Familja Lee Foto: KALLXO.com

Familja koreano-jugore që mbi 20 vjet jeton në Gjakovë

Familja Lee nga Koreja e Jugut kanë arritur t’i thyejnë barrierat e dallimeve mes kulturës, gjuhës e distancës së largët dhe të vazhdojnë jetën e tyre në Kosovë përmes përditshmërisë të larmishme: Në shërbesën protestante dhe sportin e Taekwondos

Ka tashmë mbi 20 vjet që kur koreani Seongmin Lee paraditet e të dielave të tij, e fillon nën shoqërimin e këngëve të adhurimit dhe mbajtjes së shërbesës në kishën protestante në Gjakovë.

Rrugëtimin nga Koreja Jugore për në trojet shqiptare Seongmin, i njohur ndryshe edhe si Semi, e mori që nga mesi i viteve të 90-ta ku fillimisht u nis për në Shqipëri si misionar.

Reportazhin me video mund ta shihni në këtë LINK.

Ai rrëfen se si gjuhën shqipe e kishte mësuar përmes mësuesve dhe kontakteve me njerëz nëpër rrugë dhe në kishë, por që mësimi i kësaj gjuhë kishte qenë më e vështirë se sa ai kishte paramenduar.

“Gjuha shqipe ishte e vështirë sepse meqë unë e kam kryer letërsinë angleze, unë kam menduar që mund të përballoja disi për të mësuar disi gjuhën shqipe por kam kuptuar se  gramatika është vërtetë shumë e vështirë”, thotë ai.

Atëbotë, për pastorin 32-vjeçar lufta në Kosovë do të ishte shkaku që do ta bënte atë dhe gruan e tij Heglën (Hyekyung), që t’i kthejnë sytë nga ky vend.

Familja Lee, Foto: KALLXO.com

“Pas luftës kam ardhur këtu, pra në vitin 1999. Para luftës isha në Shqipëri. Kurse gjatë luftës kemi takuar shumë refugjatë…Pasi mbaroi lufta kam kuptuar që kosovarët kanë nevojë për ndihmë, prandaj kam ardhur këtu”, shpjegon ai.

Mes shumë qyteteve të cilat i kishte vizituar në Kosovë, Gjakova kishte qenë destinacioni final në të cilin ai dhe bashkëshortja e tij kishin zgjedhur të vazhdonin jetën, veprimtarinë dhe krijimin e familjes.

“Para se të vinim në Gjakovë kemi vizituar qytete të ndryshme. Kemi qenë edhe në kryeqytet, në Pejë, në Prizren, por një gjë shumë interesante ishte që Gjakova mu duk qytet i madh, prandaj vendosëm të jetojmë këtu”, shpjegon ai.

Teksa mendimet i rikthen në ditët e pasluftës, Semi rikujton se si asokohe rrugëtimi Shqipëri- Kosovë dhe anasjelltas ka qenë i mbushur me vështirësi si pasojë e rrugës së gjatë.

“Kemi ardhur pas luftës dhe nuk e kemi pasur rrugën e mirë nga Shqipëria për në Kosovë. Kemi bërë gati nëntë apo dhjetë orë rrugë me makinë nëpër rrugën e pa asfaltuar”, thotë ai.

Krahas rrugës së gjatë ai rikujton edhe sfida të tjera nëpër të cilat ai dhe Hegla kanë kaluar gjatë viteve të para në Kosovë.

“Pas luftës ishin prishur shumë gjëra, nuk ka pasur rrymë dhe dimri ishte shumë i ftohtë. Vërtetë kemi kaluar me zor në fillim të të jetuarit në Kosovë”.

Kur bie fjala te sfidat, Semi përmend edhe rastet e ballafaqimit me racizmin në të kaluarën. Ai tregon se kishte edhe raste të atilla kur ata etiketoheshin me terme si “kinezë”.

“Racizëm kudo ka, por qysh unë kam kuptuar ju nuk keni pasur kontakt apo raporte të mira me Kinën. (Kështu) edhe shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë na konsideruan si kinezë…patjetër ajo ishe disi shqetësim për ne, por ne u përpoqëm të tregojmë që jemi nga Koreja Jugore dhe me këtë pikë ne kemi filluar një lloj shoqërie ose marrëdhënie me ta”, shprehet ai.

Mirëpo, Lee shprehet se ato gjëra i takojnë të kaluarës dhe pohon se tashmë njerëzit janë më të edukuar në këtë aspekt.

Ai madje nuk heziton të rrëfejë edhe mbresat që i ka lënë kultura shqiptare. Kësisoj, një buzëqeshje e lehtë duket në fytyrën e Semit, teksa ai rrëfen për një histori të mikpritjes ndaj mysafirit që i kishte ndodhur atij personalisht.

“Një ditë isha i ftuar në një familje dhe u bë natë, por ai burri i familjes para meje doli edhe kaloi oborrin, doli jashtë në rrugë. Ne nuk bëjmë kështu në Kore, shumica jetojmë në banesa edhe nga banesa e përshëndesim (mysafirin), por ai doli jashtë dhe më ka treguar se ‘Ne kemi zakonin e veçantë, ne dalim para mysafirit dhe shikojmë gjendjen e rrugës dhe pastaj e lejojmë të iki mysafirin’”.

E teksa e përmbyll rrëfimin e tij, Semi thekson se ai rast vazhdon të mbetet i freskët në kujtesën e tij edhe pas gati dy dekadash.

“Më ka dhënë një përshtypje të madhe, domethënë ju respektoni mysafirët dhe keni zemër për të shërbyer te mysafirët. Por nuk mund ta harroj atë ngjarje edhe pse ka ndodhur gati para 20 viteve”.

Sporti i Taekwondo-s, nga pasioni i fëmijërisë në profesionin e përditshmërisë

Një tjetër veprimtari të cilën Semi e ushtron në Kosovë është edhe sporti i Taekwondos, të cilin ka vite që nga pasioni e ka kthyer në profesion duke hapur klubin e tij i cili gjendet jo shumë larg nga qendra e qytetit në Gjakovë.

Që në pamje të parë nëpër katër muret e këtij klubi vërehen posterat, librat, guidat dhe suveniret të cilat vënë në pah kulturën e vendit nga ai vjen. Megjithatë, në mesin e tyre nuk mungojnë as shenjat që përfaqësojnë edhe kulturën shqiptare, kjo pasi që vetëm pak metra më larg, në hapësirën ku ai ushtron, qëndron flamuri i Koresë Jugore në mesin e atij të Kosovës dhe Shqipërisë.

Foto: KALLXO.com

Teksa i shtrohet pyetja për shkaqet që e shtynë drejt këtij sporti ai e fillon rrëfimin e tij duke treguar se praktikimin e tij e ka nisur me plot vullnet që kur ishte në shkollën fillore.

“Isha në moshën 10 ose 11 vjeç… Nuk kam pasur vështirësi sepse kam pasur shumë qejf dhe kënaqësi për të ushtruar. Bile unë kur fillova të ushtroj Taekwondo kam pasur orarin e ushtrimit në mëngjes, në orën 6 para shkollës. Kështu kemi pasur shumë vullnet për të ushtruar”, tregon ai.

Mirëpo, sipas tij ky sport nuk kishte qenë shumë i njohur për njerëzit në Kosovën e pasluftës pasi që shpesh Taekwondo ishte keqkuptuar duke u menduar se është karate.

“Taekwondoja është nga Koreja Jugore, karateja është nga Japonia. Për këtë ka pasur njëfarë vështirësie me shpjegu, me tregu edhe me ndryshu mendimin e njerëzve. Pra, njerëzit pikëpamjen e parë e kishin që kjo ishte karate. Kjo ishte një farë muri që duhej ta kapërceja”, shprehet ai.

Megjithatë, ai tregon se interesimi i njerëzve nuk ka munguar edhe pasi ata kuptonin se nuk kanë të bëjnë me karate.

“Isha i ri kur kam ardhur në Kosovë edhe u tregova se si është Taekwondo me demonstrim, edhe ata e kanë pëlqyer edhe në fillim pas luftës vërtetë shumë ka pasur të rinj që donin të ushtronin”.

I pyetur për perspektivën dhe mundësitë që ka Kosova në këtë sport, ai përgjigjet duke thënë se ka potencial që ajo të arrijë suksese përmes Taekwondo-s, ani pse siç thotë ai, në krahasim me shtetet e tjera të Ballkanit ka mbetur më mbrapa.

“Kosova duhet të njihen më shumë, mund të njihet përmes Taekwondo-s sepse Taekwondo -ja është sport i olimpiadës zyrtarisht, prandaj ka shpresë. Edhe shumë njerëz kosovarë këtu kanë talent shumë në arte marciale dhe sport. Prandaj, unë mendoj pozitivisht që mund të kenë më shumë sukses” thotë ai.

Mirëpo, Semi nuk është i vetmi që në familjen e tij merret me Taekwondo pasi që këtë sport e ka trashëguar edhe tek fëmijët e tij. Pjesë e klubit të cilin e udhëheq Semi është edhe djali i tij Saeil i cili ka tetë vite që ushtron.

Teksa shpalos fillimet e tij në këtë sport 13-vjeçari pohon se as sfidat nuk kanë munguar pavarësisht që Taekwondo-n e ka nisur me mjaft dëshirë.

“Kur e kam pa motrën edhe babin duke ushtru, edhe unë kam dashtë me ushtru… Po kur kam fillu kam pas dhimbje te këmba, trupi, krejt. Tani nga pak nga pak jam tu bo pak ma mirë, e tash ma mirë jam se sa ma herët”, thotë ai.

Kësisoj, të ardhur nga një vend me largësi prej 8,588 kilometrash, familja Lee nga Koreja e Jugut kanë arritur t’i thyejnë barrierat e dallimeve mes kulturës, gjuhës e distancës së largët që kanë këto shtete mes vete dhe të vazhdojnë jetën e tyre në Kosovë përmes përditshmërisë së tyre të larmishme.