Ferizaj Qyteti më i Papastër, Sipas INPO-s

Shkrirja e borës ka nxjerrë në shesh papastërtitë e mëdha në qytetin e Ferizajt. Megjithëse, gjendja nuk është për t’u lavdëruar as stinëve të tjera.

Për këtë arsye, organizata joqeveritare “Iniciativa për Progres”, INPO, sot ka ndërmarrë një performancë për t’i rikujtuar kryetarit të Komunës se gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar se do ta bëjë Ferizajn, qytetin më të pastër.

Aktivistë të kësaj organizate kanë vendosur sot në mesditë, në sheshin e qytetit, një pano me fotografinë e kryetarit Bajrush Xhemailin, me mbishkrimin: “Unë e kam mbajtur premtimin: Ferizaj, qyteti më i (pa)pastër”.

Rina Demiri, zyrtare për informim publik në INPO, tha se me këtë performancë dëshirojnë t’ia rikujtojnë kryetarit të Ferizajt zotimin që u ka bërë qytetarëve ferizajas se “Ferizajn do ta bëjë qytetin me të pastër”.

Sipas Demirit, shkrirja e borës e ka qitur në pah papastërtinë e qytetit të Ferizajt. “Mbeturinat të cilat ishin të mbuluara nga bora e javëve të fundit, tani janë zbuluar, duke treguar mosefikasitetin e Komunës dhe të kompanisë rajonale për mirëmbajtje ‘Pastërtia’ për mirëmbajtjen e pastërtisë së qytetit”.

Por, INPO nuk lë pa kritikuar as qytetarët, të cilëve iu bënë thirrje që të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos hedhin bërllok nëpër rrugë.

Mirëpo, panoja nuk arriti të qëndroj në shesh as një orë, kjo për arsye se dikush e largoi atë nga vendi ku ishte i vendosur.

Sipas Demirit, kjo nuk është hera e parë që objektet që përdoren për realizimin e performancave nga ana e INPO-s largohen dhe shkatërrohen nga “persona të panjohur”. Ajo nuk ka dashur të spekulojë nëse ata mund të jenë njerëz të afërt me Komunën e Ferizajt.