Shtëpia "Vjosa 65 H", Foto: Visual Business

Shtëpia e së ardhmes

“Kudo vete shtëpinë me vete”. Breshkaaaa…

Kjo ka qenë zgjidhja e gjëegjëzës për të cilën nxënësve në bankat e shkollës nuk u është dashur të mendojnë gjatë.

Por tashmë këtë privilegj nuk do ta kenë vetëm breshkat, secili do të ketë mundësinë të marrë shtëpinë me vete, kudo që të vendosë për të jetuar.

Shtëpitë të cilat mund të barten me kilometra të tëra nga një vend në një vend tjetër kanë filluar të realizohen këtë vit nga familja Behxheti, e cila është me prejardhje nga Gjilani por jeton në Finlandë.

Shtëpia e parë e këtij lloji është “Vjosa 65 H”, e cila është emërtuar sipas vajzës së vetme të Lulzim Behxhetit, i cili së bashku me gruan Teviden, fëmijët Blerimin dhe Vjosën kishin emigruar në Helsink në vitin 1992. Më vonë në familje kishte ardhur edhe fëmija i tretë, Genci.

“Vjosa 65 H”, shtëpia e parë e ndërtuar e gjitha nga druri e cila ka madhësinë 65 metra katrorë, ka arritur të ndërtohet dhe të jetë e gatshme për banim brenda 33 ditëve. Më pas ka udhëtuar 1500 kilometra e vendosur në një kamion, nga Çekia për në Helsinki të Finlandës, ku është prezantuar në ekspozitën “Finland Housing Fair” që është mbajtur gjatë muajit të kaluar.

Sipas organizatorëve, kjo ekspozitë ka arritur të tërheqë rreth 250 mijë vizitorë dhe është më e madhja e këtij lloji në Skandinavi.

Shtëpia është ideuar, dizajnuar dhe realizuar nga kompania “BVG Housing”, në të cilën drejtor është Blerimi, djali i madh i familjes Behxheti, arkitekt është Lulzim Behxheti kurse vizualist është djali i vogël i familjes, Genci.

Emri i kompanisë “BVG Housing”, mban shkronjat e para të emrave të tre fëmijëve të familjes Behxheti dhe në logon e saj ka të vendosur simbolin e flamurit kombëtar, shqiponjën e zezë me dy koka.

Porosi edhe nga Serbia

Logo e “BVG Housing”, Foto: BVG Housing

Kanë mjaftuar pak ditë që shtëpia të qëndrojë e ekspozuar në “Finland Housing Fair” dhe ajo të shitet. Shtëpia e parë, “Vjosa 65 H” është shitur gjatë ekspozitës në Helsinki me një çmim promocional prej 175 mijë euro. Por çmimi normal i saj do të jetë 219 mijë euro.

Ndërsa ekspozimi i saj ka tërhequr edhe dashamirë të tjerë të këtij projekti. Tashmë “BVG Housing” do të realizojë edhe 36 shtëpi të tilla të cilat janë për vende të tjera jashtë Finlandës.

Porositë për shtëpitë prej druri kanë ardhur nga Kopaoniku i Serbisë, Kanadasë, Norvegjisë, Davosit në Zvicër, Italisë, Francës dhe Polonisë. Ndërsa pas ekspozitës kanë filluar negociatat me disa prej resorteve më të mëdha në Finlandë për realizimin e projekteve të tilla.

Projekti “Vjosa 65 H” ka arritur të marrë çmimin si “projekti më inovativ i gjeneratës së re në kompakt living” prej 137 projekteve që janë prezantuar në “Finland Housing Fair” në Helsink.

“Vjosa 65 H” është realizuar për 33 ditë por “BVG Housing” e ka si synim që një shtëpi e tillë të kompletohet brenda 21 ditëve.

Përveç shtëpisë, logon “BVG” e mbajnë edhe mobilet brenda saj, të cilat po ashtu janë dizajnuar dhe punuar nga familja Behxheti. Tashmë “Vjosa 65 H” do të udhëtojë përsëri te pronari i saj i ri.

‘Shtëpia me rrota’

Shtëpia “Vjosa 65 H” e vendosur në ekspozitë në Helsink, Foto: Visual Business

Ideja për të realizuar diçka që nuk është bërë prej dikujt tjetër ka bërë që familja Behxheti të fillojë hulumtimet për konstruksionet e shtëpive që mund të lëvizen, qysh në vitin 2012.

‘Shtëpia me rrota’ apo projekti “Vjosa 65 H”, është ndërtuar sipas konstruksionit CLT (Cross Laminated Timber) apo copat e drurit të ngjitura në mënyrë kryqësore. CLT është një produkt i ri që e ka zanafillën qysh para 30 viteve kur një mjek japonez kishte marrë nismën për të ndërtuar një spital kundër alergjive të ndryshme.

Ai kishte dashur që muret e këtij spitali të lejojnë të hyjë brenda ajri i pastër dhe të largojë jashtë ajrin e papastër. Një kompani finlandeze kishte punuar për tri vjet në këtë projekt dhe kishte arritur në përfundim se CLT e formon një konstruksion që është rezistent ndaj zjarrit, është frymëmarrës, e merr ajrin e pastër nga jashtë, e largon ajrin e papastër dhe i ka disa specifika të tjera teknike.

Prodhimi i konstruksioneve CLT për shtëpinë “Vjosa 65 H” është realizuar nga një fabrikë në Çeki, që është një prej të paktave që e prodhojnë këtë lloj materiali. Shkronja ‘H’, e vendosur në emrin e këtij projekti prej finlandishtes ‘haria’ që do të thotë me kulm. Kjo pasi “BVG Housing” bën edhe realizimin e shtëpive me kulm të rrafshtë ‘I’.

Gjatë periudhës së hartimit të ideve për këtë projekt, familja Behxheti ka hulumtuar fabrikat që prodhojnë materialin CLT dhe përfundimisht kanë filluar bashkëpunimin me kompaninë “Novatop” nga Çekia, e që është pronë e disa zviceranëve.

“Ne i kemi ba hulumtimet në 4 vitet e fundit se me cilën fabrikë në botë do të fillojmë me i bo produktet. Konstruksioni i mureve nuk prodhohet prej BVG-së mirëpo ne kemi bo hulumtime se me cilën me bashkëpunu, cila na dëgjon neve idetë çka po dojmë me bo ne. Edhe kemi fillu me kontaktu me “Novatop” në Çeki, kemi bërë marrëveshjet e para edhe na kanë dëgju me vëmendje”, ka thënë Lulzim Behxheti për Gazetën JnK.

Gjatë periudhës përgatitore para se të nisin projektin e tyre vizionar, familja Behxheti me kompaninë e tyre “BVG Housing” kanë marrë pesë patenta që lidhen me mënyrën e ndërtimit dhe bartjes së shtëpisë, të cilën nuk mund ta bëj askush tjetër pos tyre.

Njëra nga patentat është në ‘utility’. Askush nuk mund të ndërtoj një shtëpi me CLT dhe me dimensionet e “BVG Housing”. Familja Behxheti ka patentuar edhe muret e shtëpisë.

“BVG Housing” ia dërgon fabrikës “Novatop” projektin e shtëpisë, mandej ajo prodhon muret CLT sipas dimensioneve të kërkuara.

Shtresa e parë e murit të patentuar nga “BVG Housing” përbëhet nga CLT me trashësi 84 milimetra, kësaj shtrese i shtohen 200 milimetra izolim me fibra të drurit, më pas vjen edhe një shtresë më e hollë e CLT-së prej 27 milimetrave mandej është një hapësirë e ventilimit dhe si shtresë e fundit vjen prapë shtresa e CLT-së me trashësi 27 milimetra.

“Muret tona i kemi të patentuar, askush në botë nuk mundet me i bo siç i bëjmë ne”, është shprehur Lulzim Behxheti.

Familja Behxheti ka patentuar edhe mënyrën e vendosjes së shtëpisë mbi kamion dhe zbritjen e saj pas udhëtimit mijëra kilometrash të saj për të arritur në vendin e përcaktuar.

“E kemi patentën në kranim, mënyra qysh duhet me vendos krejt atë shtëpi në kamion për me sjellë prej vendit ku prodhohet deri në Finlandë që është1500 km. Mënyra e kranimit, ato 5 minuta janë delikate, nuk është delikat udhëtimi i shtëpisë 1500 km, sa është delikat momenti i kranimit”, ka rrëfyer kryefamiljari Lulzim Behxheti.

Çdo gjë nga druri

Foto: BVG Housing

Edhe lloji i drurit me të cilin ndërtohen muret e shtëpisë është specifik. Druri i cili përdoret është e një pjesë të Finlandës që quhet Kairalla. Nga atje druri udhëton për në Çeki, ku edhe mandej përpunohet në fabrikë.

Para se të hyjë druri në përpunim, lihet për dy vite në bore në mënyrë që të forcohet dhe të thithë të gjithë lagështinë. Kjo lagështi mandej i largohet në fabrikë.

“CLT normale e ka 13% lagështinë, te shtëpitë tona kemi arritur me e zbrit në 8%”, ka treguar Lulzim Behxheti.

Shtëpia e realizuar nga familja Behxheti etiketën edhe të shtëpisë pasive. Kjo shtëpi nuk ka nevojë për ngrohje të veçantë pasi falë konstruksionit të saj i mjafton vetëm energjia që e lirojnë frigoriferi, shporeti, mikrovala dhe llambat.

Po ashtu, shtëpia është rezistente edhe ndaj temperaturave të ftohta deri në -40 gradë celsius pasi është ndërtuar sipas specifikave Laplandisë, njërit prej rajoneve më të ftohta në Finlandë. Përveç mureve të shtëpisë edhe dritare janë porositur nga Gjermania që edhe ato t’i kenë vlerat në mënyrë që të jenë rezistente ndaj temperaturave të ulëta.

“Në shtëpitë tona nuk përdorim asnjë materie plastike, jashtë drurit, çdo send është prej drurit”, ka deklaruar arkitekti Behxheti.

Tashmë “BVG Housing” ka filluar negociatat me Komunën e Helsinkit që shtëpitë me kulme të rrafshëta të mund të vendosen mbi ndërtesa.

“Thjesht vjen helikopteri e merr modulin dhe e vendos mbi ndërtesë, nuk ka nevojë me pas leje të ndërtimit paraprak”, ka potencuar arkitekti Lulzim Behxheti.

Gjithashtu, me Komunën e Helsinkut ata janë duke e shqyrtuar mundësinë e vendosjes së shtëpive me kulm trekëndësh dhe atyre me kulm të rrafshët mbi ujë, si shtëpi statike.

“Helsinku është 70% mbi ujë, është vend i vogël dhe nuk ka vende më ku me u ndërtu. Kanë fillu me zgjeru Helsinkin kah deti tu e mbush me shkëmbinj e me gurë se nuk ka vend ku me u ndërtu më”, ka shtuar Behxheti, duke folur për të ardhmen e shtëpive modulare të projektuara nga “BVG Housing”.

Shtëpia “Vjosa 65 H” nga brenda, Foto: Visual Business

Vula e “BVG Housing”

“Vjosa 65 H” është projekti i fundit i realizuar nga “BVG Housing”. Por para se të fillojë me ndërtimin e shtëpive me CLT, “BVG Housing” që nga viti 2005 është marrë me blerjen e apartamenteve nga 26 deri në 30 metra katrorë në qendër të Helsinkut, renovimin dhe më pas shitjen e tyre.

Të gjitha këto apartamente të renovuara kanë vulën e “BVG Housing” të gdhendur nëpër mobilet e tyre, pasi të njëjtat janë dizajnuar dhe prodhuar nga familja Behxheti.

Si ide kjo kishte nisur kur familja Behxheti kishte shkuar për të jetuar për një kohë në Poloni, në një vend malor në Karpate, afër Zakopanës. Në garazhin e kësaj shtëpie, djalit të madh të familjes, Blerimit i kishte ardhur ideja që të blej një apartament dhe së bashku me babain e tij të bëj projektin se si do të duket ky apartament i renovuar. Realizimi i dizajnit të apartamentit të parë i cili ishte vetëm 26 metra katrorë shtyu Blerimin të mendoj për të vazhduar edhe më tutje këtë biznes.

“BVG Housing” është e specializuar në renovim të apartamenteve të vogla deri në 30 metra katrorë. Gjatë një viti ata kanë punuar mbi 30 apartamente, brenda të cilave janë vendosur kuzhinat, dollapët për rroba, pajisjet e banjos, shtretërit që mund të palosen për muri. Të gjitha këto me vulën e “BVG Housing”.

Të gjitha këto mobile prodhohen në Poloni, në lokalin rreth 200 metra katrorë, i cili është në pronësi të familjes Behxheti.

Vula “BVG” në mobilet e shtëpisë, Foto: Visual Business

Rruga drejt suksesit, nga emigrantë në biznesmenë

Lulzim Behxheti ishte student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Prishtinë por me fillimin e protestave studentore dhe ndërhyrjes serbe, ai kishte ndërprerë studimet qysh në vitin tretë.

Më vonë, në vitin 1992 ai e kishte marrë rrugën drejt Helsinkit në Finlandë së bashku me gruan dhe dy fëmijët e tij. Kjo pasi pushteti jugosllav ia kishte marrë banesën në qendër të Gjilanit dhe kishte kërkuar nga ai që të nisej për në Slloveni për shkak të fillimit të shkëputjes së shteteve nga ish-Jugosllavia.

“Atëherë filloi era e luftës së Sllovenisë, filloi mobilizimi, erdhën tek unë në shpi me i nënshkru letrat për me u nis për në Slloveni, unë nuk i prita hiq, fati im ishte se atëherë ende nuk kishte viza, Finlanda ishte vendi i fundit që i vendosi vizat për ish-Jugosllavinë”, ka rrëfyer Behxheti për Gazetën JnK.

Behxheti ka qenë hendbollist i ekipit të Bozhurit të Gjilanit kështu që arsyeja pse ka zgjedhur Finlandën si destinacion, ishte pasi ai kishte siguruar një kontratë gjysmë-profesioniste me ekipin “HIFK”.

“Para se me u nisë unë i kam pasur disa kontakte të hendbollit nëpër Evropë dhe fati e dashti që mujta me depërtu domethënë me kontratë. Jam nisë prej Kosovës në Helsink me kontratë gjysmë-profesioniste për hendboll”, ka shtuar Behxheti.

Në fillim klubi ‘HIFK’ iu kishte dhënë një apartament familjes Behxheti për të qëndruar. Behxheti tregon se në atë kohë hendbolli nuk ka qenë sport i popullarizuar dhe se vetëm ai ka qenë i vetmi i huaj në ekipin ‘HIFK’.

Lulzim Behxheti me dy djemtë e tij, Blerimin dhe Gencin

“Isha i vetmi i huaj në klub atëherë, mandej i sjellën edhe dy estonezë”, ka treguar Behxheti.

Për tri vite me radhë Lulzim Behxheti ka vazhduar karrierën e hendbollit në Finlandë derisa lëndimi i gjurit ia ndërpreu atë.

Në vitin 1997, ai e kishte themeluar kompaninë “BVG Invest” dhe kishte filluar të merrej me blerjen dhe shitjen e restoranteve. Kjo kompani u bë bazë e “BVG Housing” e cila u themelua vite më vonë.

Behxheti në vitin 2003 kishte vendosur që t’i vazhdonte studimet që i kishte lënë në gjysmë në Universitetin e Prishtinës. Ai u regjistrua në Universitetin teknik të Helsinkit (RATO) dhe studimet për arkitekturë i përfundoi në vitin 2007.

Planet për Kosovë dhe Shqipëri

“Nuk mundemi me shku në Sharr e në Bogë e me pas një shtëpi me tulla e blloka”, ka thënë Lulzim Behxheti kur ka filluar të flas për idenë e shtëpive lëvizëse prej drurit në Kosovë dhe Shqipëri.

Ai ka thënë se së bashku me arkitektin Përparim Rama janë duke menduar që shtëpitë me kulm të rrafshët të fillojnë t’i vendosin nëpër shkëmbinjtë e vendeve bregdetare në jug të Shqipërisë.

Behxheti ka treguar se janë duke planifikuar që shtëpitë që do të vendosen nëpër shkëmbinjtë e Dhërmisë të jenë ‘of grid’. Kjo do të thotë që këto shtëpi do ta kenë të integruar ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe burimin e energjisë elektrike.

“E këto module e kemi mendu me i vendos nëpër shkëmbinjtë e Dhërmisë, ku nuk ka nevojë me pas qasje të rrugës, s’ka nevojë me pas rrymë, ujë”, ka thënë Behxheti duke folur për planet e së ardhmes.

E sa i përket Kosovës, Behxheti ka thënë se edhe në Kosovë disa kompani do të mund të realizojnë projekte të ngjashme edhe pse kjo kërkon instim të madh.

“CLT nuk është prej të lirave por duhet me u bo edhe te na. Do investim kapital edhe edukim kapital po pse mos me bo dikush edhe në Kosovë diçka të ngjashme”, ka shtuar ai.

Po ashtu ka treguar se po planifikojnë që vitin e ardhshëm në Prishtinës të sjellin një shtëpi lëvizëse në mënyrë që njerëzit ta shohin nga afër se çka është një ‘shtëpi me rrota’, e gjitha prej drurit.

“Nuk është e parealizueshme që një projekt tonin nuk e sjellim në Kosovë. Sivjet me siguri që jo, por për vitin e ardhshëm besoj që po. Dojmë me vendos diku në qytet Prishtinë, për me pa njerëzit se çka është”, ka përfunduar Behxheti.

Për të sugjeruar dhe njoftuar për suksese të individëve dhe kompanive në mbarë diasporën inkurajoheni që të shkruani në [email protected] me subjekt storie suksesi nga diaspora.