"Fantazmat" Dëmtojnë Energjinë e Shqipërisë

Një hetim nga Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se procedurat e tenderimit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë së Shqipërisë për të ndërtuar centrale hidroenergjetike janë mbuluar me probleme dhe ankesa nga bizneset që kanë marrë pjesë në to.

Nga rreth 110 tenderë për të ndërtuar më shumë se 300 centrale energjetike në sistemin lumor të vendit, të dhëna që në vitin 2006, dhjetëra raste janë karakterizuar nga procedura tenderimi të paqarta dhe akuza për favorizime të dukshme për kompanitë që nuk i kanë plotësuar standardet.

Tenderët, të cilat transferojnë pronësinë e shtretërve lumorë te kompani private, nën marrëveshje shfrytëzimi ndërto-opero-transfero, që zgjasin 35 vjet, janë pjesë e planit të qeverisë për ta kthyer shtetin në një fuqi energjetike.

Por, pak është arritur, gjashtë vjet pasi fillimit të procesit të dhënieve të kontratave investitorëve. Vetëm 10 nga 300 centralet energjetikë janë kompletuar dhe lidhur me rrjetin.

Të dhënat e marra nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, AKBN, divizion i Ministrisë së Energjetikës, METE, tregojnë se shumë nga kompanitë që kanë fituar tenderët kanë investuar shumë pak, ose aspak.

E pranuar nga qeverisa, në 15 raste, investitorët e mundshëm dolën se janë kompani “fantazma” që tenderojnë për kontrata, për t’ua shitur investitorëve të tjerë.

Akuza për korrupsion në procesin e tenderimit kanë arritur majat më të larta të pushtetit, pas transmetimit në janarin e kaluar të një videoxhirimi në të cilën ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dëgjohen teksa po diskutonin për favorizime në një kontratë.

Ndërkohë, sipas ekspertëve, këta blerës “fantazmë” po e mbajnë peng potencialin hidro-energjetik të Shqipërisë, duke bllokuar investime shumë të nevojshme, ndërsa vendi vuan nga një krizë e thelle elektriciteti dhe ka rregullisht ndërprerje të energjisë elektrike.

Kur Gazeta JnK pyeti METE-n për të komentuar problemet rreth tenderëve të centraleve hidroenergjetikë, ministria nuk u përgjigj.

“Superfuqia” energjetike ende në errësirë

Shoqata Energjetike e Shqipërisë, AEA, një grup ombrellë investitorësh në tregun e energjisë, thotë se Shqipëria aktualisht po përdor vetëm 40% të potencialit të saj ujor për prodhimin e energjisë.

Shteti ka një total fiks të kapacitetit prej 1,461 megavatësh dhe një mesatare prodhimi të hidroenergjisë prej 5, 267 gigavatësh orë në vit. Centralet kryesore të hidroenergjisë ndodhen në rrjedhën e lumit Drin, në veri të Shqipërisë.

Sistemi i prodhimit të energjisë nuk ka parë investime madhore që prej fillimeve të viteve 1980, kur regjimi i varfëruar komunist ndaloi së investuari në diga të reja hidroenergjetike.

Pas rënies së komunizmit, kërkesat për energji u rritën shpejt. Është vlerësuar se rrjeti energjetik ka nevojë për 1.6 miliardë $ investime, për të eliminuar rrezikun e ndërprerjeve të energjisë.
Një thatësirë që përfshiu Ballkanin, verën e vitit 2007, e zvogëloi aftësinë e korporatës shtetërore energjetike, KESH, për të prodhuar elektricitet nga impiantet e saj hidroenergjetike, duke çuar në ndërprerje prej 16 orësh në ditë, në disa zona.

Duke u përballuar me një dimër të ftohtë këtë vit, qeveria po sforcohet të nënshkruajë importime të shtrenjta elektrike. Zhurma e gjeneratorëve është bërë një tingull i njohur përsëri, ndërkohë që vendi përballet me shkurtime të reja energjetike.

KESH thotë se ka vështirësi për të mirëmbajtur furnizimet, për shkak të një kombinimi të motit të thatë dhe borxheve të mbledhura nga distributori i privatizuar i elektricitetit, CEZ Distribution.

KESH thotë se CEZ është në borxh rreth 58 milionë Euro për elektricitet të papaguar, si rezultat i të cilit, kompania po has vështirësi në sigurimin e importimeve të shtrenjta.

Por CEZ refuzon ta paguajë borxhin, ndërsa thotë se kompanitë shtetërore dhe institucionet publike i kanë borxh rreth 150,000 milionë Euro.

Me financat e KESH-it në një situatë të pasigurt, parlamenti nëntorin e kaluar veproi për liberalizimin e tregut të energjisë, duke hequr subvencionet për konsumatorët industrialë, si për shembull kompaninë e çelikut, Kurum.

Si rezultat, kompania turke, e cila operon një impiant në qytetin në depresion ekonomik të Elbasanit, i mbylli dyert më 12 janar, duke pezulluar më shumë se 700 punonjës, duke thënë se ka dështuar në sigurimin në treg të energjisë me një “çmim të arsyeshëm”.

Tenderë të Errët

Nga viti 2006 deri më tani, qeveria e Shqipërisë ka dhënë 110 marrëveshje shfrytëzimi për një total energjie të instaluar prej 1,300 Megavatësh dhe një vlerë investimi prej rreth 3 miliardë eurosh.

Por jo të gjitha kompanitë që kanë fituar tenderë kanë demonstruar se kanë kapacitet financiar për t’i plotësuar këto investime.

Të dhënat e marra nga AKBN-ja tregojnë se pjesa më e madhe e centraleve energjetikë të paraparë, ose nuk janë ndërtuar fare, ose ndërtimi është ende në fazën fillestare, ndërsa afatet po alarmojnë për kompletimin e projekteve.

Hulumtimi nga Gazeta JnK në ankesat dhe hetimet administrative të kryera nga Zyra e Avokatit të Prokurimit Publik, AVP, tregon se më shumë se një e treta e tenderëve kanë rezultuar problematikë.

Ankesat në AVP për tenderët e shfrytëzimeve të centraleve të hidroenergjisë përbëjnë rreth 95% të numrit total të ankesave të regjistruara kundër Ministrisë së Energjisë si autoritet kontraktues, që prej vitit 2007, kur zyra u hap fillimisht.

Që nga viti 2006, AVP-ja ka marrë rreth 40 ankesa nga kompani të ndryshme rreth tenderëve për ndërtim të 110 centraleve hidroenergjetikë.

Duke i ndjekur këto ankesa, auditorët e AVP-së gjetën rreth 20 raste në të cilat rregullat e tenderimit nuk ishin zbatuar.

Në shumë nga hetimet e saj, AVP-ja thotë se mënyra se si ministria i ka draftuar dokumentet standarde për procedura të shfrytëzimit është e pakompletuar.

Informacioni i prezantuar në dokumentet e procedurave të shfrytëzimit…nuk është vetëm i paqartë, por ka mungesë elementesh, gjë që krijon konfuzion në operatorët ekonomikë të interesuar [në tender]”, shkruan AVP-ja në një urdhër në lidhje me një konflikt mbi një central energjetik në lumin Gomsiqe.

Në një tender tjetër, të hapur në 2006 për ndërtimin e një centrali hidroenergjetik në lumin Benc në rajonin e Tepelenës, AVP-ja gjeti se një kompani italiane, Radigi Energy, ishte diskualifikuar nga tenderi pasi Ministria e Energjisë i dha kompanisë informacionin e gabuar, në lidhje me shkallën teknike të projektit.

Në një tender të lumit Fan i Vogël, i cili është kushtëzuar nga ndërtimi i autostradës Shqipëri-Kosovë, një opinion nga departamenti rrugor i Ministrisë së Transportit ishte i nevojshëm.

Duke qene se tenderuesit nuk i dërguan ofertat e tyre në mënyre elektronike, komisioni tenderues i ministrisë pastaj anuloi të gjithë procedurën, në vend që thjesht të kërkonte dokumentet elektronikë nga kompanitë tenderuese. Kjo ishte një thyerje e ligjit për prokurim publik.

Në një tender, të hapur në dhjetor të vitit 2007, për të ndërtuar një central energjetik që do të kishte përdorur ujë nga një rezervuar, komisionit të tenderimit iu deshën pothuajse 10 muaj për të lëshuar një vendim për propozimet pas hapjes së ofertave.

“Komisioni i ngarkuar me vlerësimin e ofertave e zgjati në mënyrë të pajustifikueshme procesin e rishikimit”, tha AVP-ja.

Në shumë raste, AVP-ja e këshilloi Agjencinë e Prokurimit Publik për të disiplinuar stafin përgjegjës për thyerjen e rregullave administrative të tenderimit në autoritetin kontraktues.

Por, Gazeta JnK nuk ka gjetur prova se janë ndërmarrë ndonjëherë masat disiplinore të rekomanduara.
Në një hetim nga AVP-ja, në vitin 2009, stafi i ministrisë refuzoi t’iu lejonte auditorëve të zyrës së Avokatëve të Prokurimit të kishin qasje në dokumente për më shumë se tre muaj.

Akuza Korrupsioni

Probleme në procesin e dhënies së kontratave të shfrytëzimit për centralët elektrikë u vunë në dukje në shtator të vitit 2010.

Doli se bashkëshortët e parlamentarëve të Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Rajmonda Bulku, kishin aksione në kompanitë, të cilave u ishin dhënë kontratat.

Opozita socialiste i akuzoi partitë qeverisëse për korrupsion dhe nepotizëm.

Një hulumtim nga zyra e prokurorit të Tiranës, në dhjetor 2010, nuk gjeti prova për keqbërje në rastin Vokshi. Asnjë hetim nuk u hap për rastin e Bulkut. Të dyja parlamentaret mohuan se ka pasur keqbërje.

Por çështja nuk u mbyll, veçanërisht pasi doli një videoxhirim në janar të vitit 2011 që tregoi kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, që diskutonte një ryshfet prej 700,000 Eurosh me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm e paditi Metën për korrupsion.

Transkriptet shfaqen Metën që i kërkonte Priftit të jepte një tender shfrytëzimi për një stacion hidroenergjetik për një ryshfet nga biznesmeni në fjalë prej 700,000 Eurosh, ose 7 për qind të aksioneve në projekt.

Meta mohoi akuzat për keqveprim dhe tha se akuzimet janë to motivuara politikisht. Prokurorët kërkuan një dënim me burg dyvjeçar dhe gjobë 1 milion lekë (8,300€). Sidoqoftë, Gjykata Supreme i hoqi të gjitha akuzat kundër Metës, më 16 janar.

Investimet në Pritje

Një studim i fundit i kryer nga AEA thotë se shumë nga problemet e sektorit të energjisë në Shqipëri burojnë në procesin e tenderimit për kontratat e shfrytëzimit.

“Sistemi i përzgjedhjes së ofertave fituese nga autoriteti kontraktues [METE] bazohet në një sistem pikësh, ku përzgjidhet projekti më i mirë në letër”, thotë AEA.

Sidoqoftë, “[shpesh] projekti që del fitues i procesit të ofertave është i paarritshëm”, shton AEA.

AEA thekson se një pjesë e mirë e projekteve nuk iu dhanë kompanive kohë të mjaftueshme për të aplikuar për lejet e ndërtimit te autoritetet vendore dhe shumë nga këto kompani janë refuzuar nga bankat kur kanë aplikuar për financim.

Ndërkohë, edhe pse qeveria e Sali Berishës thotë se ndërtimi i një stacioni të ri hidroenergjetik do ta kthejë vendin në një “superfuqi energjetike rajonale”, në korrik, ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, pranoi se janë bërë gabime.

“Nuk do t’i tolerojmë kompanitë që kanë marrë koncesionin në 2007-ën dhe ende duhet të regjistrohen në regjistrin e biznesit”, tha Naço.

Sipas kryetarit të AEA, Erlet Shaqe, sektori i energjisë është uzurpuar nga spekulantët dhe pranimi në qeveri i problemeve vetëm e konfirmon këtë.

“Për shumë nga këto koncesione, investimet e ‘premtuara’ nuk po realizohen”, tha Shaqe.

“E gjitha kjo rezulton në investime të ngrira, të cilat nuk po përdoren në ekonomi dhe si rezultat burimet tona kombëtarë mbahen peng”, shtoi ai.

Hulumtimi u mbështet nga Danish association of investigative journalism, FUJ, pjesë e programit të saj SCOOP.