Festa dhe Fushata Shtyjnë Seancën e Kuvendit (TV)

Pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë të hënën, kryeparlamentari Jakup Krasniqi në deklaratën e tij për media tha se Kuvendi nuk do të mbajë seancën e radhës, të enjten më 28 nëntor.

Ai tha “ju njoftoj që këtë javë Kuvendi nuk ka mbledhje plenare, edhe për shkak të festave të nëntorit, por edhe për faktin se nuk kemi pasur material të mjaftueshëm dhe kështu që seanca e radhës do të jetë më 5 dhjetor 2013”.

Edhe Ardian Gjini, shef i grupit parlamentar nga AAK-ja, tha të njëjtën gjë.

“Sot në mbledhjen të kryesisë së Kuvendit nuk ka pasur diçka të veçantë, me siguri këtë javë nuk do të ketë seancë plenare”, tha Gjini, duke shtuar se seancat do të vazhdojnë pas 1 dhjetorit.

Më 1 dhjetor do të zhvillohet balotazhi në njëzet  katër komuna dhe në veri të Mitrovicës.

Gjini shkakun e mosmbajtjes e lidhi me fushatën pesëditëshe në komunat ku në raundin e parë nuk u zgjodhën kryetarët, ndërsa duhet të organizohet për këtë edhe raundi i dytë. Si Jakup Krasniqi, deputeti i AAK-së përmendi edhe 28 Nëntorin si arsye.

“Këtu jemi në një situatë, sikur mos të ketë qëlluar 28 Nëntori dhe në këtë periudhë për shkak të pesë ditë të fushatës do të kishte me qenë problem [mbajtja e seancës], por as herëve të kaluara Kuvendi  i Kosovës për 28 Nëntor, nuk ka mbajtur seancë”, tha Gjini për Gazetën Jeta në Kosovë.

Mosmbajtjen e seancës së të enjtes, për arsyet e njëjta e njoftoi edhe Ismet Beqiri, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, duke e përkrahur një vendim të tillë të Kryesisë.
 
“Arsye ka, jemi në fushatë është e vërtetë e madhe dhe ju e dini mbi të gjitha më 28 do t’i binte pikërisht e enjte dhe as unë nuk e konsideroj që këtë ditë për shkak të festës të mbahej seanca”, tha Beqiri.

Sikur Kryesia të vendoste për mbajtjen e mbledhjes, të enjten, Kuvendi do të diskutonte për nëntë pika të rendit të ditës. Mes tyre shqyrtimin e parë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurimin Publik në Republikën e Kosovës dhe Shqyrtimin e dytë të Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligit për Administratën Tatimore dhe Procedurat.

Gjithashtu në mbledhjen e Kuvendit mund të flitej edhe për disa propozime e kërkesa të deputetëve dhe grupeve parlamentare.

Edhe më 22 tetor, Kuvendi bëri një pauzë që zgjati deri më 7 nëntor. Në atë kohë zhvillohej fushata për raundin e parë të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi më 10 tetor, se 22 projektligje në lexim të parë dhe të dytë po e presin kthimin  deputetëve nga fushata. Në këtë ditë që qëlloi të jetë e enjte, Kuvendi nuk e pati mbajtur seancën e rregullt plenare.

Ndërsa atëkohë për t’u shqyrtuar prisnin edhe Projektligji për transplantimin e indeve dhe qelizave, Projektligji për agjencinë e punësimit në Republikën e Kosovës, Projektligji për investimet e huaja, Projektligji për produkte dhe pajisje medicinave, janë disa nga ligjet