Frikë nga Ngritja e Tarifave të Energjisë

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka lajmëruar se nga 1 prilli çmimet e energjisë elektrike do të ngritën për 23 për qind.

Konsumatorët dhe ekspertët ekonomikë druajnë se ngritja e çmimeve do t’i godas fort familjet e varfra dhe e vejnë në pikëpyetje arsyeshmërinë e kësaj ngritje.

KEK-u argumenton se ka pak zgjedhje pasi që Qeveria po i redukton subvencionet ndaj firmës me pronësi publike, e cila shpreson të shkarkohet tek investitorët privatë. 

Pensionisti Rasim Hoxha, 68, tha se ai nuk do kishte mundur të mbijetojë nëse nuk do të kishte marrë para të dërguara nga i biri i tij.

“Unë marrë 80 euro pension çdo muaj, ndërsa tarifat e rrymës gjatë dimrit janë rreth 60 euro, pra përafërsisht totali i pensionit tim, dhe mbi këto janë edhe tarifat tjera; uji, bërllogu dhe nxehja qendrore. Kështu që mund ta merrni me mend çfarë jete kemi ne. Djalin e kam jashtë vendit, ai më ndihmon se përndryshe unë s’do kisha mund t’i paguaj faturat.”

Ekonomisti i diplomuar, Said Nimani, merr një rrogë 200 euro në muaj – vetëm 50 euro më pak se mesatarja vendore – për punën e tij në supermarket.

“Tarifat e energjisë elektrike mund të paguhen vetëm nga një pjesë e vogël e qytetarëve të Kosovës – biznesmenët, ata zyrtarë të lartë të Qeverisë, apo nga ata që nuk kanë brenga rreth parave. Shumica e qytetarëve të Kosovës e marrin rrogën si timen, gjersa shumë të tjerë nuk marrin rrogë fare, pra si mund ta paguajmë rrymën në këto rrethana?”

Standardi i jetesës në Kosovë po keqësohet për shumë njerëz dhe  ngritja e kësaj tarife ka gjasaë se do ta përkeqësojë gjendjen edhe më tej, tha Musa Limani, ekspert i çështjeve ekonomike.

“Me tarifat aktuale të obligimeve tjera financiare, standardi i jetesës për qytetarët do të zbres edhe më shumë,” tha ai.

“Ngritja e tarifave të tilla duhet të bëhet pasi që është marrë parasysh standardi i jetesës, e jo pa analizë të ndikimit, siç është bërë tani,” tha Limani.

Agron Demi, nga instituti për studime të avancuara GAP, ka thënë se KEK-u duhet t’i shtrenjtojë tarifat për shkak të keqmenaxhimit të korporatës.  Sipas Demit, KEK-u është duke i ngritur tarifat sepse ka dështuar ta luftojë vjedhjen e rrymës. 

“Nëse KEK-u do ishte i menaxhuar mirë dhe  do të kishte luftuar vjedhjen ndaj energjisë elektrike, atëherë nuk do kishte pasur nevojë të ngritën tarifat,” tha Demi.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, tha se ngritja e çmimit të tarifave ishte e pashmangshme pasi që Qeveria ka reduktuar subvencionet për firmën në pronësi publike. 

Ai tha se KEK-u ka pasur nevojë për të grumbulluar 239 milionë euro nga konsumatorët – një rritje prej 45 milionë euro të vitit të kaluar – që pasqyroi 23 përqindëshin e ngritjes së çmimit.

“Qeveria nuk mund të vazhdojë ta subvencionojë sektorin për energji elektrike, siç ka bërë për shumë vite”, shpjegoi ai më tutje. 

Buzhala po ashtu shtoi që Kosova ka mbajtur tarifat më të ulëta për energji elektrike në rajon. Qeveria është në proces të privatizimit të prodhimit si dhe distribucionit të energjisë elektrike.

Nëse planet për ta ndërtuar një termocentral të linjitit shkojnë përpara, atëherë pritet që çmimet të ngritën edhe më shumë në mënyrë që investitorët privatë të mund t’i nxjerrin shpenzimet e kapitalit.

Çmimet rajonale për energji elektrike:

Sipas asociacionit të Rregullatorëve të Energjisë, ERRA, entiteti i vetëm për matjen e tarifave në rajon, Kosova mban tarifat më të ulëta në rajon.

Serbia – 6.90 euro centë / kilovatë,

Mali i Zi – 7.37 euro centë / kilovatë,

Maqedonia – 6.78 euro centë / kilovatë,

Shqipëria – 7.21 euro centë / kilovatë,

Kosova – 4.95 euro centë / kilovatë, (para ngritjes të çmimit)