Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët, shtimi i njohjeve dhe anëtarësimet: Zotimet e PDK-së për politikën e jashtme

Rinegociimi i Marrëveshjes së Ohrit, fuqizimi i marrëdhënieve me aleatët, shtimi i njohjeve të reja dhe iniciativa për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, janë disa nga premtimet e PDK-së për politikën e jashtme.

Kandidatet për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu- Shoshi dhe Blerta Deliu- Kodra, kanë kritikuar Qeverinë Kurti për mënyrën se si e ka trajtuar politikën e jashtme në katër vitet e fundit nën drejtimin e ministres së Jashtme, Donika Gërvalla- Schwarz.

Ato premtuan se me “PDK-në në krye të Qeverisë” do të ndryshojë qasja në këtë sferë, përmes angazhimit në sigurimin e njohjeve të reja dhe në anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare.

Qëndrim i PDK-së është që mos ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit, por ta rinegociojnë atë dhe të mos pranojnë kurrfarë drafti për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe pa u siguruar se gjithçka është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Ato janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë me administratën e re amerikane, por kanë treguar se brenda partisë i kanë diskutuar disa pika të Marrëveshjes së Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, në mandatin e parë të presidentit Donald Trump, më 2020.

Në pjesën e fundit të “DebatPërnime”, më 28.01.2025, u diskutua për investimet në rajonin e Anamoravës, gjatë të cilit, kandidati për deputet, Granit Berisha theksoi se PDK ka planifikuar ndërtimin e një parku të biznesit afër pikës kufitare me Serbinë.

Rruga e Dialogut Kosovë- Serbi

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu Shoshi, ka theksuar se një nga dëmet më të mëdha që i është bërë Kosovës në kuadër të dialogut me Serbinë është pikërisht Marrëveshja e Ohrit.

E gjitha çka tha përkitazi me çështjet që lidhen me Dialogun Kosovë- Serbi, ishte se do të “rinegociojnë”.

Ajo ka shpjeguar se ky shqetësim është ngritur nga PDK-ja në Kuvendin e Kosovës dhe në Komisionin për Punë të Jashtme, duke u shprehur se, “kemi kërkuar llogari edhe në Komision për Punë të Jashtme, por marr parasysh që PDK-ja ka pasur vetëm 18 deputetë, e kemi pasur të pamundur që të kemi një fuqi më të madhe legjislative që të kundërshtojmë.”

Musliu-Shoshi ka theksuar se Marrëveshja e Ohrit ka prekur interesin kombëtar të Kosovës, pasi aty flitet për “Rezolutën 1244”, ndërsa ka shtuar se “njohja e ndërsjellë nuk është në asnjë nen.”

Ajo ka theksuar se disa aspekte të kësaj marrëveshjeje, si “vetëmenaxhimi dhe vetëfinancimi” duke pasur fjalën për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, janë të papranueshme për PDK-në, përfshirë edhe pikën për Gjykatën e Arbitrazhit.

Kandidatja e PDK-së Ariana Musliu-Shoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Nuk ka marrëveshje që nuk është rinegoicuar. Edhe kjo marrëveshje që ka ardhur nga Albin Kurti mund të negociohet. Pra është mundësi të rinegociohet nëse është një Qeveri e re. Kjo është ajo çfarë ne do të bëjmë”- tha ajo, kur u pyet se çka do të bëj PDK nëse BE kërkon që kjo Marrëveshje të zbatohet si kusht për t’u anëtarësuar në BE.

“Kështu si e tillë që është, kemi deklaruar edhe më herët, po e them edhe sot, që nuk e zbatojmë”- tha ajo.

Musliu- Shoshi ka theksuar se në momentin që PDK-ja i ka kundërshtuar disa pika të marrëveshjes, “do të thotë që ne tërhiqemi nga ato nene dhe nuk i zbatojmë.”

Në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ajo ka theksuar se Asociacioni në asnjë mënyrë nuk është i pranueshëm nëse brenda tij ka kompetenca ekzekutive, sepse sipas saj është i dëmshëm për Kosovën.

“Po kërkon përgjigje ‘Po’ ose ‘Jo’ nga unë. Por këtë përgjigje nuk e kam, sepse në momentin që Bedri Hamza fiton, do të kemi një rinegociim me palën e BE-së, do të jemi në koordinim me aleatët tanë ndërkombëtarë, do të kemi koordinim të ngushtë me SHBA-në, dhe pastaj të vijmë në konkluzionin se si të veprojmë”- tha ajo kur u pyet nëse Bashkimi Europian kërkon që të hiqen Njësitet Speciale nga veriu.

Më 18.03. 2023, Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. Palët nuk e nënshkruan marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është marrëveshje e obligueshme për palët. Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë. Megjithatë, dokumenti kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

A e ka në plan PDK-ja zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit?

Ariana Musliu-Shoshi, ka folur për Marrëveshjen e Uashingtonit dhe ka theksuar që PDK-ja e ka diskutuar atë dhe ka vlerësuar se “asnjëherë marrëveshjet që vijnë nga SHBA nuk i kanë sjellë dëm Republikës së Kosovës.”

Me ardhjen e Trumpit në pushtet nëse shtrohet nevoja për zbatim të kësaj Marrëveshjeje do ta zbatonte PDK-ja, ajo ka shtuar se megjithatë, ka disa pika të Marrëveshjes që janë diskutuar brenda partisë.

“Kjo nuk është një Marrëveshje e cila është marrëveshje që me qeverisjen e re automatikisht kërkohet të zbatohet,” ka theksuar Musliu Shoshi, duke shpjeguar se prioritetet e politikës së jashtme të SHBA-së me ardhjen e presidentit Donald Trump kanë ndryshuar dhe se “politika në rajon dhe më gjerë ka ndryshuar.”

Ish- kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën në shtator të vitit 2020 një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit të asaj kohe të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

Sipas saj, në këtë situatë, Kosova do të ketë “negociim dhe bashkëpunim të ngushtë” me SHBA-në.

“Me një bashkëpunim të ngushtë që do të kemi me administratën Trump patjetër që do të shohim se çfarë do të bëjmë”- tha ajo kur u pyet për mundësinë përfshirjes së Liqenit të Ujmanit në tavolinën e Brukselit.

E pyetur në të njëjtin kontekst edhe për Trepçën, ajo ka deklaruar se kjo çështje është pjesë e një grupi që merret me programin ekonomik dhe nuk e kanë diskutuar në kuadër të politikës së jashtme “nëse Trepça mund të bëhet pjesë e Dialogut”.

Kandidatja e PDK-së Blerta Deliu- Kodra. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Megjithatë, ajo ka shtuar se “nëse ne si grup e shohim që Trepça do të jetë temë e diskutimit, atëherë do të kemi vendime konkrete dhe të sakta.” Për momentin, ka pohuar ajo, nuk është diskutuar ende. Njëjtë u përgjigj edhe në lidhje me Brezovicën.

“Në Republikën e Kosovës asnjë pëllëmbë asnjëherë nuk do të diskutohet me Republikën e Serbisë”- tha ajo.

Më 18.03.2023 ishte arritur Marrëveshja e Ohrit, që është aneksi i Marrëveshjes bazë të datës 27.02.2023 e nënshkruar në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja e Ohrit përmban afatet e zbatimit të Marrëveshjes bazë, e njohur si ‘Plani Franko-Gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohjet, anëtarësimet dhe menaxhimi i Ministrisë së Jashtme

Ariana Musliu- Shoshi, ka theksuar se ka pasur një mungesë të theksuar të përpjekjeve për realizimin e disa ligjeve të rëndësishme që kanë të bëjnë me politikën e jashtme në Qeverinë e Kosovës.

Ajo ka deklaruar se plot shtatë herë nga viti 2021 deri në vitin 2024, katër ligje që ishin premtuar nga Qeveria Kurti janë shtyrë apo nuk kanë qenë pjesë e programit legjislativ.

“Është Ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme që është jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Shërbimin e Jashtëm, jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Diasporën; Ligji për Shërbimin e Jashtëm ka pasur nevojë për riamandamentime…”- ka thënë Musliu- Shoshi.

Ajo ka shtuar se ka pasur nevojë për ndryshime të përmbajtjes së ligjit, duke theksuar se kjo nevojë është rritur pasi Ministria e Punëve të Jashtme “funksionon me një Rregullore e cila nuk është në përputhje me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm.”

Musliu-Shoshi ka kritikuar edhe mungesën e transparencës në punën e Qeverisë, duke theksuar se në komision parlamentar nuk ka pasur “raportime të rregullta të ministres Donika Gërvalla- Schwarz ashtu siç e parasheh Ligji, e as të zëvdendëskryeministrit, Besnik Bislimi, që ka qenë përgjegjës për Dialogun.

Ajo pretendon se Kosova është në një pikë që nuk ka asnjë aleat, nuk asnjë njohje dhe asnjë anëtarësim.

“Pavarësisht se ne si PDK kemi lobuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që Kosova të jetë anëtare e këtij Këshilli, përveç mundit të madh që kemi pasur si jashtë e si brenda kësaj Asambleje, ne kemi ardhur në pikën që kemi dështuar si shtet”, ka deklaruar Musliu- Shoshi.

Ajo shtoi se ky dështim ka ardhur pasi “tre krerët e shtetit (Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Donika Gërvalla) që janë përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme, kanë refuzuar që të kenë partneritet dhe aleanca me shtetet mike të cilat na kanë ndihmuar në vazhdimësi në këtë proces.”

Ajo përmendi shtetet që kanë qenë mbështetëse të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Musliu- Shoshi ka kritikuar gjithashtu mungesën e iniciativave për anëtarësime ndërkombëtare, duke theksuar se Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë nismë për t’u anëtarësuar në organizata të rëndësishme si INTERPOL dhe të tjera.

“Kemi një politikë të jashtme që është totalisht dështim” – ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se PDK-ja ka një plan të qartë për të ardhmen, duke përmendur si prioritet koordinimin me aleatët ndërkombëtarë për të siguruar që Kosovës t’i largohen sanksionet.

“Pastaj e kemi zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë me shtetet në rajon, por edhe me shtetet aleate siç janë SHBA dhe ato të BE-së”-  ka thënë Musliu Shoshi.

Ajo ka përmendur si të rëndësishme edhe njohjet nga pesë shtetet e BE-së që ende nuk kanë njohur Kosovën, duke shtuar se në planin e PDK-së është edhe njohja nga shtetet në Azinë dhe Amerikën, por edhe më gjerë, pasi që për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara, Kosova ka nevojë për mbështetje nga shumë shtete.

Musliu Shoshi ka theksuar se politika e jashtme e Qeverisë aktuale ka dështuar të trajtojë çështjet e njohjeve dhe anëtarësimeve.

Drejt zgjedhjeve të reja vendi po shkon pa marrë ulëse në Këshillin e Europës – organizatë për të drejtat e njeriut kjo, që ishte ndër temat më të debatuara në rrafshin e anëtarësimeve, por që mbeti në një farë heshtje të pashpjegueshme. Përafërt, Kosova nuk arriti të sigurojë njohje të reja, as nga pesëshja e BE-së: Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia dhe Qipro. Katër të parat janë edhe anëtare të NATO-s.

Kandidatja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka shprehur shqetësime lidhur me marrëdhëniet e Kosovës me aleatët ndërkombëtarë.

Ajo thekson se raportet ndërkombëtare të viteve të fundit kanë shpërfaqur një rënie të madhe të Kosovës në renditjet ndërkombëtare, përfshirë Transparency International.

Sipas Deliu-Kodrës, Kosova ka humbur pozita të rëndësishme dhe niveli i forcimit të shtetit në arenën ndërkombëtare “është shumë më i ulët se më parë”.

Një nga çështjet kryesore që ajo thekson është funksionimi i ambasadave të Kosovës, veçanërisht ato në SHBA dhe Bruksel, që janë “me staf minimal dhe kapacitete të kufizuara”.

Deliu-Kodra shprehet se, për fat të keq, këto ambasada që do duhej të ishin “pikë kyçe për fuqizimin e Kosovës”, janë të paafta të kontribuojnë në forcimin e shtetit, duke përmendur se ambasadorët shpesh deklarojnë se kanë “minimumin e kapaciteteve për të punuar dhe për të fuqizuar më shumë Kosovën”.

Deliu-Kodra kritikoi qeverisjen e tanishme edhe për mungesën e bashkëpunimit dhe vizitave të rëndësishme me partnerët ndërkombëtarë.

Ajo vuri në dukje se Kosova nuk ka pasur asnjë vizitë të rëndësishme në Shtëpinë e Bardhë gjatë mandatit të kryeministrit Albin Kurti, për sa kohë që janë të rralla vizitat dhe shkëmbimet me institucione kyçe të SHBA-së, “duke minuar mundësinë për të koordinuar të ardhmen tonë euroatlantike.”

Në lidhje me procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian, Deliu-Kodra është e shqetësuar për të ardhmen e këtij procesi.

Ajo thekson se në takimet e fundit me partnerët e BE-së, Kosova ka marrë “vërejtje të rënda se po humb mundësinë e saj për t’u integruar në Bashkimin Europian.”

Në lidhje me ambasadorin në Kroaci, Martin Berishaj, Deliu-Kodra tha se nuk ka ndodhur asnjëherë prej kur ajo është në politikë që një diplomat në një shtet kredibil ta vazhdoj mandatin e tij përkundër aferave të shumta korruptive.

“Dhe, nuk ka ndodhur as edhe një herë që një kryeministër, një qeveri e tërë t’i dal në mbrojtje një njeriu i cili i ka bërë vetëm dëm demokracisë”- tha ajo.

Deliu- Kodra tha se Partia Demokratike e Kosovës, ose kryeministri i ardhshëm, Bedri Hamza nuk do të lejojnë asnjëherë që në institucione të ketë persona që janë të përfshirë në afera të tilla korruptive dhe që kanë dëmtuar kredibilitetin e Kosovës.

Më 29.03.2024, ambasadori Martin Berishaj ka përfunduar intervistimin e tij në Prokurorinë Speciale pas disa orë qëndrim brenda. Berishaj po dyshohet për 3 vepra të ndryshme penale. Berishaj bëri jehonë në vitin 2022, kur u përfol në mediat sllovene nën dyshimin se ka transferuar rreth 600 mijë euro te një kompani private në Mal të Zi.

Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Kurse për kontratën e konsulencës me Gani Jakupin, Deliu- Kodra tha se PDK-ja qysh në fillim të mandatit do t’i shfuqizoj të gjitha kontratat të cilat e kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN Kosova përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka arritur të sigurojë kontratën e Gani Jakupit e cila është lidhur për periudhën qershor 2023 – qershor 2024.BIRN-it i është ofruar qasje në këtë kontratë pas betejës me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi që të ketë qasje në dokument.

Sipas dokumentit, çmimi i tërësishëm i kësaj kontrate është 90 mijë euro bruto dhe paguhet në 12 këste të barabarta nga 7 mijë e 500 euro.

Anëtarët opozitarë në Komisionin parlamentar hetimor për punësimet në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, më 15.11.2024, kanë dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, dosjen e punës hetimore disamuajshe.

Edhe pse është themeluar qysh në mars të vitit 2024, Komisioni  hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk kishin arritur të gjejnë zgjidhje për mënyrën se si të vazhdojnë punën tutje.

Planet për Anamoravën

Granit Berisha, kandidat për deputet nga PDK-ja, vlerëson se Qeveria ka dështuar me investimet dhe projektet për Anamoravën.

Berisha, ka kritikuar qeverinë për dështimin në realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore në rajonin e Anamoravës, duke përmendur se shumë projekte janë nisur, por nuk janë përfunduar, dhe disa nuk janë nisur fare.

Ai ka theksuar se një nga projektet më të rëndësishme që ka mbetur pas është autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë.

Ai ka shpjeguar se segmenti që lidh Lipjanin me Bresalcin e Gjilanit, i kontraktuar në vitin 2019, ende nuk ka përfunduar, përkundër premtimeve se do të përfundonte vitin e kaluar

Kandidati e PDK-së Granit Berisha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Njëra nga ato [projekte] është autostrada Gjilan-Dheu i Bardhë. Segmenti i kontraktuar ka qenë prej Lipjanit deri në fshatin Bresalc të Gjilanit, mirëpo punimet aty nuk janë as afër që të përfundohen përkundër faktit që është premtuar se ky projekt do të përfundojë gjatë vitit të kaluar”-  tha Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se qeveria ka vonuar dhe nuk ka përfunduar projekte të tjera, duke përmendur stadiumin e Gjilanit dhe shtratin e lumit në qytetin e Kamenicës.

“Ka edhe projekte që janë premtuar por që nuk janë përfunduar, e disa nuk janë nisur fare nga kjo qeveri. Një nga to është stadiumi i Gjilanit që ka qenë premtim si investim kapital por nuk ka ndodhur”- u shpreh ai.

Berisha theksoi gjithashtu se një prioritet i tyre do të jetë përfundimi i autostradës dhe ndërtimi i segmentit të dytë të saj, që lidh Bresalcin deri te Dheu i Bardhë.

Një tjetër projekt që Berisha vuri në dukje është ndërtimi i një parku të biznesit afër pikës kufitare te Dheu i Bardhë, për të “tërhequr investime dhe zhvilluar sektorin e prodhimit në këtë rajon”.

“Ndërtimi i një parku të biznesit afër pikës kufitare për shkak të korridorit të Dheut [të Bardhë] dhe lidhjes me Europën, unë mendoj që ka me qenë me shumë interes për kompanitë prodhuese që t’i ndërtojnë fabrikat atje dhe të bëjnë eksportimin e shumë mallrave që mund të prodhohen atje”- tha ai.

Në fund, Berisha theksoi se qeverisjet lokale të Kamenicës dhe të Gjilanit kanë pasur mbështetje më të madhe nga qeveria krahas komunave të tjera, por këto mundësi nuk janë kapitalizuar siç duhet.

“Mundësitë që i kanë pasur qeverisjet lokale të Kamenicës dhe të Gjilanit, dhe mbështetja që e kanë pasur nga Qeveria ka qenë më e lartë se në komunat e tjera, siç janë Lipjani ose Ferizaj, mirëpo nuk ka ndodhur një kapitalizim i investimeve infrastrukturore apo investimeve tjera kapitale”- përfundoi ai.

Përvoja e PDK-së në qeverisje

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si Kryetar i Kuvendit, Vjosa si Presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.