Ferronikeli Gjobitet për Ndotje

(E plotësuar) Gjykata për Kundërvajtje në Drenas mori sot vendim që përfaqësuesit e kompanisë NEW CO FERRONIKEL t’i dënojë me 40.000 euro, për shkak të ndotjes së ambientit.

Në seancë, Ferronikeli përfaqësohej nga përfaqësuesi i saj ligjor, Bejtush Isufi; eksperti i metalurgjisë, Agron Veliu dhe menaxheri Johanos Gajtanos. Ndërsa Ministria e Mjedisit, e cila ka dorëzuar fletëparaqitjen kundër kompanisë,  përfaqësohej nga inspektorët Mustafë Hyseni,Vehbi Ehupi dhe Ismet Dërvari.

Gjyqtari e hapi seancën me leximin e fletëparaqitjes së inspektorëve nga Ministria e Mjedisit. Më 5 shtator 2011, gjatë një inspektimi, këta tre inspektorë kanë konstatuar se fabrika nuk i kishte të instaluara pajisjet për monitorim të përhershëm të ndotjes së ambientit. Sipas inspektorëve, ka disa gjëra që janë përmirësuar nga kjo kompani, por janë edhe shumë gjëra që duhet të bëhen për ndaljen e ndotjes së ambientit.

Kurse menaxheri i Përgjithshëm i “Ferronikelit”, Johanos Gajtanos, e pranon se është e vërtetë ajo çka thonë inspektorët se kompania nuk ka të instaluara pajisjet për monitorim të përhershëm të ndotjes së ajrit. Por ai tha se janë duke punuar që kjo të bëhet.

Gajtanos tha se tashmë kanë kontraktuar një kompani nga Maqedonia, e quajtur “Farmaken”, që sipas tij, është profesionale për instalimin e këtyre pasjeve. Ai ia paraqiti gjykatës si provë kontratat e lidhura me ketë kompani.

“Besoj se deri në fund të nëntorit, këto pajisje do të jenë të instaluara dhe gjithçka do të jetë brenda normave ligjore. Ne nuk e kemi lënë këtë nga neglizhenca, e as pse ato pajisje kushtojnë, por pse nuk kemi gjetur kompani që merret me këto instalime”.

Më tutje, Gajtanos u shpreh se kompania është e interesuar që kjo punë të kryhet, jo vetëm pse janë të obliguar ligjërisht, por pse nuk dëshirojnë që popullsia që jeton në këtë qytet të këtë probleme nga ndotja.

Edhe përfaqësuesi ligjor i NEW CO, dhe eksperti Agron Veliu, e pranuan se pajisjet për monitorim të përhershëm të ndotjes nuk janë të instaluara, por premtuan se kjo do të bëhet shpejt. Ata shprehën keqardhjen që kjo punë nuk është kryer deri më tani.
 
Pas dëgjimit të të gjitha deklaratave, gjyqtari mori vendim që personit juridik të “Ferronikelit”, t’ia shqiptojë dënimin prej 40.000 euro, kurse personit fizik – menaxherit iu shqiptua dënimi prej 1500 euro.

Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH), nëpërmes një komunikate, e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës për Kundërvajtje, dhe njëkohësisht duke e parë si mbështetje për zbatueshmërinë e ligjeve që kanë dalë nga MMPH për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mjedisit në Republikën e Kosovës që duhet të respektohen nga të gjithë.