Franjo Tuxhman, presidenti i parë kroat i zgjedhur në mënyrë demokratike, ishte figurë kyçe në ngjarjet që çuan në pavarësimin e Kroacisë.

Franjo Tuxhman: Lideri i fiksuar pas ndërtimit të pavarësisë së Kroacisë

Njëzetë vjet pas vdekjes së tij, presidenti Franjo Tuxhman është shndërruar në një ikonë simbolike në atdheun e tij, por lavdet për vendosmërinë e tij për të krijuar një Kroaci të pavarur anashkalojnë taktikat e tij anti-demokratike dhe shkeljet e kryera gjatë kohës së luftës.

 

Kanë kaluar njëzet vjet nga vdekja e presidentit të parë të Kroacisë zgjedhur në mënyrë demokratike, Franjo Tuxhman, më 10 dhjetor 1999.

Në një vend të ri, Tuxhman ende luan një rol të rëndësishëm, duke u bërë me kalimin e kohës një lloj Xhorxh Uashingtoni kroat, me monumente, rrugë, sheshe dhe ura të shumta kushtuar atij në të gjithë vendin.

Politikanët në të gjithë spektrin politik citojnë atë kur kërkojnë të rikrijojnë unitetin kombëtar që ishte i pranishëm gjatë kohës së luftës, por analistët paralajmërojnë se trashëgimia e tij ka edhe aspekte negative. Ata gjithashtu theksojnë se konteksti politik paqësor i ditëve të sotme është krejtësisht i ndryshëm nga ai në të cilin sundoi Tuxhmani: lufta e viteve 1990 dhe periudha e menjëhershme e pas luftës.

I përqendruar në krijimin e një shteti të pavarur dhe sovran kroat, Tuxhman sakrifikoi gjithçka për qëllimin e tij, përfshirë marrëdhëniet me Bosnjë dhe Hercegovinën fqinje.

Roli i Kroacisë në luftën e Bosnjës mbetet njolla më e madhe në trashëgiminë e tij. Ai është kritikuar gjithashtu për shovinizmin e tij rastësor ndaj serbëve, revizionizmin historik, korrupsionin masiv në proceset e privatizimit të viteve 1990 dhe praktikat jodemokratike të regjimit të tij.

Tuxhman si lider gjysmë autoritar

Ivo Goldstein, një profesor në Fakultetin e Shkencave Njerëzore dhe Sociale në Zagreb, botoi së fundmi një libër me titull “Kontradiktat e historisë së Kroacisë së Shekullit të XX”, që pjesërisht trajton sundimin e Tuxhmanit. Goldstein pretendon se Tuxhman kishte një mundësi zgjedhje se si të modelonte demokracinë e Kroacisë pas luftës, por bëri zgjedhjen e gabuar.

“Midis nacionalizmit të shëndetshëm dhe shovinizmit, ai zgjodhi shovinizmin; midis ekonomisë së tregut të lirë dhe klientelizmit, ai zgjodhi këtë të fundit. Në vend të kultit të lirisë, ai zgjodhi kultin e shtetit. Midis modernizmit dhe hapjes ndaj botës, ai zgjodhi tradicionalizmin; një zgjedhje fatale për një shtet të vogël si Kroacia që duhet të hapet për hir të zhvillimit”, tha Goldstein për BIRN.

“Kur bëhet fjalë për të gjitha vlerat e demokracive liberale, në vend që të na çonte përpara, Tuxhmani gjithmonë na drejtoi në drejtim të kundërt”, shtoi ai.

Një shembull i shovinizmit të Tuxhmanit, argumentoi Goldstein, mund të gjendet në komentet e tij ofenduese për serbët që u larguan nga Kroacia pas Operacionit Stuhia në vitin 1995. Tuxhman tha që serbët ia mbathën pa pasur kohë të mblidhnin “paratë e tyre të ndyra, valutat e huaja dhe brekët”.

Në vitin 1998, ndërsa hapi një akademi ushtarake në Zagreb, Tuxhman tha gjithashtu se Kroacia “e kishte zgjidhur çështjen serbe” duke ulur përqindjen e serbëve në vend. “Nëse ka tre ose pesë për qind prej tyre, ky nuk është kërcënim për shtetin kroat”, tha ai.

Stevo Djuraskoviç, një asistent profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Zagreb i cili ka shkruar për rolin e Tuxhmanit në procesin e ndërtimit të kombit, tha se “përveç meritës së tij të padiskutueshme për krijimin e një Kroacie të pavarur dhe të lirë, unë do ta vlerësoja mbretërimin e tij si kryesisht negativ”.

“Gjatë kohës që ai ishte në pushtet, Kroacia nuk arriti të kalonte nga një regjim autoritar (Jugosllavia) në një demokraci plotësisht parlamentare”, tha Djuraskoviç për BIRN.

Djuraskoviç, si shumë akademikë dhe historianë, e sheh Tuxhmanin si një “lider gjysmë autoritar” i cili ndonjëherë abuzonte ose shtrinte fuqitë e sistemit gjysmë-presidencial që ekzistonte në atë kohë.

Ai gjithashtu vuri në dukje se Tuxhman e trajtoi opozitën në mënyra institucionale dhe jo institucionale. Në 1995, ai refuzoi të konfirmonte kandidatë të shumtë të opozitës për kryetar bashkie në Zagreb dhe qeveria e tij emëroi një të dërguar special për të funksionuar si kryetari i qytetit.

Goldstein u shpreh se Tuxhman shpesh nuk respektonte disa standarde të demokracisë liberale – ndarjen e pushteteve dhe lirinë e fjalës.

“Dikush mund ta mbajë mend se si u përball ai me revistën satirike anti-establishment Feral Tribune, një kritike e zëshme e sundimit të tij, e cila si pasojë u taksua rëndë sipas të njëjtave standarde si revistat pornografike”, tha ai.

Në vitin 1996, Tuxhman aprovoi gjithashtu një proces gjyqësor kundër kryeredaktorit të Feral Viktor Ivanciç dhe gazetarit Marinko Culiç i cili shkroi për admirimin e liderit kroat për diktatorin spanjoll, gjeneralin Francisko Franko.

Djuraskoviç gjithashtu e sheh korrupsionin masiv që erdhi si rezultat i procesit të shndërrimit të kompanive shtetërore në private si faj të Tuxhmanit.

“Edhe pse Tuxhmanit nuk i interesonte shumë ekonomia, ose më saktë, s’e kuptonte fare, kjo nuk do të thotë se ai nuk ka ndonjë përgjegjësi për të”, shpjegoi ai.

“Sipërmarrje e përbashkët kriminale” në Bosnje dhe Hercegovinë

Megjithëse Tuxhman nuk u padit kurrë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, gjykata e Kombeve të Bashkuara e hetoi rolin e tij gjatë luftës.

Në vendimin e saj të vitit 2017 në të cilin dënoi gjashtë zyrtarë ushtarakë dhe politikë kroatë të Bosnjës, dhoma e apelit e gjykatës zbuloi se Tuxhman ishte pjesë e një sipërmarrje të përbashkët kriminale që planifikonte të aneksonte pjesë të Bosnjës dhe Hercegovinës nëpërmjet spastrimit etnik të boshnjakëve.

“Në kuptimin politik, shoqëror, demografik dhe çdo kuptim tjetër, Kroacia vuajti shumë nga politika e Tuxhmanit ndaj Bosnjës”, tha Goldstein.

Ai sqaroi se ndërsa Jugosllavia nën udhëheqjen e presidentit serb Sllobodan Millosheviç ndërhyri dhunshëm në Bosnje, Tuxhman gjithashtu u bashkua në këtë gjë. Në fund të vitit 1991, ai deklaroi se lufta e pritur në Bosnjë mund të parandalohej duke e ndarë vendin midis Kroacisë dhe Serbisë, me boshnjakët që u jepej një shtet i vogël në qendër të vendit.

“Në vend të kësaj, Tuxhmani duhet të kishte thënë se nëse dikush kërcënon integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnjës, Kroacia do ta mbrojë vazhdimisht këtë integritet dhe sovranitet”, argumentoi Goldstein.

Djurakoviç sugjeroi se Tuxhmani e shihte kufirin e Kroacisë me Bosnjën si “imagjinar” dhe “të padrejtë” nga një këndvështrim historik.

Ai tha megjithatë se për shkak të pragmatizmit politik, Tuxhmani nuk insistoi në krijimin e një entiteti të veçantë për kroatët në Bosnje pas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit të vitit 1995.

“Tuxhman mendoi se ishte lëvizje më e zgjuar t’i lidhte kroatët e Bosnjës me Kroacinë përmes lidhjeve joformale, si një entitet de facto kroat”, shtoi ai.

Nën drejtimin e Tuxhmanit, Kroacia njohu pavarësinë e Bosnjës dhe Hercegovinës në vitin 1992, si dhe priti qindra mijëra boshnjakë të zhvendosur nga lufta dhe ndihmoi Ushtrinë e Bosnjës dhe Hercegovinës që të armatosej.

Megjithatë, roli i Kroacisë në luftën e Bosnjës ende rëndon marrëdhëniet Zagreb-Sarajevë edhe sot e kësaj dite.

Midis revizionizmit historik dhe pajtimit

Si një historian, Tuxhmani u përpoq të zhvillonte një politikë komplekse të kujtesës të parë përmes lupës së një shteti të pavarur kroat.

Djuraskoviç thekson se ndryshe nga nacionalistët e tjerë kroatë, Tuxhman ishte i përgatitur të njihte përpjekjet e komunistëve kroatë të Luftës së Dytë Botërore për krijimin e Kroacisë së sotme.

Kjo qasje ishte një pjesë e idesë së Tuxhmanit për pajtimin e plotë kroat – që pasardhësit e partizanëve antifashistë dhe ustashëve fashistë duhet të bashkoheshin në krijimin e një Kroacie të pavarur në luftën e viteve 1990.

Megjithatë, ndërsa Tuxhmani promovonte pajtimin kombëtar, bashkëpunëtorët e tij të ngushtë politikë propagandonin idetë e regjimit ustash.

Tuxhman gjithashtu u shënjestrua shpesh nga kritikë në mbarë botën për për pohimet e tij akademike në lidhje me Luftën e Dytë Botërore në Jugosllavi, Holokaustin dhe kampin ustash të përqendrimit në Jasenovac.

Në librin e tij në vitin 1989 “Djerrinat e realitetit historik”, Tuxhman citoi dy burime polemike nga kampi ustash i Jasenovacit që i përshkruanin hebrenjtë duke përdorur parulla antisemite dhe pretendonin se ishin hebrenjtë ata që e drejtuan pjesërisht kampin. Tuxhman u distancua vetëm pjesërisht nga kjo dhe gjithashtu la përshtypjen e nënvlerësimit të Holokaustit në përgjithësi.

Për më tepër, ndërsa përpiqej të trajtonte fryrjen e numrit të vdekjeve në Jasenovac nga nacionalistët serbë, Tuxhman shkroi se midis 30,000 dhe 40,000 njerëz u vranë në kamp, ndërsa shumica e ekspertëve pajtohen se aty vdiqën diku midis 77,000 dhe 100,000.

Kur libri u botua në anglisht në vitin 1996, nën titullin “Tmerret e Luftës: Realiteti Historik dhe Filozofia”, kapitulli problematik u hoq dhe Tuxhman kërkoi ndjesë publikisht.

“Megjithatë, kapitulli qëndroi në versionet kroate, frënge dhe gjermane të librit. Këtë vendim editorial unë e shoh thjesht si një lëvizje pragmatike nën presion dhe jo si një veprim të sinqertë nga ana e Tuxhmanit”, tha Goldstein.

Tuxhmani dje, sot dhe nesër

Në Kroaci, kujtimi i Tuxhmanit është ende i fortë, me monumente në nder të tij në të gjithë vendin, ndërsa shumica e qyteteve dhe fshatrave kanë rrugë, sheshe, parqe dhe ura që mbajnë emrin e tij.

Në përkujtimoret e ngjarjeve nga lufta e viteve 1990, e cila shihet si momenti kryesor historik i Kroacisë, roli i tij kremtohet gjithmonë.

“Ai dinte si të organizonte mbrojtjen e Kroacisë, pasi Kroacia nuk kishte zgjedhje tjetër në vitin 1991, përveçse të mbrohej. Ai arriti të bashkonte njerëzit në mbrojtjen e vendit dhe gjeti njerëzit që do ta përdorin atë energji pozitive në mes të popullit për të organizuar një mbrojtje”, tha Goldstein.

Bashkimi Demokratik Kroat në pushtet, HDZ, si dhe kundërshtarët e tij politikë, shpesh e citojnë Tuxhmanin si një shembull për t’u ndjekur në lidershipin politik. Megjithatë, Goldstein beson se ky është një gabim.

“Franjo Tuxhman nuk mund të na ndihmojë në kohën e sotme. Ai e qeverisi Kroacinë kur situata ishte shumë ndryshe. Çfarë do të thotë të jesh Tuxhmani sot? Të jesh i papajtueshëm me fqinjët e Kroacisë? Unë mendoj se politikanët e përmendin atë si një shembull pa e menduar vërtet se çfarë nënkuptojnë me këtë”, tha ai.

“Gjithashtu, Tuxhman u mundua shumë ta krijonte Kroacinë brenda disa kufijve të caktuar territorial, por atij s’i interesonte shumë se çfarë do të ndodhte brenda këtyre kufijve. Atij s’i interesonin shumë standardet e jetesës apo nëse njerëzit kishin stabilitet ekonomik dhe shoqëror”, shtoi ai.

Për Djuraskoviçin, emri i Tuxhmanit po shfrytëzohet në maksimum këto ditë nga presidentja aktuale kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, e cila bën thirrje për unitet midis kroatëve “ashtu siç ekzistonte nën drejtimin e Tuxhmanit gjatë kohës së luftës”.

“Përveç se vetë uniteti është një gjë shumë problematike në një shoqëri demokratike, thirrja për unitet në rrethana kaq të jashtëzakonshme si lufta është edhe më problematike. Ne të gjithë e dimë se në luftëra, shumë liri dhe të drejta demokratike pezullohen dhe prandaj nuk janë në përputhje me shoqëritë demokratike paqësore”, shpjegoi ai.

Kur vjen fjala te trashëgimia e Tuxhmanit, Djuraskoviç mendon se me kalimin e kohës, ai po bëhet një simbol – “një lider ikonik që krijoi një shtet kroat të pavarur, një Xhorxh Uashington kroat”.

“Kjo është arsyeja pse, ndërsa po bëhet një mit i padiskutueshëm, ai përvetësohet gjithnjë e më shumë nga forca të ndryshme politike, edhe nga ata që e kundështuan atë në vitet 1990”, argumentoi ai.

Goldstein vuri në dukje ndërkohë se politikanët kroatë tani flasin për Tuxhmanin jo si një figurë historike, por më shumë për një ide, një vlerë që nuk duhet të kundërshtohet.

Njëzet vjet pas vdekjes së tij, përfundoi ai, kjo tani e kufizon shumë mundësinë për të debatuar se “kush ishte në të vërtet Tuxhmani”.

Nga gjeneral në disident, në president

Tuxhman lindi në vitin 1922 në Veliko Trgovisce, në afërsi të Zagrebit, biri i një anëtari me ndikim të Partisë së Fshatarëve Kroatë. Ai u bashkua me partizanët antifashistë në 1941.

Ai u transferua në Beograd pas Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimisht u punësua në shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Popullore Jugosllave. Pasi doli në pension në vitin 1961, ai u transferua në Zagreb për të drejtuar Institutin e sapoformuar për Historinë e Lëvizjes Punëtore të Kroacisë dhe në 1965 mori një doktoraturë në histori.

Për shkak të angazhimit të tij politik në lëvizjen nacionaliste “Pranvera kroate” në vitin 1971, Tuxhman u arrestua dhe përfundimisht u dënua me nëntë muaj burg. Për shkak se foli me mediat e huaja për pozicionin e Kroacisë brenda Jugosllavisë, ai gjithashtu u dënua me tre vjet burg në 1982, duke vuajtur gati gjysmën e dënimit.

Përpara zgjedhjeve të para demokratike shumëpartiake, ai themeloi Bashkimin Demokratik Kroat, HDZ, në vitin 1989. Partia fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1990, formoi një qeveri dhe e emëroi Tuxhmanin si president. Pasi Kroacia miratoi kushtetutën e saj të parë në vitin 1990, Tuxhman u zgjodh dy herë president, në vitin 1992 dhe në vitin 1997.

Gjatë luftës, ai e drejtoi Kroacinë drejt pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare në vitet 1991-1992 dhe ishte një nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit në vitin 1995. Edhe pse vuante nga kanceri që nga mesi i viteve 1990, ai qëndroi në detyrë deri në nëntor 1999, duke ndërruar jetë një muaj më vonë në një spital në Zagreb.