Fëmijët e rikthyer nga Siria takohen me realitetin kosovar

Larg medieve, publikut dhe fushatave promovuese, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka nisur të përballet me sfidën e integrimit të fëmijëve, të cilët u kthyen nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.

Kosova është vendi që ktheu 74 fëmijë nga zonat e luftës duke u bërë vendi me numrin më të madh të të rikthyerve në rajon.

Një ekip i BIRN ka qenë pjesë e monitorimit të aktiviteteve që po kryhen me fëmijët, para se ata të nisin shkollën me 2 shtator.

Takimet janë mbajtur gjatë verës ndërsa janë shoqëruar me përqafime të shumta, lojëra, argëtim, edukim, shoqërim me shokët dhe shoqet.

Të ikur nga zonat dhe kampet e ISIS fëmijët përballen me realitetin e ri të shoqërisë të cilës i përkasin.

Këta fëmijë nuk dinë për emrat dhe dukjen e disa kafshëve, teknologjinë, lodrat. Për ta, informacionet e botës tjetër janë të reja dhe argëtuese.

“Si e ke emrin?- “Drenushë, është kafshë”, iu përgjigj gazetarja!

“E çka i bie ajo?”, ishte pyetja që njëri nga fëmijët i parashtroi gazetares, derisa tregoi se nuk ka parë asnjëherë ndonjë të tillë.

Këndi i lojërave në Millenium në Ferizaj, kuajt e natyra te Vali Ranch në Gjilan, gjelbërimi në parkun e Gërmisë, janë gjëra të reja, të cilat këta fëmijë nuk i kanë parë asnjëherë në vendin ku ka kaluar më shumë se katër vjet.

Me rekomandim të ekspertëve në parkun e Gërmisë, fëmijët kanë paraqitur në letër dëshirat e tyre përmes vizatimeve.

Vizatimet shpërfaqin preferencat e tyre për të vizatuar armë, tanke por ka edhe të atillë që vizatonin edhe diej.

Nga jashtë mund të vërehen edhe ndikimi i ambientit pas kthimit në Kosovë, vizatime të tjera shfaqin shtëpi, vetura e njerëz të afërt të takuar pas rikthimit.

Tërë procesi i njohjes së fëmijëve me ambientin e jashtëm, zhvillohet nën kujdesin maksimal të policëve civil e aty këtu edhe ndonjë në uniformë, me mjek psikiatër, infermierë e zyrtarë të MPB-së.

38 fëmijë nga 74 sa janë kthyer nga Siria pritet të nisin mësimin në komuna si Prishtina, Suhareka, Lipjani, Ferizaj, Mitrovica, Klina dhe Gjilani.

Nëntë fëmijë mbi moshën katër vjeçare do të regjistrohen në kopshte, në arsimin parashkollor do të kthehen 5 nxënës dhe 22 fëmijë të moshës mbi gjashtë vjeçare do të regjistrohen në arsimin fillor në formën formale dhe joformale dhe dy fëmijë të moshës 16 vjeçare, të cilët do të ndjekin mësimet joformale.

Ky program ka paraparë që fëmijët të përfshihen në procesin mësimor, përfshirë shëndetin, shëndetin mendor dhe ri-socializimin.

Sfidë, sipas MPB-së, do të jetë sistemi arsimor në Kosove pasi nuk ka përvoja të tilla të integrimit me të cilat janë përballur vendet e ndryshme të Evropës me valën e refugjateve në vitet e fundit.

Divizioni për riintegrim të personave të radikalizuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme përmes projektit të riatdhesimit ka risocializuar dhe përgatitur për shkollë fëmijët kosovarë të kthyer nga zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është në proces të regjistrimit të fëmijëve, të cilët kanë nevojë për arsimim e të cilët janë të riatdhesuar nga luftërat e huaja.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, vështirësi do të jetë çështja e nënave, të cilat janë në arrest shtëpiak dhe nuk mund t’i shoqërojnë këta fëmijë drejt për në shkollë.

Ganimete Gërbovci- Ministria e Punëve të Brendshme, Foto: KALLXO.com

Ganimete Gërbovci, udhëheqëse e divizionit për riintegrim të personave të radikalizuar ka thënë për ekipin tonë se kjo do të jetë vështirësia e parë e fëmijëve të rikthyer.

“Një ndër problemet që na ka shoqëruar në projekt është puna e nënave që janë në arrest shtëpiak. Si secila nënë, edhe gratë e rikthyera nga Siria do të kenë dëshirë t’i çojnë fëmijët në shkollë në ditën e parë të tyre dhe t’i përcjellin në shkollë”, ka deklaruar Gërbovci.

Po ashtu Gërbovci ka thënë se komunat kanë bërë një punë të mirë, duke iu siguruar transport këtyre fëmijëve nga shtëpia në shkollë dhe anasjelltas.

Gërbovci ka shtuar se kanë pasur bashkëpunim shumë të mirë me nënat e fëmijëve, të cilat sipas Gërbovcit janë ndarë shumë të kënaqura me ato që ka ofruar shëtit në risocializimin e këtyre fëmijëve.

Nga Siria bashkë me rreth 110 persona të tjerë, kryesisht gra e fëmijë të kosovarëve që kanë luftuar përkrah grupeve të ndryshme në Siri e Irak. Në këtë grup janë kthyer edhe katër të dyshuar për pjesëmarrje si luftëtarë në këto luftëra.

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Arijan Kryeziut, Visar Qugovcit dhe Agon Misinit. Me vendimin e kësaj Gjykate tre të dyshuarit do të qëndrojnë për 30 ditë në paraburgim. Masa e njëjtë iu caktua edhe të dyshuarit të katërt R.T., i mitur.

Nga 110 të kthyerit , 32 prej tyre kanë qenë gra dhe 74 fëmijë, të cilët kanë qëndruar në Qendrën e Azilkërkuesve në Vranidoll të Prishtinës, për tri ditë me radhë apo 72 orë.

Megjithëse 110 shtetas kosovarë janë kthyer nga Siria, mbi 80 të tjerë vazhdojnë të jenë në zonat e konfliktit.

Sipas të dhënave në Siri vazhdojnë të jenë rreth 30 luftëtarë, 49 fëmijë dhe tetë gra.

emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan ekskluzivisht detaje e dëshmi për 4 burrat, 32 gratë dhe 74 fëmijët të cilët janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.