FIFA i Hap Derën Futbollit Kosovar

(E plotësuar) Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, FFK, Fadil Vokrri tha se FIFA ka pranuar zyrtarisht sot futbollin kosovar në ndeshjet ndërkombëtare miqësore. Ai tha se Republika e Kosovës po ndërkombëtarizohet edhe përmes futbollit.

Vokrri tha se sot është shënuar hapi i parafundit për futbollin kosovar pasi që zyrtarët e FIFA-së ja kanë konfirmuar zyrtarisht sot se Kosova pranohet në familjen e madhe të futbollit.

“Sot më konfirmuan lajmin nga FIFA se Kosova është pranuar për lojërat miqësore ndërkombëtare,” Vokrri i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Vendimi ishte marrë dje në Budapest, në takimin e komitetit ekzekutive të FIFA-s dhe kjo lëvizje nënkupton se ekipi kombëtar i Kosovës mund të organizoj ndeshjet miqësore kundër shteteve tjera. Konfirimimi zyrtar vie më vonë sot nga FIFA.

“Republika e Kosovës po ndërkombëtarizohet tani edhe përmes futbollit. Jemi të lumtur për këtë gjë sepse kjo shënon një hap të rëndësishëm për futbollin Kosovar,” tha Vokrri.

Kosova nuk mundet të bëhet anëtare e FIFA-s për shkak se nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Michel Platini, kryetar i UEFA të mërkurën protestoi kundër vendimit të FIFA-s për ti lejuar ekipit Kosovar të luaj ndeshje miqësore.

Platini kishte deklaruar se vendimi është “krejtësisht politik” dhe thotë se është në kundërshtim me statusin e UEFA-s.

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatës së Futbollit, FIFA, të martën kishte vendosur ti lejojë Kosovës që të luaj ndeshje miqësore me rekomandimin e Presidentit të FIFA-s, Sepp Blatter, përkundrazi zërave të opozitës të të tetë anëtarëve të Unionit Evropian të Shoqatës së Futbollit, UEFA.

Blatter do ta takojë Platinin si dhe kryesinë e Shoqatës së Futbollit të Serbisë, FSS, të mërkurën.

Vendimi i FIFA-s u soll edhe përpos faktit që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, kusht për anëtarësim të plotë në FIFA.

Të martën, FSS-ja kishin paraqitur një protestë të fortë me FIFA-n, dhe kishin thënë se përfaqësuesit e tyre do të udhëtojnë edhe deri në Budapest për ta takuar Platinin dhe Blatter, të mërkurën.

FSS-ja protestuan kundër “vendimit të komitetit ekzekutiv të FIFA-s për ti lejuar anëtarët e organit qeverisës së futbollit botëror që të luajnë ndeshje miqësore me të ashtuquajturin ekip kombëtar të të ashtuquajturës Republikë e Kosovës”.