llustrim

Furnizuesit me armë të UÇK-së kërkojnë statusin e të burgosurit politik

Ata që u burgosën për furnizimin me armë të rezistencës së Kosovës për një kryengritje të armatosur kur vendi ishte nën sundimin jugosllav, janë zemëruar sepse nuk kualifikohen për përfitime si ish të burgosur politikë.

 

Në qershor 1994, Atom Krasniqi përdori rrugë të ndryshme dytësore nga Tirana për të dërguar armë në Kosovë nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut.

Krasniqi ishte anëtar i një grupi studentësh shqiptarë të Kosovës, të përfshirë në përgatitjet për luftë në Kosovë, si pjesë e grupit gueril, i cili më vonë do të njihej si Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe do të luftonte kundër sundimit shtypës jugosllav.

“Në atë kohë, studioja në Tiranë. Në qershor, unë, vëllai im Halimi, Azem Syla (i cili do të bëhej një komandant i UÇK-së në vitin 1999) vendosëm të dërgonim disa armë në Kosovë”, tha Krasniqi për BIRN.

“Bëmë një plan që në fillim të ndalonim në Zajaz (një fshat në Maqedoninë e Veriut të ditëve të sotme) në shtëpinë e Ali Ahmetit, i cili tani është kryetari i partisë Bashkimi Demokratik i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Një ditë më pas, u nisëm për në Kosovë”, tha ai.

Krasniqi, atëherë 25 vjeç, dhe vëllai i tij i madh u ndaluan dhe u arrestuan nga policia. Tre muaj më vonë, një gjykatë në Shkup i dënoi ata me tre vjet e gjysmë burg.

Në vitin 2015, Krasniqi aplikoi për statusin e të burgosurit politik sipas një skeme përfitimesh që qeveria e Kosovës u ofron atyre që kaluan më shumë se dy muaj në burg me akuza politike midis vitit 1913 dhe 1999.

Krasniqi tha se ai përjetoi tortura dhe madje një përpjekje për ta vrarë atë në burg.

“E gjithë Kosova e njeh çështjen time dhe nuk ka nevojë për prova të tjera. Armët ( që ai u përpoq të sillte në Kosovë) synoheshin për në luftë”, tha ai.

Por atij, si shumë të tjerëve, iu refuzua kërkesa nga autoritetet sepse ligji që rregullon statusin e të burgosurve politikë nuk përfshin ata që janë dënuar për armëmbajtje pa leje dhe trafikim armësh për shkak të çlirimit të Kosovës nga kontrolli i Beogradit.

Më shumë të burgosur politikë sesa pritej

Atom Krasniqi

Në vitin 2010, Kuvendi i Kosovës miratoi një ligj që përcakton të drejtat e njerëzve që janë dënuar dhe persekutuar për arsye politike. Katër vjet më vonë, qeveria themeloi një komision për të verifikuar statusin e ish të burgosurve politikë.

Në vitin 2014, komisioni qeveritar tha se priste të përballej me rreth 5,000 njerëz. Por, deri më tani, për këtë status kanë aplikuar 12,670 persona.

Që nga viti 2014, më shumë se 2,840 njerëz janë verifikuar si ish të burgosur politikë dhe janë shpenzuar gjithsej 49 milionë euro për t’i kompensuar ata.

Sekretari i Komisionit për Verifikimin dhe Njohjen e Statusit të Ish të Burgosurve Politikë, Shefik Sadiku, tha për BIRN se ligji ka shumë boshllëqe, siç është edhe rasti i atyre që u burgosën për transportimin e armëve për UÇK-në.

“Ne mund të kemi diskriminuar ndonjë, por nuk është faji ynë. Nuk e bëmë ne këtë ligj”, tha Sadiku, i cili është edhe vetë një ish i burgosur politik.

Sadiku shpjegoi se raste si ai i Krasniqit e shtynë komisionin të kërkojë nga zyra e kryeministrit një interpretim ligjor të legjislacionit. Por, deri më tani, nuk ka marrë asnjë përgjigje.

“Ligji nuk përfshin kompensim për ata që janë të dënuar për posedim dhe transport armësh. Ligji ka shumë mangësi dhe është e vështirë të punosh me këtë ligj për shkak të këtyre mangësive”, tha Sadiku.

Sipas ligjit, çdo person që ka vuajtur dënimin më shumë se dy muaj burg ka të drejtë të përfitojë 16.70 euro për çdo ditë të kaluar pas hekurave.

Aktualisht, sipas komisionit, shumica e atyre që po kompensohen u burgosën gjatë periudhës 1990-1995 dhe ka shqetësime se do të duhen disa vite për të përfunduar të gjithë procesin sepse 4,000 persona të tjerë kanë bërë kërkesë për kompensim vetëm për periudhën 1998-1999.

Komisioni gjithashtu ka filluar të kompensojë familjet e të burgosurve politikë nga periudha e viteve 1940-1960, gjë e cila do të kushtojë më shumë se 30 milionë euro në pagesa.

Familjarët e të burgosurve nga periudha e hershme e viteve 1913-1940 nuk marrin asnjë kompensim, sepse ligji njeh vetëm të burgosurin dhe bashkëshortin/bashkëshorten e tij/saj si përfitues.

Furnizuesit me armë u torturuan në burg

Ahmet Sijariq

Një tjetër ish i burgosur politik, Ahmet Sijariq nga qyteti i Pejës  gjithashtu nuk është në listën e kompensimit.

Në qershor 1994, Sijariq dhe tetë persona të tjerë sollën një kamion plot armë në Kosovë. Ai thotë se armët vinin nga mbështetës në një shoqatë shqiptaro-boshnjake dhe Ministria e Mbrojtjes ë Bosnjës për të furnizuar lëvizjen që po përgatitej për rezistencën e armatosur në Kosovë.

Kjo ishte periudha në të cilën regjimi i Sllobodan Millosheviqit rriti shtypjen e tij ndaj 1.8 milionë shqiptarëve etnikë që jetonin në Kosovë. “Autoritetet serbe kanë përdorur dhunën policore, torturat dhe gjyqet politike për të shtypur shqiptarët etnikë dhe për të inkurajuar emigrimin e tyre nga rajoni”, thuhet në një raport nga Human Rights Watch në vitin 1996.

Sijariq u arrestua së bashku me shumicën e grupit të tij dhe u dënua me pesë vjet e gjashtë muaj burg për trafik armësh, edhe pse ai kreu vetëm dy vjet.

Tani 59 vjeç, Sijariq është një ish-ushtar i shkolluar në Beograd. Ai këmbënguli se armët ishin siguruar për të luftuar një luftë, jo për përfitime personale, dhe se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht.

Ai citoi vendimin e gjykatës që ai tha se citon qartë se “armët u sollën në Kosovë për një kryengritje”.

“Armët ishin pjesë e një kontingjenti që u soll nga Hungaria për luftën në Bosnje dhe Kosovë”, shtoi ai.

Ai tha se ishte torturuar vazhdimisht gjatë kohës që ishte në burg. “Një prej anëtarëve të grupit vdiq më vonë nga torturat në burg”, tha ai.

Sijariq, i cili është gjithashtu një veteran lufte i UÇK-së, pretendoi se dikush nga komisioni qeveritar për të verifikuar statusin e ish të burgosurve politikë i kërkoi atij që të paguante në mënyrë që të aprovohej kërkesa e tij për statusin e të burgosurit politik.

“Më kërkuan të jepja 10 për qind të shumë prej 12.600 eurosh që më takojnë”, pohoi ai.

Ai pretendoi se po abuzohej me sistemin. “Kam parë njerëz të dënuar për krime të zakonshme që kanë marrë statusin e të burgosurit politik”, tha ai.

Por Sadiku mohoi të ketë abuzime të tilla dhe tha se të gjithë aplikantët kanë të drejtë të ankohen, edhe në gjykata, nëse është e nevojshme.

Ai përmendi rastin e Jahja Llukës nga Peja, i cili gjithashtu u dënua nga një gjykatë serbe për transportim të armëve në Kosovë. Lluka tani është këshilltar i kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, por aplikimi i tij për statusin e të burgosurit politik gjithashtu u refuzua nga komisioni.

Sadiku tha se dyshon që aplikantët të jenë duke u diskriminuar në baza politike, nëse dikush që ka lidhje politike aq të larta sa Haradinaj mund të refuzohet.

Ndërkohë, zyra e Haradinajt nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një koment mbi faktin se komisioni ka proceduar vetëm pesë raste në vitin 2019. Por Lluka tha për BIRN se e qeveria ka zgjatur mandatin e komisionit.

Çdo vit, qeveria ndan pesë milionë euro për kompensimin e ish të burgosurve politikë.

Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se pagesa e kompensimeve për ish të burgosurit politikë, veteranët e luftës dhe njerëzit që kanë punuar në sistemin paralel arsimor të Kosovës të viteve 1990 janë shndërruar në një barrë tepër të rëndë për buxhetin e varfër të vendit.

FMN i ka kërkuar vazhdimisht Kosovës që të tregojë kujdes për skema të tilla për shkak të kostos së tyre të lartë.

Megjithatë, Ahmet Sijariç është i bindur se njerëzit që furnizuan me armë luftën e armatosur të shqiptarëve të Kosovës duhet të kenë të drejtë kompensimi sepse ata ishin vërtet të burgosur politikë.

“Nëse jo të burgosur politikë, çfarë mund të kemi qenë tjetër ne?” pyeti ai.