Qenët në qendër të qytetit, Pejë
‘Fake-news’ me qentë endacakë
Në Kosovë në vitet e fundit kanë qenë të shpeshta rastet kur qentë endacakë kanë sulmuar njerëzit. Sidomos në komunën e Prishtinës ka pasur raste jo tw pakta, kur njerëzit kanë qenë të sulmuar nga qentë.
E rastet e shumta të tilla, kur gjithmonë fajtor është ‘shpallur’ qeni, mediat dhe portalet fantome e kanë shfrytëzuar momentin, për të bërë klikime, përmes ‘lajmit sensacional’.
Kosova e pasluftës, e sidomos periudha e pas shpalljes së pavarësisë ka shfaqur në vazhdimësi një problem të ‘heshtur’, me qentë endacakë. Ky problem, nuk ka arritur të marrë një trajtim dhe zgjidhje konkrete dhe afatgjate, edhe pas presionit nga organizatat e shoqërisë civile, që merren me të drejtat e kafshëve.
Në shtatorin e vitit 2017, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pas sulmeve të qenve encadak ndaj një fëmije 4 vjecar në lagjen ‘Emshir’ të kryeqytetit, si dhe një rasti tjetër ndaj dy fëmijëve të tjerë në lagjen ‘Ulpiana’.
Ndërsa kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj, pak ditë më vonë kishte kërkuar nga të gjitha komunat, të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.
Në dhjetor të atij viti, me kërkesën e Asocacionit të Komunave të Kosovës dhe Agjencionit të Veterinarisë dhe Ushqimit (AUV) , Qeveria miratoi kërkesën dhe ndau 1.3 milion euro, për zbatimin e Planit të Veprimit, ku në një periudhë prej 4 viteve parashikohej një strategji gjithëpërfshirëse për kontrollin e qenve endacakë ku do të përfshinte: edukimin, reduktimin e qenve endacakë, regjistrimin e qenve dhe pronarëve të tyre dhe licencimin e mbarështuesve dhe strehimoreve private.
Rezultati ishte jo i kënaqshëm. Në fund, po thuajshe gjithë fondi i ndarë ishte shpenzuar dhe rreth gjysma e qenve endacakë kishin mbetur pa u trajtuar.
E ky problem i vazhdueshëm dhe i pazgjidhur, i ka hapur rrugë që temës së qenve endacakë dhe rastet kur ka sulme ndaj njerëzve, të paragjykohen, të bëhet fushatë kundër tyre dhe mbi të gjitha, të bëhet ‘fake-news’ me qentë endacakë.
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, që është organizatë jo-qeveritare që ka vite që merret me problemin e ‘heshtur’ të qenve endacakë, thonë se shumica e kanaleve mediatike shfrytëzojnë këto raste për të bërë ‘sensacion’, për një audiencë pa një mendje kritike dhe pa i analizuar mirë burimet e një lajmi.
“Mediat e Kosovës e dinë shumë mirë që qentë endacak për një shumicë të madhe të shoqërisë merren si kafshë që hajnë dhe sulmojnë njeriun (në një nivel me ujkun apo ariun) dhe e shfrytëzojnë momentin në vend se të bëjnë të kundërten, t’i edukojnë njerëzit më mirë rreth natyrës së qenve dhe mirësisë së tyre karshi njeriut”, thonë nga kjo organizatë.
Ata, e konsiderojnë si ‘fake-news’, lajmet për sulme nga qentë endacakë, kur ato publikohen pa asnjë fakt apo provë, që e dëshmojnë atë që është shkruar.
“Definitivisht është fake news, çdo lajm që nuk e tregon të vërteten dhe realitetin e një ngjarje. Fake news kanë për synim vetëm klikimet e njerëzve, pa u interesuar fare për pasojat që lëjnë”.
Driton Gusia, është një aktivist për të drejtat e kafshëve, që në mënyrë krejtësisht vullnetare kujdeset për qentë endacakë.
Ai thotë se problemi tek qentë endacakë, është se mediat nuk fokusohen në shkakun e problemit apo zgjidhjen dhe injorojnë organizatat apo personat profesionist, që janë kompetent për këtë cështje.
“Shpesh herë nuk intervistojnë as viktimën e kafshimit, e nuk kanë interes me i kuptu më mirë rrethanat si ndodhi incidenti, ose intervistojnë vetëm njërën palë. Mungesa e profesionalizmit dhe etikës së gazetarëve janë një nga arsyet kryesore”, thotë Gusia.
Tutje, Gusia thotë se cdo lajm që dezinformon dhe si rrjedhojë ka pasoja në prishjen e ndonjë reputacioni, apo që krijon cfarëdo pasoje që nuk do të kishte ndodhë ngai nformatat e sakta, në njëfarë mënyre është fake-news.
“Nëse fëmija është sulmuar nga qeni i komshisë të cilin e ka ngacmu vazhdimisht, edhe me e paraqit me titullin ‘fëmija sulmohet nga qent endacakë’, sic edhe ka ndodhë mu transmetu kështu, padyshim është fake news. Këto botime anti-etike bëhen thjeshtë nga persona pa karakter e që nuk e dojnë punën e vet si gazetar, që u interesojnë vetëm paratë nga klikimet dhe e keqpërdorin ligjin që e mbron”, thotë Gusia për KALLXO.com.
Sipas Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ky institucion ka pranuar vetëm dy ankesa, në lidhje me raportimet në media online për qentë endacakë.
Sipas tyre, njëra ankesë është miratuar, ndërsa ankesa tjetër nuk është miratuar.
“KMSHK ka pranuar vetëm dy ankesa lidhur me raportimet në media online për qentë endacakë. E para është paraqitur nga organizata Të Bashkuar për Kafshët, në vitin 2018, kundër një portali të lajmeve, ankesa është miratuar. Ndërsa ankesa tjetër po nga e njëjta organizatë na ka arrit në vitin 2019, kundër një portal dhe ankesa nuk është miratuar pasi që media ka raportuar lidhur me një rast që e kanë sulmuar qentë endacakë dhe lënduar shumë një parson në lagjen Dardania të Prishtinës”.
Ndërsa Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, ka thënë se ka dorëzuar ankesa në disa lajme të raportuara nga mediat, kurse thonë se po ashtu ka kundërshtuar një emision të RTK-së, që ka promovuar luanin e kontrabanduar në një restorant në Gjilan.
“Ne i kemi shkruar RTK-së, si medie kombëtare që është, që ta shpërndajnë një video informuese sa i përket qenve endacak dhe si duhet të sillemi me ta, por ata asnjëherë nuk e kanë shpërndarë atë video të animuar”.
Kjo organizatë thotë se raportimi i mediave ka pasur raste kur ka nxitur që njerëzit të keqtrajtojnë qentë apo kafshët në përgjithësi.
“Abuzimi ndaj kafshëve është i vazhdueshem, ngaqë mediat asnjëherë nuk kontribuojnë në vetëdijesimin e njerëzve por në panikun e tyre dhe paragjykimet e tyre për qentë. Nga fakti që shumë njerëz blejnë qen, në vend se ta marrin ndonjë nga rruga për ta shpëtuar, i bie që kanë fare pak njohuri mbi qentë endacak. Por populli nuk informohet sa duhet me argumente të kundërta dhe pozitive për qentë apo kafshët në përgjithësi”, thonë nga Fondaconi për të Drejtat e Kafshëve.
Ndërsa aktivisti Gusia ka marrë shembull një rast të ndodhur para disa viteve në Fushë Kosovë, ku kishte vdekur një fëmijë , pasi është kafshuar nga një qen endacak.
“E kujtoj në vitin 2013 apo 2013, një fëmijë 5 vjecar nga komuniteti ashkali, humbi jetën pasi u kafshua nga një qen endacak në deponi të bërllogut në Fushë Kosovë. Kjo nuk ishte lajm i rrem, por të gjitha mediumet u fokusuan në reaksion emocional, e jo në arsye për më zgjidh problemin, në mendim kritik dhe fakte”.
“Nuk i ka bo askujt përshtypje pse një fëmijë 5 vjecar bredhet nëpër deponi të bërllogut, nuk janë fokusu aspak në faktin që fëmija ka vdekur në emergjencë nga neglizhenca, cka kemi fol të gjitha organizatat na kanë pre ato pjesë. Pra ne kemi kërku që qentë të të cilët janë të sigurt për rrethin, me u vaksinu, sterilize dhe me u lëshu”, thotë Gusia, duke shprehur kritikën e tij ndaj raportimit të mediave.