Komuna e Fushë-Kosovës - Faqja Zyrtare

Fushë Kosovë, shpërfillet statuti i QKMF-së në emërimin e drejtorit

Edhe për katër vjet të tjera, në krye të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë drejtor do të jetë Osman Maxhera.

Zgjedhja e Maxherës që më herët e kishte mbajtur rolin e ushtruesit të detyrës, u bë përmes një konkursi kundërthënës që u hap më 29 maj të këtij viti.

Në një njoftim që Komuna e Fushë Kosovës e ka publikuar në ueb faqen e saj, thuhet se Maxhera ka fituar 97% të pikëve për pozitën e drejtorit të QKMF-së.

Ky njoftim për kandidatin e suksesshëm nuk përmban ndonjë nënshkrim, vulë apo që tregon se dokumenti është protokolluar.

Por, ky konkurs i brendshëm u hap kundër procedurave që parashihen për emërimin e Drejtorit të QKMF-së së Fushë Kosovës.

 

Në Statutin e Qendrës të Mjekësisë Familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë, neni 14, i cili flet për Procedurat për emërimin e Drejtorit parasheh që ai të zgjidhet me konkurs publik, e jo me konkurs të brendshëm, ashtu siç ka ndodhur.

“Drejtori i QKMF-së “Dr. Fatmir Krasniqi” zgjidhet në përputhje me Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës Nr. 03/L-149 me konkurs publik të shpallur nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”, thuhet në Statutin e QKMF-së së Fushë Kosovës.

Deklarata kundërthënëse kanë dhënë brenda Komunës së Fushë Kosovës në lidhje me shpalljen e këtij konkursi.

KALLXO.com ka kontaktuar Drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Fushë Kosovës, Jakup Dumani, por ai ka thënë se konkursi për Drejtorin e QKMF-së nuk ka shkuar përmes zyrës së tij.

Sipas Dumanit, gjithçka ka qenë sipas ligjit dhe në fund nënshkrimin për postin e drejtorit të QKMF-së e ka vendosur kryetari i Komunës së Fushë Kosovës, Burim Berisha.

“Zyra e Personelit (në komunë), e ka kryer krejt këtë procedurë. Nuk është shku përmes drejtoratit. Ai ka qenë konkurs i brendshëm, sipas zyrës së personelit, ata më thanë që e kemi pasur të planifikuar vendin e kemi bë kërkesën në Ministrinë e Administratës Publike, ia kanë kthy ata që kanë të drejtë me i bë ato sene dhe krejt këto kanë shkuar përmes zyrës së personelit dhe në fund vendimin e ka nënshkruar kryetari (i komunës), domethënë përmes drejtotarit nuk e kam pas unë”, ka deklaruar ai për KALLXO.com.

“Kryetari ka drejtë gjithçka, pra unë jam i emëruar nga ai. Unë po ju them, si drejtor nuk kam pasur, janë kryer përmes zyrës së personelit”, ka thënë Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Fushës Kosovës, Jakup Dumani.

Por njëjtë nuk kanë thënë nga Zyra e Personelit në Komunën që udhëhiqet nga Burim Berisha i LDK-së.

Valentina Kolshi – Nuredini, Udhëheqëse e Personelit në këtë komunë tha se pozita e Drejtorit të QKMF-së ka qenë kërkesë e pikërisht e Drejtorisë së Shëndetësisë.

“Pozita në fjalë ka qenë  kërkesë e Drejtorisë së Shëndetësisë, si e tillë  ka qenë e planifikuar  dhe  e mbështetur  me buxhete, aprovimi i saj është bërë nga ekzekutivi si dhe nga MAP”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Personelit nga Komuna e Fushë Kosovës.

“Procedurat më pas janë zhvilluar nga personeli në kuadër të Drejtorisë së Shëndetësisë  përkatësisht nga QKMF”, thuhet në fund të përgjigjes.

Zyra e Personelit ka shmangur pyetjen nga KALLXO.com për formën e hapjes së konkursit të brendshëm në vend të atij të publik, siç parashihet edhe me statut të QKMF-së.

E vetë drejtori i rizgjedhur i QKMF-së “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë Kosovë, Osman Maxhera, tha për KALLXO.com se nuk e dinë nëse janë shkelur procedurat e zgjedhjes së drejtorit të QKMF-së.

“Procedurat e konkursit i udhëheq komuna jo drejtori i QKMF-së kështu që besoj që ata i kanë pasur parasysh të gjitha, unë nuk e di”, ka deklaruar ai.

Maxhera, që për gjashtë muaj ishte edhe ushtrues i detyrës së drejtorit në QKMF-në e Fushë Kosovës tha tutje se nëse janë shkelur procedurat, konkursi duhet të përseritet.

“Mendoj që e kam kryer punën mirë, qashtu siç kam konkurruar herën e parë edhe këtë herë. Nuk besoj që janë shkelur procedurat, jo me vetëdije jo. Nëse janë shkelur proceduar, duhet me u përsëritë konkursi, gjithsesi. Unë jam për me u respektu ligji, s’ka tjetër”, ka deklaruar ai.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Administratës Publike për të marr konfirmimin nëse kjo ministri ka aprovuar hapjen e konkursit të brendshëm nga Komuna e Fushë Kosovës për zgjedhjen e drejtorit të QKMF-së, por nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.