Kisha katolike në Gruemirë, Shqipëri. Foto: Teodor Gjerga

Familja muslimane kujdeset për kishën katolike në veri të Shqipërisë

Kisha e Shën Gjonit, një objekt kulti rreth 900 vjeçar në afërsi të Gruemirës, përtej historisë fetare përcjell dhe historinë e familjes Ibraj të besimit mysliman që prej më shumë se një shekulli kujdesen brez pas brezi për kishën shekullore.

“Kjo histori ka nisur që në kohën e gjyshit pra rreth vitit 1900, 1905. Pastaj me vdekjen e tij, në vitin 1950 këtë e ka trashëguar babai. Pas vdekjes së babës dhe ne fëmijët e tij vazhdojmë ta trashëgojmë kujdestarinë e këtij vendi të shenjtë” tregon i moshuari Nazim Shabaj.

“Ne i përkasim besimit islam. Bashkëjetesa është në mënyrë të shkëlqyer, nuk ka dallime, ka martesa, ka vëlla gishti, ka kumbarë, ka shkumje ardhje. Respektohet xhamia, respektohet kisha… Thjeshtë kisha katolike por është shqiptare ,xhamia myslimane por është shqiptare.”

Bashkëjetesa mes besimeve fetare mes shqiptarëve në mbarë botën është vlerwsuar si një nga virtytet më shembullore që identifikon kombin.

E dëshmuar edhe për gjatë viteve të vështira të Shqipërisë, vitet e errëta 1997-1998 por dhe përgjatë dekadave, këto virtyte mishërohen më së miri tek dy personazhet në veri të Shqipërisë.

Historia ka treguar se Shqipëria ka qenë një tokë e lakmueshme për pushtuesit, të cilët tentuan të tjetërsonin historinë e kësaj kishe. Por kjo nuk u lejua nga banorët e fshatrave përreth të cilët e ruajtën atë të paprekur, madje duke dhëne dhe jetën sipas gojëdhënave.

Bashkëjetesa fetare është një virtyt i njohur në të gjithë botën për shqiptarët dhe historia e kishës shekullore të Shën Gjonit risjell në vëmendje më së miri këto vlera.

Dhjetori është një muaj i veçantë për të gjithë besimtarët e krishterë në të gjithë botën pasi përkujtojnë Shën Nikollën, të njohur ndryshe si Shënkollin.

Në fshatin Aliaj në Malësi të Madhe, këtë festë të rëndësishme katolike, e festojnë edhe besimtarët muslimanë të këtij fshati.

Nazimi ka therur edhe bagëtinë ashtu siç kanë bërë miqtë e tij katolikë. Ai tregon se me të krishterët përveç lidhjeve miqësore kanë edhe lidhje gjaku dhe për të gjitha festat shkojnë e vijnë tek njëri- tjetri.

“Unë jam Nazim Shabaj, prej fisit të Shabajve të  Kastratit. Mysliman, por lusim edhe Shënkollin. Edhe kur nuk kena gja, e presim një gjel ose një pulë edhe kënaqena. Ditën e Shënkollit ikum te miku, te kumara që e kena fe tjetër.”

Nazimi tregon se edhe gjatë muajit të Ramazanit kur pjesa më e madhe e fshatit  janë agjërueshëm, gjejnë një mirëkuptim fantastik edhe nga katolikët në fshat.

“Unë që agjëroj Ramazanin me hip në makinë, ai e fik duhanin. E ka cigaren ndezur dhe e tret për dritaret. Pse po e tret? Ti tha as han as pin e une po pi duhan në sytë tand tha?! Nuk ban tha. Ai nuk pin ujë në synin tem kur unë jam agjerueshëm.”

Kjo bashkëjetesë është e kalitur ndër vite, duke u kthyer në një simbol të vlerave në të gjitha trevat shqipfolëse ndërsa po trashëgohet nga të rinjtë e sotëm me fanatizëm.

 

Ky artikull është prodhuar me asistencën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e Kallxo.com dhe në asnjë rrethanë nuk mund të shihet si reflektim i qëndrimit të Bashkimit Evropian.