'Ftyra' e Qeverisë: Mllefi dhe tërheqja e partnerëve ndërkombëtarë pas emërimeve politike

Shtetet e  Bashkuara të Amerikës, u tërhoqën nga bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në Kosovë, në kohën kur liderët vendor partiak e institucional, në prag të zgjedhjeve po flasin për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Emërimi i Naser Shalës në krye të këtij agjensioni, kishte detyruar fillimisht Ambasadën Britanisë së Madhe në Kosovë të largohej nga bordi për shkak se sipas tyre, Shala nuk është i kualifikuar për pozitën në fjalë.

Në vazhdimësi britanikët e amerikanët kanë kërkuar dorëhqjen e drejtorit të AKKVP-së, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në anën tjetër, shoqëria civile në vend po vlerëson se tërheqjet ndërkombëtare, janë tregues i pranisë  në nivel të lartë të korrupsionit dhe nepotizmit në institucionet e Kosovës.

Drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes “Fol” Mexhide Demolli-Nimani, thotë  për Gazetën Jeta në Kosovë, se tërheqja e Ambasadës Amerikane nga Bordi i Agjensionit Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, ështe shumë shqetësues.

“Në të njëjtjen kohë është mesazh i qartë për politikanët kosovar të cilët së fundmi në çdo paraqitje publike theksojnë se do të luftojnë korrupsionin dhe nepotizmin. Ashtu si Ambasada Amerikane edhe ajo Britanike në vazhdimësi kanë reaguar kundër këtyre emërimeve politike nëper pozita në ndryshme dhe përkundër marrëveshjeve të nënshkruara udhëheqesit tanë nuk i kanë respektuar ato dhe kështu kanë ‘rehatuar’ familjarë dhe militantë të tyre pa përgatitje profesionale”, theksoi ajo.

Ndërkaq, Arton Demhasaj drejtor ekzekutiv në Organizatën për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet “Çohu!”, thotë se ky është një qëndrim i radhës i ambasadave që mos të ketë emërime politike dhe familjare nëpër pozita të tilla të larta.

“Kjo ka qenë e pritshme, pasi që në qoftë se emërohen njerëz politik, të partive politike ose njerëz me të kaluar kriminale ose që kanë aktakuza e që janë në procedura penale, ambasadat do të tërhiqen”, theksoi ai për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Demhasajt, kjo tregon se ndërkombëtarët po i qëndrojnë kauzës së tyre që mos të ketë emërime politike.

“Por kjo tregon po ashtu që institucionet tona po vazhdojnë me punësimet politike, partiake, njëkohësisht edhe me anë të nepotizimit dhe kjo po tregon se as nuk janë të gatshme të tërhiqen prej tyre”, vlerëson ai.

Kurse, Mexhide Demolli-Nimani potencon se tani është pikërisht koha kur qytetarët e Kosovës duhet njëherë e mirë të jenë të vëmendshëm dhe të mos manipulohen për votën e tyre.

“Qytetarët i kanë parë të gjitha dhe se kush e ka luftuar dhe kush e ka ‘lulëzuar’ korrupsionin dhe nepotizimin gjatë këtyre 20 viteve”, tha ajo për Gazetën JnK.

Ambasada e ShBA-së në Kosovë, të premten theksoi se nuk do të jenë aty kur udhëheqësi u shërben interesave personale dhe atyre politike, në vend të njerëzve.

“Përzgjedhja e personave joadekuatë për pozita qeveritare dëmton imazhin e Kosovës dhe besimin publik”, është thënë një njoftimin e Ambasadës në rrjetin social Facebook.

Pas dorëheqjes së SHBA-së nga bordi i Agjencisë për Verifikimin dhe Krahasimin e Pronës, ka reaguar ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell.

Ambasadori britanik ka arsyetur edhe një herë vendimin e tij për tu larguar nga kjo agjenci.

“Kam dhënë dorëheqje nga bordi i Agjencisë së Pronës, kur Kuvendi i Kosovës emëroi Naser Shalën, të pakualifikuar dhe të paaftë si kryetar të saj, vetëm për shkak të lidhjeve të tij me deputetët që nga koha e tij në UÇK. Kuvendi injoroi një kandidat të kualifikuar i cili nuk i kishte këto lidhje. Tani SHBA ka ndjekur hapat tanë”, ka shkruar O’Connell.

Sipas O’Connell, korrupsioni, nepotizmi dhe kapja e shtetit do ta shkatërrojnë Kosovën.

Përveç ambasadorëve, pati një reagim edhe nga pala politike kosovare.

Kryeparlamentari Kadri Veseli vlerësoi se dorëheqja e ShBA-së, është një lajm i keq për Kosovën.

“Dorëheqja e miqve tanë amerikanë dhe britanikë nga Bordi i Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës është një lajm i keq për Kosovën dhe duhet të alarmohemi të gjithë. Liria, pavarësia dhe proceset e shtet ndërtimit të Kosovës janë arritur vetëm falë mbështetjes së pakursyer të aleatëve dhe, po ashtu, vetëm me ndihmën e tyre mund t’i përballim sfidat që kemi përpara”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Ndërsa, në orët e vona të ditës pas kumtesës së Ambasadës Amerikane në Kosovë, Agjencioni Kosovar për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, tha se në kuadër të kompetencave të veta ashtu siç është paraparë me ligj ka vazhduar “me përkushtim të shtuar” të implementojë të gjitha rastet e vendosura më herët.

“Si Agjenci e pavarur e themeluar sipas nenit 142 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mandati ynë është të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit të zgjidhë dallimet në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit 1999”, thuhej në komunikatë.

Zgjedhja e Naser Shalës, i njohur edhe me nofkën “Ftyra” në krye Agjencisë Kosovare të Krahasimit dhe Verifikimit të Pronës ishte në kundërshtim me memorandumin që kryeministri, Ramush Haradinaj dhe kryekuvendari, Kadri Veseli kishin nënshkruar me Ambasadën britanike në Prishtinë.

Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP), është themeluar me miratimin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës më 9 qershor 2016.

AKKVP është agjenci e pavarur e cila ka për mandat të pranojë, krahasojë dhe përmes Komisionit për Verifikim dhe Vendosje për Prona (KVVP) të zgjidh dallimet dhe mos pajtueshmëritë në mes të dokumenteve kadastrale origjinale të para qershorit të vitit 1999, të cilat janë marrë nga Kosova nga autoritetet serbe dhe të dokumenteve kadastrale aktuale në Republikën e Kosovës, për pronën private, pronën private komerciale dhe pronën private të bashkësive fetare.