FMN-ja i kërkon Shqipërisë Rritje Taksash
Në një raport të lëshuar të mërkurën, pas diskutimit mes qeverisë shqiptare dhe Fondit nga tetori deri në dhjetor, FMN-ja tha se ekonomia e Shqipërisë është dobësuar dhe zhbalancimet makroekonomike janë zgjeruar.
“Borxhi dhe nevojat publike-mes më të mëdhave në regjion, janë rritur nga humbjet fiskale, sidomos në pjesën e parë të 2013-ës dhe nga ekonomia e ngadaltë”, thekson FMN-ja.
“Numri i madh i kredive me probleme kanë kufizuar rritjen e depozitave bankare dhe dobësuar indikatorët e brendshëm dhe parandaluar reduktimin e zhbalancimeve të jashtme”, thuhet më tutje në raport.
Fondi në raport sugjeron që me qëllim të zvogëlimit të shkallës së borxhit publik në vitin 2015 dhe për ta reduktuar atë nën 60 për qind në periudhë afatmesme, Shqipëria ka nevojë të vendosë taksa shtesë dhe të bëjë reforma në fushën e shpenzimeve, për ta trajtuar deficitin e lartë.
Në mesin e masave të mundshme të sugjeruara nga FMN-ja janë rritja e një numri të taksave dhe akcizës, një pagesë vjetore për licencë të automjeteve, një reduktim në vjedhje të energjisë elektrike dhe rritje e moshës së pensionimit në 65 vjeç për gratë dhe 67 për burrat. Aktualisht, femrat dalin në pension si gjashtëdhjetëvjeçare dhe burrat kur mbërrijnë 65 vjetët.
Një masë tjetër e sugjeruar nga FMN-ja përfshin taksat e mallrave të luksit, siç janë stolitë dhe makinat e shtrenjta, një taksë të sheshtë për banorët që udhëtojnë jashtë vendit, rritjen për 50 për qind të tatimit vjetor për makinat e përdorura, një vënie taksash prej 7.5 për qind për bizneset me qarkullim 2 deri në 8 milionë, rritje të çmimeve të derivateve të naftës prej 6,5 për qind nëpër pompa dhe dyfishim të tatimit në pronë kur prona përdoret për qëllime komerciale.
“Reformat ambicioze, duke përfshirë fushën e pensioneve, energjisë, qeverisjes lokale, administratës publike dhe mjedisit të biznesit, janë thelbësore për të mbështetur rritjen afatmesme dhe qëndrueshmërinë e borxhit”, theksoi FMN-ja.