Faqet e Gjelbërta - Udhërrëfyes për Jetesë të Gjelbërt

Nëse je tue lexue këtë kolumne, atëherë je dikush i interesuar në jetesën e qëndrueshme në Kosovë. Por edhe nëse ke vullnet të jesh i “gjelbër” në Kosovë, kjo s’është e lehtë. Me ndërgjegjësi, mund të ndash mbeturinat e shpisë dhe të zyrës në ato që çka mund të riciklohen – dhe mandej s’mundesh me kuptue qysh me riciklue ato që ke grumbullue; dëshiron me përdorë transport publik por s’mundesh me gjetë informata për oraret e autobusave ose trenave; dëshiron me i kalue pushimet në Kosovë, por nuk e din ku me shkue. 

Nëse është kështu, atëherë Faqet e Gjelbërta; Një Udhërrëfyes për Jetesë të Gjelbërt në Kosovë, të ofron një jetë ma të lehtë – dhe ndoshta ma të mirë!

Faqet e Gjelbërta është botue këtë javë në një projekt të përbashkët të organizatës “The Ideas Partnership” dhe “UN Volunteers”. Udhërrëfyesi përmban kapituj për riciklim në Kosovë, shoping për gjëra të dorës së dytë, shërbime të zyrave të “gjelbërta”, resurse se si me zvogëlue sasinë e paketimeve, blerjen e produkteve vendore, turizmin e qëndrueshëm në Kosovë, transportin publik dhe vullnetarizmin mjedisor. Kjo nuk është një përpjekje për me ju thënë që duhet me i fikë dritat kur del nga dhoma, por është përmbledhje praktike e kontakteve dhe burimeve vendore të përshtatshme për vendin ku jetojmë.

Për shembull, kapitulli për riciklim, ofron kontaktet e organizatave që grumbullojnë dhe riciklojnë shishet e plastikës, kanaqet dhe bateritë. Po ashtu, ka informata se ku me i dërgu librat që nuk dëshironi t’i mbani më, veshmbathjet dhe mobilet tepricë në OJQ të ndryshme dhe hollësi për projektin “Kosovo Cap”, për mbledhjen e kapakëve të shisheve. 

Ky kapitull pasohet nga një listë e gjatë e shitoreve që ofrojnë mall të dorës së dytë, ofrojnë rroba të lira (si dhe libra dhe biçikleta) të pazakonshme, “retro” që gjatë prodhimit nuk i kushtojnë planetit resurse shtesë. S’besoj që i dini as së paku tri prej dymbëdhjetë shitoreve të dorës së dytë, të cilat tash po e kuptoj sa pasuri e madhe janë për Prishtinën.

Për punë, Faqet e Gjelbërta ofron informata se ku me ble letër të ricikluar, si me riciklue ngjyrën e printerit, si me botue në letër të ricikluar dhe me ngjyrë të ricikluar dhe sugjerime për furnizuesit vendas dhe mjeshtrit që punojnë mobile. Lista për produkte vendore tregon ku me gjetë bizhuteri, gjëra antike dhe makijazh të prodhuar në Kosovë, si dhe ushqim (tue përfshirë furnizues organikë). Dhe nëse dëshiron me i shëtit vendet prej nga vijnë disa prej këtyre produkteve, atëherë kapitulli për eko-turizëm sugjeron kullat dhe bujtinat në Deçan, Dragash, Junik, Novobërdë, Rugovë dhe Hoçë e Madhe. Bile është edhe një kapitull për mundësitë e vullnetarizmit për mjedis.

Edhe më mirë, Faqet e Gjelbërta – është në gjuhën angleze, shqipe dhe serbe dhe është falas. Është botue me një tirazh të vogël (dhe të shtypur në letrën e ricikluar) por që është më e qëndrueshme. Po ashtu, është e disponueshme për shkarkim dhe komente në www.KosovoGreenPages.wordpress.com

Është një dokument informativ i dobishëm për të gjithë, e sidomos për njerëzit që vijnë këtu për herë të parë, prandaj është mirë të ruhet në intranet ose thjeshtë t’iu lihet me një buzëqeshje të lezetshme në tavolinën ose inbox-in e kolegëve tuaj të rinj.  

Tash nuk ka asnjë arsyetim… 

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]