Monumenti Newborn, Foto: Fisnik Ismaili/Facebook

Frika i detyron gratë kosovare viktima të përdhunimeve të luftës të vazhdojnë të heshtin

Kosova ofron pensione për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës 1998-1999, por disa gra druhen të regjistrohen nga frika se të afërmit ose fqinjët e tyre mund ta zbulojnë këtë dhe ato do të përbuzen për shkak të stigmës që e shoqëron ende këtë temë.

Besa është 55 vjeçe dhe këto 21 vitet e fundit ajo ka jetuar duke mbajtur të fshehtë një sekret.

Fëmijët e saj nuk janë në dijeni të kësaj dhe ajo preferon që kjo të mbetet kështu.

Besa u përdhunua gjatë luftës në Kosovë në 1999.

Frika nga stigmatizimi e ka penguar atë të aplikojë për statusin zyrtar të viktimës së dhunës seksuale të kohës së luftës, nga e cila ajo do të përfitonte një pension prej 230 eurosh në muaj.

“Kam frikë se dikush do ta zbulojë. Në zonën time, të gjithë më njohin”, tha ajo për BIRN në një deklaratë me shkrim, sepse kishte shumë frikë të na takonte personalisht apo edhe të fliste në telefon.

“Kam frikë se do të më poshtërojnë. Askush nuk do të donte të shoqërohej më me mua”, shpjegoi ajo.

Besa – i cili nuk është emri i saj i vërtetë – nuk është e vetmja që ndihet kështu përsa i takon ekspozimit në publik.

Komisioni qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës ka marrë aplikime nga të mbijetuarat që nga shkurti i vitit 2018 dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe për tre vjet të tjerë.

Sipas të dhënave të komisionit, deri më tani kanë aplikuar 1,239 njerëz për marrjen e këtij statusi, edhe pse numri i aplikimeve të reja po zvogëlohet. Janë aprovuar tetëqind aplikime, 239 janë refuzuar dhe pjesa tjetër e çështjeve janë ende duke u vlerësuar.

Shoqata e grave Medica Gjakova nga qyteti i Gjakovës është një nga katër OJQ-të e Kosovës të licencuara nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale për të ndihmuar njerëzit të aplikojnë pranë komisionit.

Medica Gjakova ka disa vite që u ofron këshillime psiko-sociale të mbijetuarave të përdhunimeve gjatë kohës së luftës dhe drejtoresha e saj, Linda Sada, tha për BIRN se nga përfitimet e shoqatës kanë përfituar rreth 4,500 gra, shumica e të cilave ishin viktima të dhunës seksuale.

Megjithatë, vetëm 300 prej tyre kanë aplikuar për marrjen e statusit. Arsyet për këtë janë të shumta, shpjegoi Sada.

“Një nga arsyet është se jo të gjithë në familjen e tyre e dinë për përvojën traumatike që ato kanë kaluar. Pastaj, rrethana të reja të jetës… Ka pasur raste kur ato janë martuar pas ngjarjes traumatike dhe është familja që nuk dëshiron të dijë asgjë në lidhje me atë që ka ndodhur”, tha ajo.

Përveç kësaj, “ka raste në të cilat gratë, megjithëse burrat e tyre e dinë se çfarë u ka ndodhur atyre, druhen nga stigma”.

Arsyetimi i parave të pensionit para anëtarëve të familjes që nuk e dinë arsyen pse po merret ky pension është një tjetër arsye, shtoi ajo.

Kryetarja e komisionit qeveritar që verifikon statusin e viktimave të dhunës seksuale, Minire Begaj-Balaj, risolli në mendje raste në fillim të procesit në të cilat aplikuesit ishin në dilemë nëse nuk duhet të kishin aplikuar për të shmangur problemet në shtëpi.

“Merrja telefonata, në të cilën gruaja qante në anën tjetër të telefonit dhe pyeste se si do ta shpjegonte pensionin që merrte”, tha Begaj-Balaj.

“Ndonjëherë na thoshin: ‘Sot jam në zyrën e komisionit, por nuk mund të vijë më përsëri”, shtoi ajo.

“Në mendjet e të mbijetuarave, lufta është ende e freskët”

Atifete Jahjaga. Foto: Amra Zejneli Loxha

Nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e saktë të grave që përdhunuan gjatë konfliktit 1998-1999. Kjo çështje ka qenë një temë tabu në shoqërinë kosovare për vite me radhë, kryesisht sepse konsiderohej e turpshme për viktimat dhe një çnderim për familjet e tyre.

“Për shkak të tabuve të forta sociale, viktimat e shqiptarëve të Kosovës të përdhunimit në përgjithësi ngurrojnë të flasin për përvojat e tyre”, vuri në dukje një raport i grupit Human Rights Watch në 2000.

Raporti, i titulluar “Përdhunimi si Armë Spastrimi Etnik” tha se gjatë luftës, “përdhunimet nuk ishin vepra të rralla dhe të izoluara të kryera nga individë, por përkundrazi u përdorën me qëllim nga forcat serbe dhe jugosllave si një instrument për të terrorizuar popullsia civile, për të zhvatur para nga familjet dhe për t’i nxitur njerëzit të largoheshin nga shtëpitë e tyre”.

Kur Atifete Jahjaga ishte presidente e Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2016, ajo bëri shumë për të thyer heshtjen rreth kësaj çështjeje duke mbrojtur të mbijetuarat.

“Ndërkohë që të gjithë gëzonim lirinë dhe pavarësinë, në mendjet dhe shpirtrat e këtyre të mbijetuarave – ndoshta edhe deri në këtë moment që ne po flasim për këtë – lufta ishte ende e freskët”, shpjegoi Jahjaga për BIRN.

“Për fat të keq, ne, si qytetarë të Kosovës por edhe si liderë të vendit, nuk i kemi trajtuar ato si përparësi siç kemi bërë me kategoritë e tjera të viktimave të luftës”, tha ajo.

Gjatë kohës që ishte në detyre Jahjaga, në parlament nisën debatet në lidhje me statusin që duhet të kenë të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës.

Disa deputetë argumentuan se ato duhet të përfshihen në një ligj ekzistues që rregullon statusin dhe të drejtat e viktimave ushtarake, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të tjerë thanë se veteranët e UÇK-së nuk duhet të përzihen me viktimat e përdhunimit.

Aktivistja për të drejtat e grave Nazlie Bala mori një kërcënim me vdekje pasi bëri thirrje që të mbijetuarat e dhunës seksuale të përfshihen në ligjin ekzistues për veteranët e UÇK-së dhe viktimat civile. Në mars të vitit 2013, nën derën e saj futën një letër anonime, në të cilën thuhej: “Mos mbro atë që është e turpshme, sepse pastaj të pret plumbi.”

Disa ditë më vonë, ajo u sulmua dhe u rrah para apartamentit të saj.

Në vitin 2014, Jahjaga themeloi Këshillin Kombëtar për Të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës në Kosovë, një organ koordinues që përfshin ministri, organizata të shoqërisë civile dhe institucione ndërkombëtare që synojnë të gjejnë zgjidhje ligjore për të ndihmuar të mbijetuarat e përdhunimit.

Po atë vit, parlamenti i Kosovës miratoi ndryshime ligjore që njohën të mbijetuarat e përdhunimeve si viktima të luftës civile. Ndryshimet ligjore çuan në krijimin e komisionit për njohjen e statusit.

“Ishte një detyrim institucional dhe shoqëror për ne që të kontribuojmë në ndryshimin e këtij momenti, të mbështesim të mbijetuarat dhe të mobilizohemi për të adresuar stigmën që vuajnë të mbijetuarat e dhunës seksuale”, tha Jahjaga.

“Nuk është më tabu, siç ishte dikur. Nuk është më një temë që diskutohet vetëm në qarqe të mbyllura”, shtoi ajo.

Edhe pse stigma është zbehur disi që nga ndryshimet ligjore, të mbijetuarat ende nuk ndihen të qeta për të aplikuar për njohjen e këtij statusi dhe Jahjaga theksoi se nuk është e lehtë që dikush që i mbijeton një krimi të tillë të gjejë kurajë të flasë publikisht për atë që i ndodhi.

“Stigma nuk është diçka që mund të trajtohet brenda një muaji, një viti ose dy vjetësh. Stigma është me të cilën duhet punuar dhe duhet trajtuar vazhdimisht, në shoqëri por edhe brenda institucioneve shtetërore”, tha ajo.

“Ne duhet ta ndërtojmë vazhdimisht këtë narrativë, në mënyrë që të vazhdojmë të ndërtojmë besimin e të mbijetuarave tek institucionet, por edhe te vetë procesi”, shtoi ajo.

“Çdo gjë ruhet në një kasafortë”

Minire Begaj-Balaj. Foto: Amra Zejneli Loxha

Procesi i verifikimit i përdorur nga komisioni qeveritar është kritikuar nga OJQ-të në Kosovë se është shumë i ngadaltë dhe dekurajues për të mbijetuarat. Komisioni, megjithatë, këmbëngul se e trajton secilin rast me kujdes të duhur.

Të gjithë ata që kanë pësuar dhunë seksuale midis 27 shkurtit 1998 dhe 20 qershorit 1999, mund të aplikojë përmes sekretarisë së komisionit, ose përmes katër OJQ-ve që ndihmojnë në procesin e aplikimit (Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Medica Gjakova, Medica Kosova dhe Qendra Drenas) si dhe shtatë zyra rajonale të Departamentit të Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile të Luftës pjesë e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nëpërmjet një formulari aplikimi prej gjashtë faqesh, aplikueset duhet të përshkruajnë me detaje se si ndodhi incidenti, duhet t’u përgjigjen pyetjeve për vendin dhe kohën kur ndodhi kjo, kush ishin autorët (nëse dihen) dhe detajojnë pasojat që ka pasur kjo ngjarje për shëndetin dhe jetën e tyre në përgjithësi.

Pjesa kryesore e aplikimit shtë tregimi, historia e sulmit, zakonisht e shkruar me dorë. Në disa raste, këto kujtime janë deri në 20 faqe. Aplikueset gjithashtu mund të bashkëngjisin dokumente shtesë për ta bërë çështjen e tyre më të fortë.

Minire Begaj-Balaj, kryetarja e komisionit, tha se në fokus të tij janë të mbijetuarat, të cilat ata përpiqen t’i trajtojnë me dinjitet. Begaj-Balaj tha për BIRN se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit është konfidencial; identiteti i aplikueseve është i koduar dhe të gjitha informacionet e tyre personale janë të mbrojtura.

Ekziston vetëm një kopje e formularit të aplikimit dhe, deri më tani, “nga komisioni nuk ka dalë asnjë informacion dhe nuk i është bërë dëm askujt”, tha ajo.

“Çdo gjë që është brenda komisionit, mbetet brenda tij dhe ruhet në një kasafortë”, vazhdoi ajo. “Ne vendimet për rastet i marrim pa e ditur emrin e aplikueses.”

Begaj-Balaj sqaroi se secili rast shqyrtohet të paktën tre herë, ndonjëherë edhe deri në gjashtë herë, dhe shpesh aplikuesja ftohet për një intervistë në mënyrë që të shmangen gabimet dhe gjykimet e gabuara.

Disa raste kanë qenë problematike, tha ajo.

“Aplikimit mund t’i kenë munguar informacione ose ka pasur kontradikta. Edhe pse e kemi ftuar aplikuesen për një intervistë, nuk kemi qenë të bindur se ngjarja ka ndodhur vërtet. Këto lloj problemesh ndodhin dhe kjo na ka ngrënë kohë”, shpjegoi ajo.

“Ka pasur raste që kanë pasur nga 200 faqe dhe nuk kanë pasur aspak lidhje me aplikimin, por na është dashur t’i kontrollojmë një e nga një”, shtoi ajo.

Por thirrja e aplikueseve për intervistë mund të jetë gjithashtu problematike, tha Linda Sada nga Medica Gjakova. Jo të gjitha janë të përgatitura të shpjegojnë përvojat e tyre traumatike personalisht dhe ka pasur incidente në të cilat viktimat janë traumatizuar përsëri dhe u është dashur të rinisin nga e para rehabilitimin e tyre.

Edhe pse shumica e aplikimeve deri më tani janë aprovuar, dy janë refuzuar.

Një nga refuzimet ndodhi për shkak të mospërputhjeve midis deklaratave të dhëna me shkrim dhe gjatë intervistës. Sada tha se kjo ndodhi kur aplikueses iu desh t’i shpjegonte atë që i ndodhi një anëtari mashkull të komisionit; një incident i cili u konfirmua nga këshilluesja psiko-sociale e Medica Gjakova e cila ishte e pranishme gjatë intervistës.

“Kjo është shumë traumatike. Kjo i rikthen ato përsëri në traumë, është si një kthim pas”, tha Sada, duke shtuar se OJQ-ja e saj përpiqet t’i përgatisë sa më mirë viktimat për intervista të tilla.

Pavarësisht sfidave të tilla, Sada tha se ndihet mirë për atë që është arritur dhe aq më tepër për faktin se “vendi ynë dhe shoqëria jonë e ka pranuar atë që ndodhi”.

Begaj-Balaj u pajtua se ka pasur progres, por tha se duhet të bëhet më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e publikut.

Viktimat e një dhune të tillë kanë ende nevojë për mbështetje, por duke iu dhënë ky status, të mbijetuarave po u rikthehet dinjiteti i tyre, tha ajo. Ajo u bëri thirrje atyre që nuk e kanë bërë ende këtë gjë, të kontaktojnë komisionin.

“Pavarësisht të gjitha sfidave, ne po shkruajmë historinë, po përcaktojmë se ky krim ka ndodhur vërtet”, tha ajo.

Besa, e cila nuk guxon të aplikojë në komision nga frika se mos merret vesh dhe përbuzet nga komuniteti i saj lokal, megjithatë i bëri thirrje të mbijetuarave të tjera që të bëjnë para.

“I këshilloj gratë e përdhunuara të aplikojnë, të flasin”, tha ajo. “Nuk është mirë ta mbash përbrenda.”

Amra Zejneli Loxha është një gazetare me Radio Europa e Lirë në Kosovë. Ky artikull u realizua si pjesë e skemës së granteve të Drejtësisë Tranzicionale në Ballkan të BIRN, mbështetur nga Komisioni Europian.