Foto: Bali Thaçi
Fotografia e luftës: Lindja e një fëmije në tendë në malet e Kosovës
Bali Thaçi përshkruan për BIRN momentin kur fotografoi një grua shqiptare teksa lindte në një tendë – një nga fotot e shumta që ai bëri ndërsa ishte i zhvendosur i kohës së luftës në Kosovë.
Një jetë e re sapo kishte filluar në malet afër fshatit Turjakë në komunën e Malishevës, në pranverën e hershme të vitit 1999.
Në momentin kur ai e fotografoi, fëmija bëri të qarat e para pranë nënës, derisa një infermiere kujdesej për të dy në kushte të vështira për një punonjëse mjekësore dhe për vetë lehonën e fëmijën.
Njëzet e pesë vjet më vonë, Bali Thaçi, kujton rrethanat në të cilat u gjend teksa fiksoi atë moment.
“Ishte rastësi, por edhe kuriozitet. Ishte fat që isha atje dhe dëgjova që një fëmijë po lindte nën një tendë të mbuluar me najlon, kështu që shkova për të bërë një foto,” tha ai për BIRN.
Thaçi ishte një nga mijëra civilët shqiptarë të zhvendosur në malet mes komunave të Malishevës dhe Rahovecit.
Ata kishin ikur nga shtëpitë e tyre në kërkim të një strehe më të sigurte nga një ofensivë ushtarake jugosllave që kishte detyruar më shumë se një milion shqiptarë të Kosovës të largoheshin nga shtëpitë për në vendet fqinje.
Thaçi, tani 60 vjeç, thotë se nuk e ka njohur nënën dhe gjininë e foshnjës që fotografoi. “E gjitha që di është se ajo ishte nga zona e Malishevës,” tha ai.
“Por Sanije Deskun [infermieren] e njihja më parë dhe pati një rol të madh në ndihmën e kësaj nëne për të lindur në kushte malore”, shtoi ai.
Thaçi tha se vetëm infermierja Desku ndihmoi më shumë se 30 lindje në këtë zonë gjatë një qëndrimi më shumë se tre mujor në male në kushte dëshpërimisht të rënda.
Ai thotë se marrëdhënia e tij e kahershme me fotoaparatin nisi në fund të viteve 1980, kur ai ishte student i xehetarisë në qytetin industrial të Mitrovicës.
“Kam fotografuar të gjitha protestat dhe demonstratat, përfshirë edhe grevat që minatorët organizuan në fund të viteve 1980”, thotë Thaçi.
Kur u diplomua në vitin 1991, ai e solli aparatin e tij në shtëpi dhe vazhdoi të regjistrojë gjëra të ndryshme nga përditshmëria, në vendlindjen e tij në Malishevë.
“Unë i kam ndjekur të gjitha ngjarjet që ndodhën [në vitet 1990] qofshin ato protesta politike, ngjarje kulturore apo përkujtimore,” tha ai.
Por, në pranverën e vitit 1999, kur mori aparatin së bashku me pak gjëra të tjera dhe u largua nga shtëpia e tij, ai kishte vetëm dy filma me vete, kështu që duhej të kishte kujdes se si t’i përdorte.
Përveç kësaj, ai kishte një videokamerë, por mungesa e energjisë elektrike në male nënkuptonte se ai nuk mund të mbështetej shumë në të.
“Filmat mbaruan shumë shpejt sepse kishte shumë zhvillime që duheshin kapur, kështu që vazhdova me kamerën,” kujton ai.
Thaçi thotë se arkivi i tij i fotografive dhe videove përmban shumë momente lufte.
Nja nga to është xhiruar vetëm 15 minuta pasi forcat jugosllave u larguan nga Malisheva në qershor të vitit 1999, pas marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund fushatës 78-ditore të sulmeve ajrore të NATO-s dhe mundësoi kthimin masiv të më shumë se 1 milion refugjatëve shqiptarë të Kosovës.
“Unë kam qenë në këtë pjesë, duke ecur në zonat ku popullata civile ishte strehuar në male. Ende nuk e di kush ishte nëna, nuk munda të mësoja identitetin e saj”, tha ai.
Duke mbajtur një foto tjetër në duar, Thaçi kujtoi momentin kur një granatë e hedhur nga forcat jugosllave shkaktoi shumë vdekje.
“Disa vdiqën në vende, të tjerët në spitalin e improvizuar në fshatin Kravasari. Nuk e di numrin e saktë”, tha ai.
Fotoja e realizuar në një kornizë të ngushtë, “për shkak të terrenit të vështirë të rrugës”, tregon njerëz që transportohen me një karrocë me kuaj.
Në një rast tjetër, Thaçi tha se iu desh shumë punë për të mundur që ta bëjë një xhirim dhe të xhirojë pasojat e një granatimi tjetër.
“Bateria e kamerës ishte harxhuar dhe mu desh ta merrja një bateri nga një traktor aty pranë, dhe e lidha me kamerën time. Teksa lëvizja me kamerën, dy persona mbanin baterinë pas meje”, kujton ai.
“Kam hyrë pothuajse vetëm në Malishevë dhe më pas kam shkuar në Prizren”, shtoi ai.
Ndonëse ishte tejet e rrezikshme të kesh një fotoaparat gjatë luftës në Kosovë, Thaçi thotë se kurrë nuk kishte frikë t’i merrte pajisjet e tij me vete kudo që lëvizte.
“Ndërsa ishim të strehuar në mal, dikush më pyeti se çfarë do të bëjë nëse forcat serbe më kapin me fotoaparat apo kamerë. “Unë u përgjigja: E di se çfarë do të ndodhë, por nëse mbijetoj, fotot dhe videot do të mbijetojnë gjithashtu, dhe mund të dokumentoj për brezat e ardhshëm atë që kemi përjetuar’”, kujtoi ai.
“Gjeneratat e reja nuk e kanë përjetuar këtë [luftë] dhe mund të mos kenë një ndjenjë për atë që ndodhi,” thotë ai.