Funksionimi i gjyqësorit në kohë pandemie

Për herë të parë që nga shpallja e Kosovës shtet, sistemi gjyqësor i vendit po sfidohet nga gjendja emergjente e shkaktuar nga pandemia e coronavirusit. Kjo pandemi, që deri më tani ka shkaktuar mbi 100 mijë të vdekur në të gjithë botën, ka paralizuar edhe funksionimin e vendit tonë, rrjedhimisht ka kushtëzuar edhe funksionimin e sistemit gjyqësor.

Të dhënat nga terreni tregojnë që Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë veprime për të përshtatur punën e gjykatave në gjendje të pandemisë. Gjykatat  janë duke punuar me staf të reduktuar e duke trajtuar vetëm rastet urgjente dhe me prioritet, ndërsa evidentohet mungesa e pajisjeve mbrojtëse, si maska dhe doreza për stafin, ndërsa vetëm disa gjykata thonë që kanë kryer dezinfektimin e objekteve.

Dy rastet e para të pandemisë u shfaqën në Kosovë më 13 mars, ndërsa deri më sot janë 250 raste, prej të cilave 7 kanë përfunduar me vdekje.

Duke parë rrezikun e përhapjes së shpejtë të këtij virusi dhe duke pasur parasysh edhe udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKShP), Këshilli Gjyqësor i Kosovës më 12 mars, para se të shfaqej rasti i parë në Kosovë, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, ku u nxor vendim me të cilin përjashtohej prania e publikut në gjykime, i mundësohej njërit prind kujdesi ndaj fëmijës duke e arsyetuar mungesën në punë ndërsa u vendos që këto masa të vlejnë fillimisht deri më 27 mars 2019.

Të nesërmen e këtij vendimi, IKShP konfirmoi dy rastet e para me COVID -19 në Kosovë ndërsa dy ditë më pas, më 15 mars, KGjK nxori një vendim tjetër ku ndërmori një sërë masash kufizuese me qëllim të pengimit të pandemisë.

Masat e reja të ndërmarra nga KGjK parashihnin reduktimin esencial të punës së KGjK-së dhe gjykatave të Kosovës, obligonin kryetarët e gjykatave që të caktojnë stafin e nevojshëm për të kujdestaruar në rastet urgjente ndërsa si raste urgjente u cilësuan rastet për caktimin apo vazhdimin e masave të sigurisë, rastet e dhunës në familje dhe rastet e tjera eventuale që mund të paraqiten.

Po me këtë vendim të KGjK-së u udhëzua edhe reduktimi esencial i stafit në Sekretariatin e KGjK-së ndërsa u udhëzua edhe që në të gjitha rastet që është e mundur, të punësuarit e sistemit gjyqësor të bëjnë punën e tyre nga shtëpitë e tyre apo vendet ku ata banojnë përmes mundësive elektronike, ndërsa kohëzgjatja e vendimit u caktua deri me një datë tjetër.

Krahas vendimeve të marra nga KGjK, kryesuesi Skender Çoçaj për KALLXO.com tregon se si po zbatohen këto vendime në praktikë, ndërsa tregon edhe për masat tjera shtesë për parandalim të pandemisë.

“Puna me palë nuk është duke u kryer, por vetëm në rastet urgjente. Tash jemi duke u marrë me dezinfektimin e objekteve. Disa gjykata janë kryer e disa të tjera janë në proces e sipër sepse një herë patëm probleme me kompanitë,  p.sh. në Prizren, Gjykatën Themelore e ka dezinfektuar vetë Komuna e Prizrenit, në Ferizaj vetë Gjykata e ka kontraktuar një kompani e cila ka dezinfektuar, tash edhe gjykatat e tjera do t’i dezinfektojmë”, tha kryesuesi Skender Çoçaj.

Lidhur me publikimin e aktgjykimeve, kryesuesi Skender Çoçaj thotë se gjyqtarët dhe stafi veçse janë udhëzuar se mund të publikojnë edhe nga shtëpitë e tyre nëse kanë aktgjykime për të publikuar.

Po ashtu, kryesuesi Skender Çoçaj tregon se është duke u bërë përpjekje për të siguruar maska dhe doreza mbrojtëse si mjete esenciale për t’u mbrojtur nga COVID-19.

“Me punën e maskave dhe dezinfektuesve jemi marrë dje për shkak se problemi i dorezave nuk është shumë problem. Më shumë është problemi i maskave. Jemi duke bërë përpjekje të sigurojmë edhe maska por duke pasur parasysh se volumi i punëve është minimal, nëpër gjykata nuk ka ndoshta aq shumë problem por duhet t’u sigurojmë bile atyre gjyqtarëve çka janë te referentët e pranimit”, tha kryesuesi Skender Çoçaj.

Në bashkërendim me masat e marra nga KGjK, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, për KALLXO.com tregon se Gjykata Supreme e ka reduktuar stafin dhe po ashtu edhe orarin e punës teksa janë duke punuar me kujdestari.

Peci, thotë se gjyqtarët dhe stafi i Supremes nuk kanë pranuar ndonjë mjet mbrojtës nga KGjK, mirëpo me paratë e tyre kanë siguruar mjete mbrojtëse.

“Ne kemi blerë dezinfektues me mjete tona. Për fat të keq doreza nuk kemi mundur të sigurojmë ndërsa  dje(18 mars), sa jam i informuar, është bërë dezinfektimi i lokalit”, tha kryetari Peci.

Peci tha se gjyqtarët e Supremes i kanë marrë disa lëndë për t’i punuar nga shtëpitë e tyre, ndërsa nuk kanë paraparë ende publikimin e aktgjykimeve në këtë situatë.

Situatën emergjente dhe punën me vetëm me raste emergjente e konfirmon edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala.

Shala tha se në këtë Gjykatë është bërë dezinfektimi i objektit ndërsa nuk kanë pranuar ndonjë pajisje si maskat apo dorezat që shërbejnë si mjete mbrojtëse, përkundër që kanë kërkuar për t’i blerë ato.

“Dezinfektimi, siç e quajnë, është bërë (18 mars),. Në Gjykatë i kanë  sjellë disa medikamente  që janë për t’i dezinfektuar duart, mirëpo nuk kemi pasur mundësi t’i sigurojmë maskat edhe dorezat për shkak se është mungesë e madhe për to. Mirëpo unë i kam thënë që “le t’i blejnë ato, Gjykata i paguan”, tha Shala për KALLXO.com.

Shala tha se i ka udhëzuar dhe njoftuar punëtorët se do t’ua mbulojë me shpenzime të gjykatës nëse arrijnë t’i gjejnë individualisht maskat ose dorezat por nuk kanë arritur t’i gjejnë.

Në lidhje me publikimin e aktgjykimeve, Shala është i bindur se do të ketë reduktim të ndjeshëm të numrit të aktgjykimeve të publikuara, mirëpo thotë se disa gjyqtarë që mund të kryejnë sidomos lëndë civile nga shtëpia, mund t’i publikojnë ato  gjatë kësaj kohe kur punohet në gjendje emergjente.

Në gjendje emergjente është duke punuar edhe Gjykata Themelore e Prishtinës. Në përgjigjen e kësaj Gjykate për KALLXO.com thuhet se për secilin nga departamentet është caktuar kujdestaria, ndërsa dezinfektimi i objektit është kryer më 14 mars nga Ministria e Administratës Publike.

Sikurse gjykatat e tjera, edhe në Prishtinë mungojnë maskat për stafin ndërsa janë të pajisur vetëm me doreza.

Në lidhje me publikimin e aktgjykimeve zotohen se deri në fund të muajit do të publikojnë aktgjykime në ueb-faqe, pashmangshëm që në numër më të vogël për shkak të gjendjes.

Vetëm me rastet urgjente dhe me kujdestari është duke punuar edhe Gjykata e Prizrenit. Në përgjigjet e kësaj Gjykate për KALLXO.com thuhet se janë të pajisur me dezinfektues dhe kanë ndërmarrë masa tjera mbrojtëse, pa u përgjigjur nëse kanë maska dhe doreza për stafin apo nëse kanë bërë dezinfektimin e objektit.

Në përgjigje thuhet se kryetari në përputhje me vendimin e KGjK-së ka udhëzuar gjyqtarët që të punojnë edhe nga shtëpitë e tyre në ato raste që mundësohet kjo ndërsa edhe në Gjykatë është duke vazhduar puna në rastet ku nuk kërkohet prania e Gjykatës dhe punë organizative të Gjykatës.

Ndryshe nga gjykatat e tjera, Gjykata Themelore e Pejës në përgjigjen për KALLXO.com thonë se janë të pajisur me dezinfektues, maska, doreza dhe mjete të tjera mbrojtëse, të cilat i kanë siguruar përmes KGjK-së apo vetë Gjykata.

Në lidhje me publikimin e aktgjykimeve, Gjykata e Pejës thotë se nuk janë duke publikuar aktgjykime në këtë periudhë emergjente.

Vetëm me raste urgjente, pa pajisje mbrojtëse dhe me numër të reduktuar është duke punuar edhe Gjykata Themelore e Mitrovicës. Nga kjo Gjykatë bëjnë të ditur se kanë kërkuar maska nga Komuna e Mitrovicës, teksa janë duke pritur nga Këshilli të bëjnë dezinfektimin e objektit.

Përgjigjja e Gjykatës së Mitrovicës nuk përmend nëse janë duke publikuar aktgjykime në këtë periudhë.

Gjykata në Ferizaj është duke punuar vetëm me rastet emergjente dhe me kujdestari ndërsa stafi është pajisur me maska dhe dezinfektues, të cilat pajisje i kanë siguruar vetë.

Në lidhje me publikimin e aktgjykimeve, nga Gjykata e Ferizajt thonë se do të publikojnë aktgjykime por mund të ketë vonesa në këtë proces.

Vetëm me raste urgjente dhe me staf të reduktuar janë duke punuar edhe Gjykata Themelore e Gjakovës dhe ajo e Gjilanit.

Gjykata në Gjakovë ka blerë materiale mbrojtëse – maska dhe doreza dhe dezinfektues për stafin që është duke punuar, ndërsa ka vendosur dezinfektues edhe për palët që drejtohen në Gjykatë.

Po ashtu, përkundër punës në gjendje emergjente, është duke vazhduar edhe publikimi i aktgjykimeve.

Gjykata e Gjilani, në anën tjetër, nuk është duke publikuar aktgjykime për shkak të stafit të reduktuar, teksa Gjykata është e pajisur me material dezinfektues por jo me maska për stafin.

 

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!