Foto: Facebook

'Fenomeni' Agim Bahtiri: Nga tavolinat me mish te AKR e PDK, në Vetëvendosje

Pak kush e dinte për të deri kah mesi i vitit 2013. Por, si duket Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, e njihte mirë Agim Bahtirin.

I ardhur nga Holanda, Agim Bahtiri arriti për herë të parë t’ia fitojë një komunë partisë së Behgjet Pacollit. Ai la në opozitë Avni Kastratin e PDK-së në Mitrovicë.

Me premtime për punësime, luftë kundër korrupsionit e nepotizmit, ai tha se do ta bëjë Mitrovicën njërin nga qytetet më të zhvilluara, jo vetëm në Kosovë.

Pas qeverisjes katër vjeçare në Mitrovicë, ai vendosi që edhe njëherë t’i hyjë garës për të parin e kësaj komune.

Këtë herë, gara e tij në balotazh ishte me Valdete Idrizin e PDK-së. Edhe njëherë, për të dytën herë, Bahtiri, edhe me përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje, u bë kryetar komune.

PDK e akuzonte atë për keqqeverisje në Mitrovicë, por Bahtiri i quante të pavërteta.

Ai kishte vazhduar me akuza ndaj Kadri Veselit e Hashim Thaçit, që sipas tij, e kishin ndarë Mitrovicën.

“Kadri Veseli paska dalur këndej pari nga Mitrovica, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, e në vend se të e shikoj emrin e ndritur të Komandantit e të frymëzohet për të bërë vepra të mira dhe të largohet nga injoranca, ky paska zgjedhur të tregohet injorant përsëri. Dua t’i them kryetarit të Kuvendit, se jug dhe veri nuk ka pasur Mitrovica por ju e bëtë të jetë e tillë, këtë e them sepse sot paskit deklaruar që Kosova nuk ka veri dhe jug, ajo është një”, kishte shkruar Bahtiri në postimin e tij në “Facebook”.

Diskursi i aspër ndaj PDK-së atij i zgjati deri në fund të vitit të kaluar.

Më 26 dhjetor të 2018, Agim Bahtiri u pa në një darkë me mish e raki me njerëzit kryesorë të PDK-së.

“Sonte edhe Agimi”, kishte shkruar në “Facebook” kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci. Në fotografinë u panë edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ish- kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, e kryetari aktual i PDK-së, Kadri Veseli.

KALLXO.com kishte raportuar edhe për punësimin e mbesën e Kadri Veselit në Komunën e Mitrovicës, pa konkurs.

I pari i Mitrovicës nuk u pa të ketë afërsi vetëm me krerët e PDK-së. Ai, disa herë takoi edhe kryeministrin në detyre, Ramush Haradinaj.

Por, si duket, më i afërt se me PDK e AAK, Agim Bahtiri u tregua me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Bahtiri e kishte mbështetur protestën e Lëvizjës Vetëvendosje ndaj presidentit, Hashim Thaçi.

“Kosova po kalon nëpër një situatë të vështirë politike, që ka ardhur si pasojë e veprimeve të gabuara të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka nisur bisedimet për shkëmbime territoriale me Serbinë në kundërshtim me detyrat e tij dhe pa mandat nga Kuvendi i Kosovës”, kishte shkruar Bahtiri në postimin e tij në Facebook.

E këtë afërsi ai vendosi ta përkthejë në anëtarësim.

Sot, së bashku me degën e AKR-së në Mitrovicë, Agim Bahtiri vendosi t’i bashkohet në rrugëtimin politik Lëvizjes Vetëvendosje.

Këtë e konfirmoi ditë më parë për KALLXO.com, ndërsa i ftoi strukturat e AKR-së që t’i bashkohen në VV.

AKR ka zgjedhur rrugë tjetër duke nënshkruar sot koalicion parazgjedhor me NISMA-n e Fatmir Limajt.

Agim Bahtiri i bashkohet Vetëvendosjes