"Fluturimi" i parasë publike për luksin në qiell

Ministria e Punëve të Jashtme doli të jetë institucioni që shpenzoi më shumë paranë publike për komoditet dhe cilësi në udhëtimet me aeroplan, e thënë ndryshe për “luksin në qiell” gjatë periudhës 2016-2019. Në emër të lobimit për njohje duke u thirrë në një vendim të Qeverisë, ky dikaster qeveritar për punë të jashtme veproi përtej lejimeve të Udhëzimit Administrativ që rregullon udhëtimet zyrtare.

Shpenzime për udhëtime përtej limitit sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit për periudhën 2016-2019 pati edhe Zyra e Kryeministrit, tri ministri të tjera dhe Policia e Kosovës. Por jo vetëm, u shpenzuan shuma të tjera parash edhe për shtyrje e anulim të fluturimeve, udhëtime pa planifikim e vizita të pa realizuara.

Disa institucione publike kanë shpenzuar rreth 1.1 milion euro më shumë, se sa kishin planifikuar për bileta të udhëtimit jashtë vendit.

Institucione si Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë shpenzuar mesatarisht 503 euro për një biletë, nga 11 mijë e 654 bileta, ndërsa planifikimi ka qenë që mesatarisht një biletë të kushtojë 400 euro.

Dy kontrata të centralizuara, për vitet 2016-2019 nga Agjencia Qendrore e Prokurimit për udhëtimet e zyrtarëve publik jashtë vendit, i kushtuan buxhetit të Kosovës 9.6 milionë euro.

Vetëm te kontrata e parë për bileta u shpenzuan rreth 1.1 milion euro. Ku këto mjete do të mund të kurseheshin nëse në udhëtimet zyrtare nuk do të zgjedhnin bileta luksoze, por bileta më të lira ekonomike, ndërsa kontrata e dytë është në zbatim.

Deri në vitin 2016, institucionet që kanë pasur nevojë për transport ajror e kanë bërë atë përmes kontratave individuale.

Prej vitit 2016, institucionet e nivelit qendror fillimisht, e më pas edhe ato të nivelit lokal, janë përfshirë në kontratën e centralizuar për shërbimet e transportit ajror. Përgjegjëse për këtë aktivitet të prokurimit të centralizuar dhe lidhjen e kontratave, është Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).

Deri në nëntor të vitit 2020, AQP-ja ka nënshkruar dy kontrata të tilla, për shërbime të transportit ajror, ndërsa kontrata e tretë është në proces të aktivitetit të prokurimit.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, vlera e kontratës së parë ishte 4 milionë e 773 mijë e 200 euro, ndërsa kishte afat për zbatim 36 muaj, nga viti 2016 deri më 2019, ndërsa kontrata e dytë kishte vlerën e 5 milionë euro dhe afatin e zbatimit e kishte për 14 muaj.

Ekzistojnë disa klasa të fluturimeve të cilat dallojnë nga njëra – tjetra për nga cilësia e shërbimit dhe komoditetit gjatë fluturimit, duke nisur nga Klasa e parë si më e mira dhe e shtrenjta, më pas Klasa e parë me zbritje – biznes, Klasa Premium ekonomike dhe Klasa ekonomike, ku kjo e fundit është më e lira për nga çmimi.

ZKA thotë se nga auditimi i kryer u gjet se 212 bileta me vlerë 353 mijë e 695 euro ishin të klasës më të lartë, se ajo ekonomike.

Ministria e Punëve të Jashtme kishte blerë 147 bileta të tilla me çmim total 273 mijë e 408 euro, Policia e Kosovës kishte blerë 51 bileta me 59 mijë e 147 euro, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor 6 bileta me çmim 3 mijë e 116 euro, Zyra e Kryeministrit kishte blerë 3 bileta me 12 mijë e 670 euro, Ministria e Punëve të Brendshme kishte blerë 3 bileta me çmim 4 mijë e 864 euro kurse Ministria e Drejtësisë 2 bileta me çmim 490 euro.

“Mbi 8 mijë euro një biletë aeroplani”

Të dhënat tregojnë se Ministria e Punëve të Jashtme kishte blerë 40 bileta të Klasës Premium ekonomike, në vlerë 31 mijë e 673 euro që është 20 për qind më e shtrenjtë se Klasa ekonomike. 84 bileta të tjera i kishin blerë të Klasës biznes, me vlerë 177 mijë e 335 euro dhe 23 bileta të Klasës së parë në vlerë prej 64 mijë e 400 euro.

Raporti i Auditorit po ashtu gjeti se për të njëjtin relacion të së njëjtës datë, bileta e Klasës ekonomike, me Klasat e tjera ka dallim 2,200 deri në 4,800 euro më lirë.

Në 11 udhëtime, që ZKA-ja ka kryer auditim të biletave, Ministria e Punëve të Jashtme kishte paguar 41 mijë e 886 euro për bileta të Klasës më të lartë se ekonomike, ndërsa për të njëjtat udhëtime nëse do të kishte blerë bileta të klasës ekonomike, MPJ-ja do të kursente 27 mijë euro.

Gjithashtu edhe në kontratën e dytë të nënshkruar nga AQP-ja, u gjet se Ministria e Punëve të Jashtme kishte bërë më së shumti shpenzime sa i përket udhëtimeve.

Gjithsej 44 bileta, nga 501 të audituara, u gjeten se kanë qenë të Klasave më të larta se Klasa ekonomike. Kostoja e përgjithshme e këtyre biletave ishte 102 mijë e 260 euro.

Në 9 udhëtime që ka audituar, ZKA-ja gjeti se shpenzimi për 9 bileta ishte 37 mijë e 574 euro, ndërsa nëse do të kishin blerë bileta ekonomike, ato do të kushtonin 19 mijë e 761 euro, apo do të mund të kursente rreth 17 mijë euro.

Sipas raportit, te Ministria e Punëve të Jashtme biletat e klasave më të shtrenjta ishin blerë kryesisht për ministrin njëkohësisht edhe zëvendëskryeministër, si dhe për zyrtarë të huaj që ishin ftuar për të marrë pjesë në organizime të ndryshme shtetërore.

Shumica e udhëtimeve që i kishte ndërmarrë ministri, ishin me biznes-klasë, i cili për 33 bileta kishte shpenzuar 102 mijë e 848 euro, gjatë viteve 2017-2018. Çmimi mesatar për biletë ishte 2 mijë e 700 euro. Bileta më e shtrenjtë e paguar për ministrin ishte 8 mijë e 222 euro për udhëtimin në relacionin Frankurt  – Hong Kong.

Kjo biletë ishte paguar për ministrin e atëhershëm të Punëve të Jashtme dhe zv.kryeministrin, Behgjet Pacolli.

Këshilltari i Pacollit, në kohën sa ai drejtonte dikasterin e Punëve të Jashtme, Jetlir Zyrberaj, ka arsyetuar çmimin e biletës duke thënë se vizita ishte konfirmuar në momentin e fundit.

“Gjatë asaj vizite z. Pacolli u takua me guvernatoren e Hong Kongut, që ishte takimi i parë i një zyrtari kosovar me një zyrtar të lartë kinez që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Vizita u konfirmua në momentin e fundit nga Qeveria e Hong Kongut”, ka thënë Zyberaj për KALLXO.com.

Behgjet Pacolli posedon aeroplan privat. Zyberaj tha se në shumicën e udhëtimeve jashtë vendit ai i ka bërë me shpenzime personale duke përdorur edhe aeroplanin e tij.

Zyra Kombëtare e Auditimit gjeti se Ministria e Punëve të Jashtme kishte blerë një biletë në relacionin Nairobi (Kenia) – transit përmes Amsterdamit – në New York dhe anasjelltas, e cila fillimisht ishte paguar me çmim 1,499 euro dhe ishte anuluar, për tu blerë menjëherë biletë tjetër për datën e njëjtë të udhëtimit, por tashmë përmes transitit tjetër Stambollit, me biznes – klasë. Bileta e re e paguar ishte 4 mijë e 440 euro.

“Arsyetim për këtë ndërrim ishin shkaqet shëndetësore të shfrytëzuesit të biletës”, thuhet në raport.

Në një rast tjetër për një mysafir nga Afrika, MPJ-ja kishte rezervuar dy bileta në vlerë 3 mijë e 321 euro, të cilat pastaj i kishte anuluar, për shkak se udhëtimi nuk kishte mundur të realizohet. Ministria në fjalë kishte kërkuar rimbursim, por kishte arritur të rimbursoj vetëm 152 euro.

ZKA-ja ka gjetur një tjetër rast tjetër në MPJ. MPJ-ja u kishte rezervuar dy zyrtarëve të saj bileta në relacionin Shkup – Cyrih, me datën 6 shtator 2019, me vlerë 976 euro, të cilat nuk ishin shfrytëzuar. Një ditë më pas, për të njëjtit zyrtarë MPJ-ja kishte blerë edhe dy bileta në të njëjtin relacion, në vlerë prej 880 euro. Pra, për udhëtimin Shkup – Cyrih këta dy udhëtarë kishin shpenzuar 1,856 euro në vend të 880 eurove, për shkak se nuk e kishin planifikuar si duhet udhëtimin.

MPJ-ja është arsyetuar tek ZKA-ja, bazuar në vendimin e Qeverisë, se ministrit të Punëve të Jashtme dhe delegacionit të tij, i lejohet tejkalimi i shpenzimeve të reprezentacionit dhe udhëtimeve jashtë vendit, gjatë lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, rezulton se tre faktorë kryesorë që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror janë udhëtimet në biznes-klasë, shtyrjet e udhëtimeve si dhe anulimet e udhëtimeve.

Edhe Policia e Kosovës “dorëlirë” në udhëtime

Zyra Kombëtare e Auditimit kishte audituar bileta të udhëtimit edhe në Policinë e Kosovës.

Aty u gjet se nga 501 bileta me vlerë 297 mijë e 705 euro, 51 prej tyre ishin të Klasës më të lartë se ajo ekonomike. Kosto totale e këtyre 51 biletave ishte 59 mijë euro, ndërsa çmimi mesatar ishte rreth 1 mijë e 160 euro.

Policia e Kosovës për udhëtimin Prishtinë – Pekin (Kinë), për Klasë ekonomike kishte paguar 1 mijë e 523 euro, ndërsa për udhëtimin në Klasën biznes në të njëjtën datë dhe destinacion kishte paguar 3 mijë e 623 euro, apo 2 mijë e 100 euro më shumë.

Gjithashtu, edhe në kontratën e dytë, u gjet se Policia e Kosovës kishte blerë 51 bileta, të klasave më të larta se klasa ekonomike. Vlera e përgjithshme e tyre ishte 68 mijë e 947 euro.

“Kryesisht biletat e tilla ishin blerë për zyrtarin policor që ishte në mbrojtje të afërt të ish presidentes së Kosovës. Policia e Kosovës për zyrtaren në fjalë kishte shpenzuar rreth 34 mijë euro për 16 bileta, e që i takojnë klasës biznes. Mesatarisht bileta për të ka kushtuar rreth 1 mijë e 401 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas këtij raporti, bileta më shtrenjtë e paguar për zyrtarin në fjalë ishte 5 mijë 483 euro, për relacionin nga Vjena për në Boston (ShBA) dhe kthim për në Prishtinë.

Zyrtarëve në institucione publike u ka kushtuar më shtrenjtë një biletë, kur ata e kanë shtyrë ose anuluar udhëtimin.

“Me fjalë të tjera për çdo biletë të klasave më të larta se ekonomike, Organizatat Buxhetore (institucionet) kanë pasur mundësi të blejnë afër 3 bileta të klasës ekonomike”, thotë raporti.

Ndërsa Udhëzimi Administrativ për Udhëtime jashtë vendit thotë se klasa e lejuar për udhëtimet zyrtare me aeroplan është Klasa ekonomike.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjashtë nga nëntë institucione publike të audituara, është gjetur se kishin blerë bileta të klasave më të larta se Klasa ekonomike.

“Në emër të Pavarësisë së Kosovës”

Ministria e Punëve të Jashtme ishte arsyetuar se shpenzimet në biletat e udhëtimeve, më shumë se që ishin planifikuar, ishin bërë për shkak të lobimit për njohje të pavarësisë së Kosovës.

Udhëzimi administrativ 2004/07 për udhëtimet zyrtare të cilin ZKA e përmend në raport, i përket periudhës së para shpalljes së pavarësisëm vitit 2004 dhe përbëhet prej 28 neneve.

Në nenin 16 të këtij udhëzimi thuhet se cila klasë e udhëtimit me aeroplan lejohet në udhëtimet zyrtare.

“Klasa e lejuar për udhëtimet zyrtare me aeroplan është klasa ekonomike. Nëse planet e udhëtimit ndryshojnë pasi te jete prere bileta, atëherë institucioni përkatës do te marrë përgjegjësinë për çdo shpenzim shtese”, thuhet në udhëzim.

Raporti i auditimit i rekomandon Qeverisë që të rishikohet ky udhëzim.

“Të rishikojë Udhëzimin Administrativ Nr. 2004/07 për të adresuar çështjen e klasave të lejuara të udhëtimit në transport ajror, duke specifikuar qartë rastet dhe funksionet që bëjnë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm.”, thuhet në raport

Nëpërmjet këtij udhëzimi ende rregullohen udhëtimet zyrtare, procedurat që duhet ndjekur për aprovim dhe pagesa.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme, sipas Auditorit, ka thënë se për shpenzimet e tilla është bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës, të datës 12 qershor 2008, në të cilën lejohet tejkalimi i shpenzimeve.

Vendimi ishte i nënshkruar nga kryeministri në atë kohë, Hashim Thaçi.

“Ministria e Ekonomisë dhe Financave të lejojë tejkalimin e shpenzimeve të reprezentacionit si dhe shpenzimet me rastin e udhëtimeve jashtë vendit të Ministrit të Punëve të Jashtme dhe delegacionit të tij, jashtë rregulloreve dhe kufizimeve nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave”, thuhet në këtë vendim.

Sipas vendimit, mbështetja financiare ishte për vizitat për lobim për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Periudha që mbulon raporti i ZKA-së për kontratat e centralizuara të transportit ajror, i përket viteve 2016-2019. Gjatë asaj kohe Kosova kishte qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Isa Mustafa, të cilën Kuvendi e shkarkoi në maj të vitit 2017 dhe pas zgjedhjeve u formua qeveria e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në muajin shtator të vitit 2017, e i cili dha dorëheqje në muajin korrik të vitit 2019.