FSK-ja Kthehet me Medalje nga Holanda

Marshi tradicional u mbajt, për katër ditë me radhë, nga data 19 deri më 23 korrik, në qytetin Nijmegen të Holandës. Sipas rregullave të marshit, çdo ditë ekipet kanë marshuar nga 40 kilometra. Forcën e Sigurisë të Kosovës, këtë vit, e kanë përfaqësuar 18 pjesëtarë, në mesin e tyre morën pjesë edhe dy pjesëtare femra, bën të ditur Zyra e Informacionit e FSK-së.

“Kontingjenti i FSK-së edhe këtë vit, është kthyer me sukses të plotë, të gjithë pjesëtarët e FSK-së, si njësitë arrijnë me kohë në cak. Ndërsa, vitin e kaluar njësiti i FSK-së, shënoi suksesin më të madh, duke hyrë në histori të këtij marshimi tradicional si ekipi i dytë, që kishte arrit të hynte në cak”, thuhet në një komunikatë shtypi. 

Marshimi ka pasur rregullat e veta të rrepta, ka treguar major Ali Krasniqi, udhëheqës i kontingjentit të FSK-së. “Secili ekip është dashtë ta kryejë marshimin në kohën e caktuar. Marshimi nuk ka qenë garë shpejtësie, se kush po hyn i pari në cak, por suksesi është matur si ekip komplet, dmth. të gjithë pjesëtarët e njësitit është dashur që me kohë të arrijnë në cak, si njësit”.

Të gjithë pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së janë shpërblyer me medalje dhe certifikata në mënyrë individuale dhe me një medalje, për ekipin më të mirë.    

Sipas statistikave të organizatorit, ekipi i FSK-së, vitin e kaluar, ka arritur suksesin më të madh si ekip, që vetëm një shtet e ka shënuar në historinë 95-vjeçare, të këtij marshimi, pasi që të gjithë pjesëmarrësit, si ekip e kalojnë marshimin katërditor, thuhet në komunikatën e FSK-së. Kjo është hera e dytë që njësiti i FSK-së, e arrin rresht, suksesin e vitit të kaluar, komplet të kalojë shtegun 160 km të gjatë. 

Finalen e marshimit e kanë përcjellë edhe ambasadori i Kosovës në Holandë, Nexhmi Rexhepi, si dhe zëvendëskomandanti i Komandës së Forcave Tokësore (KFT), gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, të cilët së bashku kanë bërë edhe shpërndarjen e medaljeve për të gjithë pjesëtarët e kontingjentit të FSK-së, pas përfundimit me sukses të këtij marshimi.

“Motivimi, disiplina, entuziazmi kanë qenë faktorët kryesor që kanë bërë që Kontingjenti i FSK-së, të zë vendin e parë, por ka qenë edhe gatishmëria e ushtarëve për të realizuar misionin e marrë nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati. Gjatë gjithë kohës së zbarkimit, kontingjenti i FSK-së, ka qenë në nivel shumë të lartë, të kryerjes së detyrave. Me këtë fitore konsideroj se FSK-ja, po bënë histori, që dy vjet rresht ka zënë vendin e parë rresht”, është shprehur major Krasniqi.