Fshati polak i goditur nga raketa e luftës në Ukrainë, po përballet me trauma

Sot është dita e 267 e pushtimit rus të Ukrainës. 

Pushtimi rus në Ukrainë filloi në mëngjesin e 24 shkurtit, kur Putini njoftoi një “operacion special ushtarak” për “çmilitarizimin dhe denazifikimin” e Ukrainës. Disa minuta më vonë, raketa dhe sulme ajrore goditën gjithë Ukrainën, duke përfshirë Kievin, të pasuar menjëherë nga një pushtim i madh tokësor përgjatë fronteve të shumta. Zelenskyy shpalli gjendjen ushtarake dhe një mobilizim të përgjithshëm të të gjithë shtetasve meshkuj ukrainas nga 18 deri në 60 vjeç, të cilëve iu ndalua të largoheshin nga vendi.

Sulmet ruse fillimisht u nisën në një front verior nga Bjellorusia drejt Kievit, një front veri-lindor drejt Kharkivit, një front jugor nga Krimea dhe një front juglindor nga Luhansk dhe Donetsk. 

Pushtimi u dënua ndërkombëtarisht si një luftë agresioni. Një rezolutë e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara kërkoi një tërheqje të plotë të forcave ruse, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëroi Rusinë të pezullonte operacionet ushtarake dhe Këshilli i Evropës dëboi Rusinë. Shumë vende vendosën sanksione të reja, të cilat prekën ekonomitë e Rusisë dhe të botës dhe ofruan ndihmë humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

Ndërkohë, zhvillimet e fundit në dhe nga Ukraina janë si në vijim:

Polonia dhe NATO kanë thënë se një raketë që u ra brenda Polonisë juglindore, duke vrarë dy, ishte ndoshta një raketë e lëshuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës dhe jo një sulm rus. Presidenti polak, Andrzej Duda, tha se nuk ka prova që sugjerojnë se raketa ishte një sulm i qëllimshëm ose ishte lëshuar nga Rusia, por me siguri u qëllua si pjesë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës dhe “për fat të keq ra në territorin polak”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se analizat fillestare sugjeruan se incidenti ishte “me gjasë i shkaktuar nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për ta mbrojtur territorin ukrainas” kundër sulmeve me raketa ruse. “Më lejoni të jem i qartë: ky nuk është faji i Ukrainës”, shtoi ai. “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare pasi vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”. Ndërkohë, aleatët e NATO-s u takuan në Bruksel për t’i diskutuar reagimet e tyre ndaj incidentit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka deklaruar gjithashtu se raketa nuk kishte gjasa të ishte lëshuar nga Rusia për shkak të trajektores së saj. Sekretari i mbrojtjes i Biden, Lloyd Austin, tha se SHBA nuk kishte parë asgjë që binte në kundërshtim me vlerësimin paraprak të Polonisë se raketa e së martës në mbrëmje ishte rezultat i një rakete ukrainase të mbrojtjes ajrore.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, është i bindur se raketa nuk ishte ukrainase. Duke folur me gazetarët, Zelenskiy tha se kishte marrë raporte nga komanda e forcave të armatosura dhe forcave ajrore të Ukrainës dhe “nuk mund të mos u besojë atyre”.

Ukraina po kërkon “qasje të menjëhershme” në vendin e shpërthimit në Poloninë lindore, tha një zyrtar i lartë ukrainas i mbrojtjes. Oleksiy Danilov tha se Ukraina dëshiron një “studim të përbashkët” të incidentit të së martës me partnerët e saj. Duda tha se sikurse Polonia ashtu edhe SHBA-ja duhet të dakordohen përpara se Ukraina të marrë pjesë në hetime.

Ministria ruse e mbrojtjes ka dalë me një njoftim zyrtar duke thenë se të martën, ajo nuk kishte shënjestruar askund brenda 35 km nga kufiri Ukrainë-Poloni. Ministria në fjalë tha se deklaratat për “raketat ruse” që ranë në Przeëodóë ishin “një provokim i qëllimshëm me qëllim përshkallëzimin e situatës”.

Duda u takua me drejtorin e agjencisë qendrore të inteligjencës amerikane ëilliam Burns në Varshavë të mërkurën në mbrëmje, tha Shefi i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë. Jacek Sieëiera tha se biseda “ka të bëjë me situatën e përgjithshme të sigurisë” dhe “konteksti i ngjarjeve të fundit të cilat u shfaqën”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, e ka fajësuar luftën “mizore dhe të paepur” të presidentit rus Vladimir Putin për destabilizimin e ekonomisë botërore, ndërkohë që u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që t’i presin rezultatet e “një hetimi të plotë mbi rrethanat pas raketave që ranë dje në Poloni”.  Kryeministri britanik dhe homologu i tij kanadez, Justin Trudeau, folën me Zelenskiyn dhe u dakorduan njëzëri se “sido që të jetë rezultati i atij hetimi [për shpërthimin në Poloni], pushtimi rus në Ukrainë është plotësisht fajtor për dhunën e vazhdueshme”.

Një marrëveshje jetike që lejon eksportimin e grurit dhe plehrave ruse dhe ukrainase përmes Detit të Zi pritet të vazhdojë, sipas presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan. Marrëveshja ishte planifikuar të skadonte të shtunën, por Erdogan tha se ishte i bindur se marrëveshja do të rinovohej për një vit, duke sjellë lehtësim për disa nga vendet më të varfra në botë.

Një projekt-deklaratë nga udhëheqësit e G20 thotë se “shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë” dhe kërkuan “tërheqjen e plotë dhe të pakushtëzuar” të Rusisë nga territori i Ukrainës. Referenca për luftën është një refuzim i pretendimit të Rusisë se ajo është e përfshirë në një “operacion special ushtarak”. Por ai gjithashtu tha se “kishte pikëpamje të tjera dhe vlerësime të ndryshme për situatën dhe sanksionet”, duke reflektuar ndarjet midis shteteve të G20-ës mbi Rusinë.

Hetuesit ukrainas kanë zbuluar një “dhomë torture” të pretenduar në qytetin Kherson, ku dyshohet se dhjetëra burra u ndaluan, u goditën nga rryma, u rrahën dhe disa prej tyre u vranë. Policia tha se ushtarët rusë morën qendrën e paraburgimit të të miturve rreth mesit të muajit mars dhe e kthyen atë në një burg për burrat që refuzuan të bashkëpunonin me ta ose që akuzoheshin për veprimtari partizane./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala