit 2026 mund të hyjë në funksion si e tërë”- beson ai.
Çka për energjinë?
Kandidatja Myzejene Selmani me profesion inxhiniere, ka shpalosur disa nga prioritetet e saj për përmirësimin e sektorëve të energjisë dhe ekonomisë në Kosovë.
Ajo ka theksuar se një ndër fokuset kryesore të qeverisjes duhet të jetë orientohet te projektbuxheti dhe taksat e qytetarëve, që janë burimi kryesor i financave të shtetit.
“Pikësëpari duhet të orientohemi te projektbuxheti, te taksat e qytetarëve që e mbushin buxhetin e Kosovës”- pa thënë diçka specifike se çka kanë paraparë në programin e tyre.
Për të adresuar çështje e reduktimit të energjisë elektrike, ajo ka propozuar një fokusim më të madh te burimet e energjisë, përfshirë thëngjillin si burim kryesor në Kosovë, por edhe ato të ripërtëritshme.
Ajo gjithashtu ka theksuar rëndësinë e krijimit të kushteve ligjore për investitorët, duke siguruar që ligji të vlejë njësoj për të gjithë dhe të mbrojë investimet e huaja, duke eliminuar çdo mundësi për nepotizëm dhe korrupsion.
“Ne do të mundësojmë që në aspektin ligjor, investitorët të jenë të mbrojtur me ligj, që mos të ketë nepotizëm, që ligji të vlej njëjtë si për qytetarin, si për një deputet, si për një ministër e si për kryeministrin”- tha ajo.
Selmani ka bërë thirrje për rishikimin e buxhetit të vitit 2025, duke e quajtur atë një “fontanë dëshirash” dhe duke theksuar se Qeveria aktuale nuk ka bërë investime kapitale të mjaftueshme.
“Lugina e Silikonit”
Asdren Bytyqi ka theksuar se një nga prioritetet kryesore të tyre do të jetë zhvillimi i sektorit të teknologjisë.
Plani i tyre është të krijojnë një “Luginë të Teknologjisë Informative” – një hapësirë që do të jetë dedikuar avancimeve në teknologji dhe inovacion.
“Ne do të themelojmë një Luginë të Teknologjisë Informative apo e Silikonit që për katër vite të investojmë 300 milionë euro”- tha ai.
Në të njëjtën linjë, Bytyqi ka propozuar ndërtimin e një kampusi të gjerë për arsimin dhe shkencën, që do të përfshijë laboratore të robotikës. Ky fokus të vendoset në dy fusha kyçe: inteligjencën artificiale dhe energjinë e ripërtëritshme.
“Të themelojmë një kampus të gjerë të arsimit dhe të shkencës; të themelojmë laboratore të robotikës ku do të ketë fokus Inteligjenca Artificiale dhe energjia e ripërtëritshme”- tha ai.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.