QKUK
Familjarët paguanin 80 euro për t’i bartë kufomat nga klinikat deri në morg, QKUK nxjerr një vendim të ri
Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qëndrimit të automjeteve të kufomave në oborr të saj dhe do të shfrytëzojë automjetet e saj për bartjen e kufomave nga klinikat në morg. Këtë vendim, QKUK e ka marrë 20 ditë pas interesimit të KALLXO.com lidhur me këtë çështje. Deri më tani qytetarët është dashur që të paguajnë kompanitë private për të kryer këtë shërbim.
Familja e një pacienti të shtrirë në QKUK, kanë paguar 80 euro një kompani private për ta dërguar trupin e vdekur të babait të tyre nga klinika në të cilën ka ndërruar jetë, deri te morgu i cili gjendet pak metra larg brenda oborrit të Qendrës Klinike e Universitare të Kosovës (QKUK).
Në këtë çmim është përfshirë edhe një dërrasë që shërben për shtrirjen e trupit, në popull e njohur si ‘tabut’.
Pasi që trupi i pajetë që do të bartej në morgun, që kishte vdekur në rrethana të zakonshme pas gati shtatë muajsh i shtrirë në QKUK, klinika nuk ka ofruar ndonjë zgjidhje se si të dërgohet deri në morg.
Morgu gjendet në katin e parë të ish-objektit të Fakultetit të Mjekësisë. Ndërkaq, Klinika e Kirurgjisë e gjendet afër Emergjencës.
Por, dikush nga stafi i spitalit ia kishte propozuar një kompani private që sipas tyre ‘e marrin shpesh në raste të tilla’, siç shpjegon familjarja në kushte anonimiteti.
“Kur më ka vdekur baba në Klinikën Kirurgjike, na si familje është dashtë me pagu një kompani private 80 euro që me bartë kufomën deri në morg. Atë mëngjes të papritur jemi kanë në dhimtën tonë, të tronditun, nuk e kemi mendu ma gjatë se a po bahet shtrenjtë a lirë, veç e kemi pagu edhe kurgjo kërkujt se na është dashtë me lanë një natë në morg” – tha familjarja për KALLXO.com, pa dashtë t’i zbulohet identiteti.
Edhe pse kompania ka qenë private, për këtë familje është e pakuptimtë se pse është dashur të paguhet aq shtrenjtë. Ata pyesin se a nuk ka ndonjë rregullator të çmimeve, dhe se pse nuk ofrohet zgjidhje nga klinika në këto raste.
“Masandej kur e kemi diskutu me familje nuk kemi mujt me kuptu logjikën se pse u dashtë me pagu 80 euro për një distancë 5 minutëshe brenda oborrit të QKUK-së. Sa vet me veti kam thanë, ‘në dorë e kisha kap babën edhe e kisha çu për 7 minuta në kambë deri në morg’. Falë Zotit na kemi pasë pare, edhe na u ka dashtë më dërgu në morg, derisa të vjen gjysma e familjes prej mërgimit, po për ata që nuk i kanë, nuk e di qysh ia bajnë” – vazhdon më tej ajo.
KALLXO.com ka kontaktuar QKUK-në më 02.08.2024 për ta pyetur se si funksionon kjo çështje dhe se a ka bazë ligjore që rregullon transportin e kufomave.
20 ditë pas dërgimit të pyetjeve, QKUK është përgjigjur duke njoftuar se ka marrë vendim që të ndalojë qëndrimin e makinave për bartje të kufomave që qëndrojnë në hapësirat e QKUK-së dhe se për bartje të kufomave nga klinikat deri në morg do të shfrytëzohet transporti i institucionit.
“QKUK ka analizuar dhe punuar për zgjidhjen e kësaj çështje dhe bazuar në vendimet e fundit të QKUK, është ndaluar që makinat për bartje të kufomave të qëndrojnë në hapësirat e QKUK. Po ashtu, për bartje të kufomave nga klinikat deri në morg do të shfrytëzohet transport nga QKUK, kurse për bartje jashtë QKUK-së, në komunat përkatëse nuk ka përgjegjësi QKUK” – thuhet në përgjigjen e QKUK-së të datës 22.08.2024, po atë ditë kur është marrë edhe vendimi.
Në pyetjet shtesë se si ka funksionuar kjo çështje në të kaluarën, para marrjes së këtyre vendimeve, drejtoria e QKUK-së tha se menaxhmenti aktual i QKUK-së/ShSKUK-së, nuk është përgjegjës për të kaluarën.
“Menaxhmenti aktual i QKUK-së/ShSKUK-së, nuk është përgjegjës për të kaluarën, por duke pasur parasysh organizimin ma të mirë dhe lehtësimin për qytetarët, ka marrë vendimet për të cilat jeni njoftuar dhe që do të fillojnë të zbatohen!” – tha QKUK më 23.08.2024.
QKUK udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së drejtorit, Osman Hajdari prej 21.01.2024, ndërsa Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), i cili mbikëqyr edhe QKUK-në, ka në krye drejtorin Elvir Azizi prej 05.07.2023.
QKUK nuk dha një përgjigje se si ka funksionuar në të kaluarën, mirëpo dy prej kompanive që KALLXO.com i kontaktoi treguan se kompanitë funksionojnë me nga një kujdestari 24-orëshe në javë.
Njëra prej kompanive tha se për këtë patën bërë marrëveshje me ish-drejtorin e ShSKUK-së, Basri Sejdiu. Nga kjo kompani thanë se nuk janë njoftuar lidhur me vendimin e ri.
Sa i përket çmimeve, disa kompani që KALLXO.com i ka kontaktuar thanë se vetëm tranporti kushton 25 euro, ndërsa tabuti apo arkivoli kanë çmimet e veçanta. Kompanitë madje kanë një numër kujdestar të përbashkët ku qytetarët mund të kontaktojnë.
Përveç se ka ndaluar qëndrimin e makinave për bartje të kufomave, drejtori Osmani ka vendosur të njëjtën ndalesë edhe për autoambulancat private dhe taksitë.
Në njoftimin publik të ShSKUK-së thuhet se ky vendim është marrë që parkingu i QKUK-së të lirohet për pacientë dhe për të përmirësuar efikasitetin e shërbimeve emergjente.