Ferizajasit në hall me ndërtimet e larta - VIDEO

Fekir Tahiri është banor i lagjes ‘Gëzim Sahiti’ në Ferizaj.

Si plotë banorë të tjerë të kësaj lagje, Tahiri po ankohet për një objekt të lartë shumëkatësh që ka filluar të ndërtohet në lagjen e tij.

Këta banorë janë duke kundërshtuar procedurat e marrjes së lejes për ndërtimin e objektit, ndërsa thonë se Komuna e Ferizajt nuk ka një dokument që parashikon dhe përcakton se si duhet të bëhen ndërtimet në këtë lagje.

“Ndërtesa në fjalë e ka pasur lejen e ndërtimit për dy kat bodrum, 11 kat banim, përdhesen dhe penthouse ose katin e sipërm nalt, që gjithsej po bëjnë 13-14 kat. PZHK-ja nuk jep vendime dhe leje të ndërtimit. PZHK tregon se si do të ndërtohet zhvillimi urban i Ferizajt, por nuk është autoritet që jep lejet e ndërtimit. Lejen e ndërtimit e jep një institucion krejt tjetër, që bazohet në PZHK dhe rregulloret e tjera që janë të parapara me ndërtimet e larta. Shkelja e parë që është, distanca nga vija ku ne kufizohemi, është vetëm një metër e gjysmë, që askund në asnjë ligj të ndërtimeve të larta nuk është e paraparë ajo” – thotë Tahiri.

Leja e parë ndërtimore që është dhënë për këtë objekt është anuluar, me arsyetimin se pronari nuk ka paguar me rregull taksën, ndërsa kanë filluar procedurat për lejen e dytë ndërtimore për këtë objekt.

Arsim Hetemi është një tjetër banor i lagjes ‘Gëzim Sahiti’ që po ankohet për objektin e lartë në lagjen e tij. Duke marrë parasysh që rruga e tyre është krejt ndërtim i ulët, Hetemi thotë se ndërtimi i lartë në këtë rrugë shfaq rrezik për banorët.

“Është shfaqur sepse është krejt ndërtim i ultë, veç kjo është një ndërtim i lartë që po na rrezikon secilin sen që e bon. Si kamiona, si me u vendosë një kran është rrezik i krejt këtyre. Ne i çojmë përditë në shkollë fëmijët, është rrezik me kalu rrugës. Për gjithçka është në rrezik. Pika e parë është se nuk ka as kanalizim, as ujësjellës për me u bo ai ndërtim. Por komuna qysh e ka lëshu, është problem i saj, është një sen që neve na ka shqetësuar shumë si banorë, shumë” – thotë Hetemi.

Në anën tjetër, Komuna e Ferizajt e pranon se janë duke lëshuar leje ndërtimore për objektet e reja, pa pasur një plan të mirëfilltë rregullativ.

Bytyqi e pranon se si referencë për numrin e kateve të objektit në fjalë, është marrë një objekt që është ndërtuar kohë më parë në afërsi të lagjes.

“Komuna e Ferizajt deri më tani nuk ka dokument që i përcakton kushtet ndërtimore. Baza ligjore për lëshimin e kushteve ndërtimore janë dy dokumentet e mëhershme që i përcaktova. Mirëpo te ky rast është më specifik dhe fati në fatkeqësi mund ta themi, aty e kemi pasur një objekt në distancën 50 metra, i cili është lëshuar në kohën kur kanë qenë në fuqi Planet Rregulluese të Komunës së Ferizajt dhe si referencë e kemi marrë pikërisht atë objekt dhe rrjedhimisht indirekt janë respektuar edhe dokumenti i planeve rregulluese të Komunës së Ferizajt. Mirëpo direkt baza ligjore janë këto dy dokumente që i përmenda më herët”.

“Maksimumi i ndërtimit aty në bazë të referencës që e kemi është 8 kat. Normalisht janë kërkuar të gjitha ato kriteret të plotësohen për banesat për bashkëpronësi dhe për lëshimin e kushteve pala i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe jemi në procedurë kurdo që aplikon për marrjen e lejes ndërtimore, ne do të vazhdojmë me procedurën e dhënies së lejes ndërtimore” – ka thënë Bytyqi.

Me ankesat e banorëve të kësaj lagje, është marrë edhe organizata jo qeveritare ‘Avonet’.

Udhëheqësi i kësaj organizate, Kenan Gashi, ka thënë se Komuna e Ferizajt në vitin 2017 e ka miratuar Planin Zhvillimor Komunal, e që sipas ligjit, thotë Gashi, është dashur që 9 muaj pas miratimit të këtij dokumenti, Komuna të miratojë edhe Hartën Zonale.

“Dihet që komuna e Ferizajt, siç thash edhe më herët, lëshon leje të ndërtimeve dhe kushteve ndërtimore në kundërshtim me Ligjin e Planifikimit Hapësinor. Sepse në Ligjin e Planifikimit Hapësinor thuhet se nuk mund të lëshohet assesi në asnjë formë me PZHK apo Ligj të Ndërtimit, por duhet të lëshohet Kushtet Ndërtimore ose me Planet Rregullative Urbane ose me Hartat Zonale Komunale. Në këtë rast, Komuna e Ferizajt qysh nga viti 2017 lëshon kushte ndërtimore me ligj të ndërtimit dhe me PZHK, e që në fakt është në kundërshtim me Ligjin e Planifikimit Hapësinor”.

Ndërsa drejtori Bytyqi e pranon se Komuna e ka përgjegjësinë për mos miratimin e Hartës Zonale, por sipas tij, nuk ka shkelje ligjore në lëshimin e lejeve ndërtimore, pasi që ato bazohen në Ligjin për Ndërtim.

“Jo, nuk i bie që janë të jashtëligjshme pasi që ligjet janë shumë strikte dhe shumë të qarta. Mund ta kemi përgjegjësinë për mosmiratimin brenda 9 muajve, mirëpo dokumenti i Hartës Zonale duhet kuptuar që është një dokument shumë i rëndësishëm edhe shumë e vështirë që brenda 9 muajve të kompletohet. Shto kësaj edhe periudhën që ka qenë me COVID, kemi pasur raste të vdekjes së punëtorëve të drejtorisë së Urbanizmit. Ka pasur vështirësi të shumta, pakënaqësi të mëdha të qytetarëve me Planin Zhvillimor. Ne jemi munduar, drejtori që ka qenë paraprak është munduar që t’i inkorporojë të gjitha ato kërkesa, ankesa të qytetarëve brenda dokumentit të Hartës Zonale dhe këto kanë qenë disa nga arsyet për vonesat që janë shkaktuar për mos miratimin e Hartës Zonale”.

“Po patjetër, i kam takuar disa herë. Edhe pikërisht ankesat e tyre janë marrë për bazë edhe i kam njoftuar me kohë që në moment që pala bën kërkesë, jam i detyruar që ta trajtojë atë kërkesë të palës, i kam njoftuar me kohë. Çka i kam garantuar ata banorë dhe që qëndrojë prapa fjalëve që kam thënë atyre banorëve, që do të respektohen të gjitha rregullat dhe rregulloret që janë në fuqi dhe këto janë të inkorporuar brenda dokumentit të kushteve që janë lëshuar” – ka thënë Bytyqi.

Në anën tjetër, avokati i pronarit Fatmir Grainca, Fitim Shabani, ka thënë se fillimisht klienti i tij kishte shprehur interesim që të ndërtojë shtëpi aty, por që sipas tij, Komuna i ka thënë se aty lejohet vetëm ndërtimi i lartë.

“Paraprakisht, klienti im është interesuar që të marrë leje për shtëpi, në atë zonë. Dhe nga Komuna është njoftu se ajo është zonë e ndërtimit të lartë dhe nuk mund të merret leje ndërtimore për shtëpi. Kështu që tash jemi në fazën e marrjes së lejës së re, por po ashtu e kemi ankimuar lejen e anuluar” – thotë Shabani.

Sipas avokatit Shabani, arsyeja e anulimit të lejës së parë, është për shkak të presionit të banorëve, e jo për shkak të mos pagesës së një kësti për taksën ndërtimore.

“Në fakt kjo për ne ka qenë tendecioze dhe e shtytur nga presionet e banorëve aty dhe protestat që janë zhvillu, për shkak se ne nuk kemi arritur të gjejmë.. kemi bo edhe kërkesë në Komunë për qasje në dokumente publike për të kërkuar nëse ka ndonjë rast tjetër të cilit iu ka anuluar leja, që ka filluar me u ndërtu dhe që janë paguar të gjitha këstet tjera dhe ka mbetur vetëm një këst pa paguar”.

“Një rrethanë tjetër që është e rëndësishme të dihet, ne nuk jemi duke  kërkuar asgjë tjetër se të gjitha objektet që gjenden në atë zonë. Nuk jemi duke kërkuar asnjë kriter më tepër se që kanë objektet që janë në atë zonë” – ka thënë Shabani.

Banorët kanë dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori dhe janë duke pritur verdiktin e organeve të drejtësisë.