Skenë nga filmi “Okarina”. Foto: Facebook/Prifest.
Filmi “Okarina”, shkërmoqja psikologjike e "burrit të fortë" përmes kinemasë
Shumë familje (emigrantësh) nga Kosova kanë kaluar nëpër situata të lloj- llojshme dramatike gjatë pajisjes së tyre me leje qëndrimi (letra) në vendet ku kishin emigruar. Martesa “për letra” e njërit prej kryefamiljarëve- zakonisht burrit, me një vendase, në shumë raste ishte vendimtare që anëtarët e familjeve të mos depërtoheshin nga vendi i emigrimit.
Situata të tilla jo pak kanë krijuar tensione dramatike për familjet e emigrantëve nga Kosova.
Një histori të tillë e prezanton filmi “Okarina”, i cili u dha të mërkurën, më 11.09.2024, në natën e dytë të festivalit, “Prishtina International Film Festival” (PriFest) në Kino Armata në Prishtinë.
Film gërsheton problemet dhe mënyrat me të cilat përballen emigrantët me ndryshimin dhe divergjencat e shumta të shoqërive perëndimore. Mbi të gjitha filmi thekson edhe sakrificën që një nënë është në gjendje të bëjë për të qëndruar pranë fëmijëve të saj.
Gjithçka shkonte mirë në familjen e Shaqës (Jehon Gorani) dhe Selvisë (Shengyl Ismajli) në një qytezë të Britanisë së Madhe, derisa posta u sjellë lajmin se u është refuzuar azili dhe duhet të kthehen në Kosovë. Rruga për të mos u kthyer, për të qëndruar pranë vajzave të tyre të cilat tashmë kishin marrë leje-qëndrimin, e që duhet të ndjekin Shaqa e Selvia krijon situata dramatike brenda familjes.
Pasi Shaqa, zdrukthëtar- krijues instrumentesh muzikore, nuk pranon të martohet për letra, radha i vie Selvijes. Ajo pranon idenë e Gjovanit (Kastriot Shehi), tek i cili punon si pastruese, për “martesë me letra”.
Respekti dhe konsiderata që tregon Gjovani ndaj Selvisë , bëjnë që “martesa me letra” të shndërrohet në një dashuri të vërtetë. Tensionet dhe dramën në familje e shton edhe shtatzënie e njërës prej vajzave të çiftit.
Thyerja e tabuve tradicionale
Shaqa e Selvia arrijnë të sfidojnë ndjenjën e tyre, moralin dhe të thyejnë normat shoqërore, për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjen e tyre.
Veçmas Shaqa, nuk ka zgjidhje tjetër, atij i duhet të dal nga tabutë tradicionale nga vjen dhe të pranojë realitetin. Mbi këtë bazë edhe është krijuar skenari për këtë film.
Skenaristja e filmit “Okarina”, Albana Muja tha gjatë konferencës për media, të mbajtur të enjten, më 12.09.2024 për filmin, se nuk është e rastësishme që në film gruaja (Selvia) martohet për letra. Këtë, thotë ajo e ka bërë për të thyer tabut shoqërore.
“Kjo është bërë për me i thyer tabut që janë në anembanë shoqërisë që na rrethon dhe nuk ka qenë e rastësishme. As reagimi Shaqës, personazit kryesor, nuk ka qenë i rastësishëm. Ai ka reaguar mjaftueshëm, në mënyrë dhe brenda mundësive në kushtet në të cilat ndodhej”- tha Muja.
Ndërsa, regjisori Alban Zogjani tha gjatë konferencës se qëllimi kryesor i tij ishte të paraqiste sa më mirë skenat filmike që secili person e sheh të rëndësishme vlerën e karaktereve në film.
“Për t’u ndërlidhur me pyetjen paraprake, (për kryepersonazhin- Shaqën), ne e kemi një karakter dhe qëllimi është që ta shkatërrojmë dhe ta vrasim në formë televizive. Shkatërrimi ose vdekja e atij personi ndodhë në këtë formë”- tha regjisori Zogjani.
Kurse, duke folur për rolin e saj në film- Selvies, aktorja Shengyl Ismajli tha se e veçanta e filmit është ideja e skenaristes që gruaja të martohet për letra.
“Ne jemi mësuar që burrat martohen për letra dhe në fund përfundojnë t’u kriju familje të re dhe gratë e tyre mbesin në Kosovë. Kësaj radhe Albana (Muja) ka vendos me tregu se edhe gratë e dinë çka është e bukura, çka është kujdesi i shtuar edhe pse jo mos me u dashuru me dikë që tregon një kujdes të veçantë ndaj teje”- tha ajo.
Vlerësimi për filmin
Nuk është vetëm ideja dhe historia e pasqyruar që e bënë filmi të pëlqyer nga publik. Interpretimi i aktorëve janë një tregues kryesor për suksesin e filmit “Okarina”.
Regjisori Ben Apolloni tha për Kallxo.com se filmi është një projekt i realizuar me seriozitet të madh.
“’Okarina’ ishte projekt goxha serioz, ku regjisori edhe pse me sa di unë është debutant, tregon pjekuri artistike që premton shumë. Edhe drejtori i fotografisë kishte bërë punë të mirë dhe gjithashtu edhe aktorët, e sidomos Jehon Gorani”- tha ai.
Në film, përveç aktorëve Jehon Goranit dhe Shengyl Ismajlit, luajnë edhe Rina Krasniqi, Flaka Latifi, Arta Selimi, Kastriot Shehi, etj.
Filmi “Okarina” është në programin zyrtarë të kategorisë së filmit të gjatë ballkanik të “Prifestit”.
Edicioni 16-të i “PriFestit” që ka nisur me 10 shtator, do të mbahet deri më 15 shtator 2024.