Fotografi Hazir Reka duke shpalosur fotografitë e realizuara gjatë 30 gushtit 1990 gjatë rezistencës për liri. Reka tregon për çastin kur kishte fotografuar protestuesin Faik Rexhepi duke i rezistuar dhunës së policisë serbe. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

Fotografia qëndrestare e rrëfyer në fjalë

Fotografia që përçon qëndresë në mes të dhunës, tashmë po qëndron skulpturë në mes Prishtinës së lirë. Një çast historik i protestuesit Faik Rexhepi, i zënë në syrin fotografik, përshkruhet me mbi 1000 fjalë nga autori i fotografisë Hazir Reka.

Fotografia zëvendëson fjalët. Gjuhët e ndryshme të fjalëve shpeshherë nuk kanë aftësinë të përçojnë mesazhin dhe emocionin në të gjithë botën, ashtu siç mund ta bëj një çast i kapur në syrin fotografik.

Sytë përplot rezistencë, krahët që shpërfaqin qëndresë dhe këmbët që përcjellin këmbëngulje midis një shfaqje dhune në një kohë të ndaluar, janë disa nga arsyet se pse fotografia e protestuesit Faik Rexhepi, i ulur afër Grandit në Prishtinë ka mbetur një ndër fotografitë që ruhet në kujtesën kolektive.

Ishte 30 gushti 1990 kur fotografi Hazir Reka kishte qenë i vetmi që kishte zënë çastin e rrallë, personin e duhur dhe këndin e përshtatshëm për t’i dërguar një mesazh botës — këmbënguljen për liri.

Fotografia e realizuar nga Hazir Reka, ku shihet protestuesi Faik Rexhepi duke i rezistuar dhunës më 30 gusht 1990. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

Pavarësisht se shumë media vendore dhe ndërkombëtare kishin qenë të pranishme që të ndjekin vizitën e kongresmenëve amerikanë në Prishtinë, atëkohë fotoreporteri i “Zëri i Rinisë”, Hazir Reka, ishte bërë arsyeja që fotografia “Këmbëkryq” të zë vend në të përditshmet vendore dhe ndërkombëtare.

Fotografia më 28 nëntor është rijetësuar në skulpturë në sheshin “Zahir Pajaziti”, afër vendit në të cilin preshevari Faik Rexhepi i kishte dhënë një mesazh botës – qëndresën për liri.

Hazir Reka në një intervistë për BIRN thotë se fotografia e Faik Rexhepit, të cilit ai gjatë gjithë intervistës i drejtohet si axha Faik, mbetet fotografia e tij e parapëlqyer vetëm për shkak të rezistencës që përcjellë.

Një çast fotografik përshkruhet me mbi 1000 fjalë

Rrëfimi i Rekës për këtë fotografi është shumë më i gjatë se momenti i shkrepjes së saj. Edhe pse kanë kaluar 32 vjet prej atij momenti, ai me detaje dhe me emocion tregon secilin veprim të Rexhepit që ishte bërë protagonist i fotografisë së tij.

Qindra njerëz me flamuj të Amerikës, më 30 gusht 1990 kishin dalur që ta presin senatorin amerikan Bob Dole dhe zyrtarë tjerë në qendër të Prishtinës. Sipas rrëfimit të Rekës, kjo kishte qenë hera e parë që në Kosovë kishte ndodhur një vizitë aq e rëndësishme për shqiptarët.

Ekipi i shqiptarëve që takonte delegacionin amerikan, udhëhiqej nga Ibrahim Rugova.

Reka thotë që Policia serbe ishte munduar t’i shpërndajë me dhunë demonstruesit që kur të vijnë kongresmenët ta gjejnë sheshin të zbrazët, por kishin hasur në rezistencën e shqiptarëve.

“Ndërkohë kur ka ardhë axha Faik edhe u ulë aty, këmbëkryq, i ka kapë për pantollonave njerëzit përreth dhe ka insistu me i ulë krejt në shesh. Si më duket e ka pas një ide që me u ulë krejt në shesh. Por aq shumë ka pas ndërkohë Polici edhe kanë qenë shumë të dhunshëm, por ky është ulë faktikisht dhe nuk ka lëvizë prej vendit derisa ka intervenu Policia” – tregon fotoreporteri.

Në atë çast, fotografi kishte qenë i pozicionuar në mes Policisë dhe turmës dhe kur kishte dëgjuar eprorin e Policisë që do të intervenojnë për pesë minuta, Reka kishte ndërruar objektivin këndgjerë që nuk ka arrin të fiksojë qartë, me objektivin këndngushtë.

Sipas tij, në atë çast kishte arritur ta ndërrojë objektivin dhe ta vendos në kuadër të ngushtë Faik Rexhepin, i cili nuk lëvizte nga vendi dhe kuadri kishte zënë të gjithë ngjarjen kur Policia kishte sulmuar masën.

Këtë fotografi aq të fokusuar në qëndrimin e Rexhpit nuk kishte arritur ta zë askush prej fotografëve tjerë.

“Secili polic që ka kalu aty i ka mëshu me shkop bacës Faik edhe kanë kalu me shpërnda masën. Po demonstrata masandej ka vazhdu shumë e dhunshme se i kanë shkel njerëzit në kokë me qizme. Ky (Faik Rexhepi) nuk ka lëvizë prej vendit. Ky ka nejt në atë pozicion si duket në fotografi edhe sot” – rrëfen me emocion fotografi.

Përpos këtij çasti, historia nuk kishte përfunduar këtu. Rezistenca kishte vazhduar edhe më tej. Fotografitë tjera kishin zënë seri me radhë kur Policia e tërheq për krahësh Faik Rexhepin, për ta futur në veturë për në stacion të Policisë.

Fotografia e Hazir Rekës pasi policia serbe e kishte tërhequr protestueisn Faik Rexhepi për ta dërguar në stacionin e Policisë. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

“Ndërkohë ka kalu një femër me një vajzë të vogël edhe ka shku ia ka shti krahun axhës Faik dhe ka fillu me u kacafyt me policë. I ka thënë “ky asgjë nuk po ju bënë pse po e merrni”, me zë të lartë.  Ata e ngrehshin këndej në anën tjetër ajo femra me vajzën e vogël edhe dikur njëri prej policëve ka sha në gjuhën serbe, edhe ai ka thanë lirone pra” – vazhdon rrëfimin Reka.

Sipas tij, kjo grua kishte qenë arsyeja se pse Rexhepi nuk ishte burgosur, e po që nuk ishte gruaja tij. Edhe pse ajo e kishte mbajtur Rexhepin për krahu deri në fund të Grandit, më pas kishte vazhduar rrugën e saj. 

Më vonë fotografi e kishte kuptuar që arsyeja që kishte shpëtuar Faik Rexhepi kishte qenë një hendbolliste nga Ferizaj me banim në Belgjikë, e cila nuk e kishte njohur Rexhepin por vetëm kishte shprehur vullnetin ta ndihmonte.

Kur fotografia “shtrin këmbët”

I gjithë xhirimi i 30 gushtit ishte i rrezikuar të fshihej nga Policia serbe. Për fatin e mirë, fotografi kishte arritur që të gjithë materialin e gjatë gjithë ditës nga ora 9 e mëngjesit deri në orën 5 ta dërgonte në redaksi.

Të nesërmen, fotografia e Faik Rexhepit ishte vendosur në ballinën e Zërit dhe jo vetëm. Më pas e njëjta fotografi i ishte kërkuar edhe nga agjencitë botërore të lajmeve.

Fotografia kishte ‘shtrirë këmbët’ e saj edhe më gjerë.

Në vitin 1992, një delegacion kishte shkuar në SHBA dhe veprimtari i çështjes kombëtare Adem Demaçi ishte takuar me senatorin amerikan Bob Dole. Me këtë rast fotografi Hazir Reka ia kishte dhuruar këtë fotografi senatorit Dole. Senatori i kishte thënë që fotografia e Faik Rexhepit vendin e ka në zyrën e tij.

Fotografi Hazir Reka duke i shpalosur fotografitë që i kishte realizuar gjatë gjithë ditës më 30 gusht, gjatë takimit të delegacionit amerikan me atë kosovar në Prishtinë. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

Me vete në këtë takim, Reka përpos kësaj fotografie kishte marrë të gjitha fotografitë që i kishte realizuar atë ditë dhe dokumentet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut për situatën në Kosovë, institucion në të cilin edhe kishte punuar.

“Kur kemi hy në takim te Bob Dole ka qenë një kroate si pjesë e zyrës së tij. Na dolëm në koridor dhe i tregova që punoj edhe për Startin e Kroacisë. I thashë që e kam me vete ekspozitën kur ka qenë Bob Dole në Prishtinë. I thashë që kisha pas dëshirë me ia dhënë një fotografi, këtë fotografi të axhës Faik” – tha Reka.

“Më tha që kur të hyjmë brenda, kur vjen momenti Adem Demaçi me folë me të, dhe pjesa kur ka qenë ai në Kosovë, ti ama fotografinë unë ia prezantoj. Ndodhi ashtu. Ai e mori fotografinë edhe përafërisht e dinte vendin edhe ngjarjes. Edhe masandej i ka thënë kroates që kjo fotografi e ka vendin këtu (në zyrën e tij)” – shtoi fotografi.

Këtë fotografi, Hazir Reka e ka ekspozuar nëpër ekspozita që ka mbajtur nëpër botë. Në vitin 2020, ai e kishte fotografuar përsëri Faik Rexhepin në po të njëjtin vend, në po të njëjtin pozicion, pa policë e dhunë përreth, por me fytyra të lumtura në liri.

Fotografia e gdhendur në skulpturë

Më 28 nëntor, kjo fotografi u gdhend në skulpturën “Këmbëkryq” në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ndër të rrallat ide në Kosovë për të vendosur skulptura që nuk janë figura qendrore, artistja 20-vjeçare nga Mitrovica, Eliza Shala, e kishte ideuar dhe punuar skulpturën e Faik Rexhepit të bazuar nga fotografia, ide që është mbështetur nga Komuna e Prishtinës.

Kjo skulpturë u mikprit shumë mirë për idenë unike, por edhe u kritikua për realizimin e saj në pamjen e jashtme.

Artistja 20 vjeçare Eliza Shala ka ideuar dhe punuar skulpturën e Faik Rexhepit afër Hotel Grandit në Prishtinë. Skulptura u pëurua më 28 nëntor 2022. Fotografia: Antigonë Isufi/BIRN

Autori i fotografisë thotë që kishte insistuar që një skulpturë e tillë të vendoset në shesh për 17 shkurt për shkak se lidhet më shumë me historinë e Kosovës. Por, ai shpreh paknaqësinë për mënyrën se si është realizuar skulptura dhe që ishte njoftuar nga drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës vetëm tri ditë para se të përurohet në shesh.

“Kur ma dërgoi vëllau i artistes fotografinë e skulpturës ende pa u vendos në shesh prej atij këndi brenda nuk u duke keq, se të njëjtën përvojë e kam pas me bustin e Bill Clinton në Podujevë. Po aty realizimi dukej mirë, por kur del në hapësirë të jashtme nuk duket realizimi i mirë” – thotë ai.

Sipas fotografit, hapësira ka ndikuar që skulptura mos të duket në formën më të mirë të mundshme. 

Reka thotë që më ideale do të ishte që skulpturës t’i vendosen edhe disa policë përreth duke iu vërsulë në mënyrë që njerëzit të kuptojnë se çfarë ka ndodhur atë ditë dhe t’i vendoset një pllakë që i informon njerëzit se kush, çka, kur dhe pse ekziston ajo figurë pikërisht në atë vend.