Filmimet zbardhin keqpërdorimet e testeve të COVID, mostra sot - rezultati kur të duash

Një hulumtim i Kallxo.com ka zbardhur një skemë tjetër të mundësisë së keqpërdorimeve me testet Covid-19. Skema dëshmon një formë tjetër prej asaj që deri më tani Policia e Kosovës ka arritur të zbuloj me aksionet për arrestimin e disa dizajnerve dhe pronarëve të fotokopjeve apo laboratorëve ku falsifikoheshin testet.

Vendimi i Qeverisë së Kosovë që të gjithë qytetarët e Kosovës që udhëtojnë jashtë vendit nëpërmjet aeroportit të Prishtinës duhet të jenë të pajisur me testin PCR të Covid-19 është shfrytëzuar për të ndërtuar një skemë të falsifikimeve dhe keqpërdorimeve të rezultateve të këtyre testeve.

Në korrik të 2020 Ministria e Shëndetësisë licencoj disa laboratorë për të kryer teste të Covid-19 ndërsa i ndaloj Institutit Kombëtarë të Shëndetit Publik që të realizoj teste për udhëtim.

Së fundi mediat zvicerane raportuan se një pjesë e qytetarëve nga Kosova udhëtuan duke përdorur teste të falsifikuara.

Por si u shfrytëzua privatizimi për falsifikime?

Vendimi për të privatizuar testet e udhëtimit u shoqërua me afera të keqpërdorimeve. Ministria e shëndetësisë nuk u ka ofruar laboratorëve private mekanizma të sigurisë për testet ndërsa në kufi nuk u kërkua as kuponi fiskal që do dëshmonte se testet janë kryer në një institucion të licencuar.

Të paktën 10 persona janë arrestuar në javët e fundit në vend për dyshimet për falsifikime të rezultateve. Personat ishin kryesisht dizajnerë dhe persona që punonin në fotokopje ku shiteshin rezultatet.

Një hulumtim i Kallxo.com ka zbardhur probleme të tjera në keqpërdorimin e mënyrës së testimit.

Në korrik të këtij viti Kallxo.com ka pranuar informacionin se një laborator në qytetin e Vushtrrisë  ka zhvilluar një format interesant ku mostrat merreshin një ditë ndërsa datat e rezultateve shënoheshin sipas kërkesës së qytetarëve në ditën kur ata udhëtojnë.

Hulumtimi i filmuar tregon se si gazetarja dakordohet me laboratorin në Vushtrri  për datën e testit për COVID-19 edhe pse data e shënuar në rezultat do duhej të ishte ajo e ditës kur pacienti testohet.

Gazetarja kërkon që testi të mbaj datën 3 gusht ndonëse nuk mund të jep mostrën po atë ditë.

“Po mua po më duhet për të martën me qenë data (3 gusht) , por që të martën nuk mundem me qenë anej për me jep mostrën”, thotë gazetarja.

Për këtë bie dakord laboratori i cili pranon që data në test të jetë sipas kërkesës.

“Data po të bënë përshtypje ty a po, me ta qit me datën e të martës, a po thu ?”, pyet doktoresha e laboratorit.

“Ne ua printojmë rezultatin me një datë të caktuar, kur të ju vyn juve na i shtijna në sistem. Të shtunën mundeni me ardh që me kanë ma afër me jep mostrën (31 korrik) tani masnej mundemi me ua bo datën. Nuk është problem për datë po pa e jep mostrën nuk mundemi”, dëgjohet në bisedën në mes gazetarës dhe laboratorit.

Në filmime, gazetarja jep mostrën të shtunën më (31 korrik).

“Kam ardh me bo testin, keni fol bashkë më doktoreshën atë ditë? Tani rezultati me dal të martën”, thotë gazetarja kur shkon të jap mostrën në laborator.

Sipas marrëveshjes, testi i COVID-19 mban datën e 3 gushtit ndonëse mostra nga gazetarja është dhënë katër ditë më herët.

Por, në test gjithashtu thuhet se mostra është dhënë më 3 gusht nga gazetarja që ka kryer testin.

KALLXO.com ka kontaktuar Laboratorin ‘Mrika’ në Vushtrri për të pyetur se pse është bërë një keqpërdorim i tillë i testeve me COVID-19.

Nga laboratori kanë thënë se mostra e gazetares është ruajtur nga dita e shtunë deri të mërkurën.

Por sipas rregullave të Ministrisë së Shëndetësisë rezultati i shënuar në test të jetë ai i datës kur është marrë mostra për të dëshmuar nëse në atë ditë personi është i infektuar ndërsa mundësia që personi disa ditë më pas të infektohet është shumë e madhe.

“Ne e kemi rujt mostrën domethënë mostra mundet me u rujt në rrethana tamon qysh duhet. Domethënë tamon në temperaturë qysh ruhet edhe e kemi dërgu e kemi punu në laboratorin ku keni marrëveshje”, ka thënë pronarja Mrika Kutllovci.

Ajo ka pranuar se në këtë formë kanë punuar edhe rezultate të tjera të COVID.

“Po mostra mundet me u rujt mundeni me hi me lexu, kurrfarë shkelje nuk është ajo”, thotë ajo.

Hulumtimi është komentuar nga  Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i ftuar në emisionin, Kallxo Pernime.

Vitia tha se në një rast të tillë duhen të merren masat e duhura.

“Ne po paguajmë një kosto të licencimit të madh të laboratorëve pa një kontroll֝ë të duhur. Patjetër që duhet me u marrë licenca. Ftoj të gjithë qytetarët që kanë informata të tillë që sa më shpejt të lajmërojnë organet kompetente dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Brenda një kohë shumë të shkurtë do të marrim masa në këtë drejtim”, tha Vitia.

Afër 20 qytetarë të Kosovës janë arrestuar në muajin e fundit me dyshimet se kanë falsifikuar testet e COVID 19. Rastet e hetuara kanë të bëjnë me persona që kanë falsifikuar rezultatet ndërsa hetimet ende nuk janë futur në keqpërdorime brenda laboratorëve.

Testet e COVID për udhëtime kryhen ekskluzivisht nga laboratorët private ndërsa ministria e shëndetësisë nuk ka të ndërtuar një sistem elektronik të regjistrimit të rasteve që testohen.

Duke klikuar në Linkun e më poshtëm mund t`i ndiqni pamet exluzive: LINK