Fadil Softa

Mjeshtri pensionist

Kandidati për kryetar i Alternativës Demokratike të Kosovës Fadil Softa, nuk e ndien veten si një gjashtëdhjetë e tetë vjeçar, edhe pse i ka këto vjet mbi supe. 

Pyetjes se pse në një moshë të tillë të shtyrë, po kandidon në një vend si Kosova ku 60 për qind e popullatës janë nën 30 vjet, në Emisionin Jeta në Komunë, Softa iu përgjigj me fjalët se ende ka energji për ta dhënë kontributin për Prizrenin. 

Më tej, duke thënë se pse të mos konkurrroj për të parin e qytetit, Softa tha se ai dhe të vjetrit tjerë po ua përgatisin vendin të rinjve për qeverisje të Prizrenit. 

Ai e pranoi se kandidimi është sfidë e veçantë për të, por tregoi se është përgatitur për garën. 

Njeriu që kreu kiminë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa punoi një kohë të gjatë si drejtor i përgjithshëm i Fabrikës së Barnave “Farmakos” në Prizren, u gjeti ilaç në mënyrën e tij, disa problemeve të qytetit. 

Pasi tha se në Prizren duhet të kombinohet trashëgiimia kulturore me modernitetin, Softa premtoi teleferik për të shkuar në kalanë e Prizrenit. Rruga drejt këtij objekti me fille në lashtësi dhe me përdorim deri në vitin 1912, është e mundimshme dhe mbush frymë ata që ngjiten. 

Softa tha se në programin e subjektit të tij, teleferiku kushton 1 milion euro, ndërsa do të ndërtohet me donacione nga jashtë. 

Ai deklaroi se Prizrenin do ta zhvillojë edhe me anë të parqeve ujore, hapësirave rekreative, ku mund të zhvillohen lojëra të ndryshme. Ai shtoi se nëpërmjet parqeve të tilla, do të zhvillohen edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, pasi këto atraksione ujore do të tërheqin interesimin e njerëzve. 

Softa nuk pati përgjigje për ujin e ndotur me kanalizim të Lumbardhit, pasi uji për parqe të tilla duhet të jetë i pastër. 

Njeriu që përmendi teleferik drejt kalasë, nuk pati zgjidhje për mungesën e ujit në Prizren, duke thënë vetëm “nuk do të lejoj që në këtë qytet të bekuar me burime ujore, të mos ketë ujë”. 

Kapakun premtimeve, Softa ua vuri me një fabrikë për riciklimin e mbeturinave, për të cilën tha se është kryer fizibiliteti, ndërsa do të kushtojë 130 milionë euro. Ai saktësoi se 70 për qind të mjeteve për fabrikën do të sigurohen nga donacionet, ndërsa 30 për qind të tyre do të sigurohen, duke e dhënë me koncesion për 25 vjet, këtë objekt. 

Softa tha se fabrikën do ta ndërtoj, vetëm nëse zgjidhet kryetar i Prizrenit. 

Pensionisti nga viti 2004, me një martesë gati gjysmëshekullore (45 vjeç), edhe nga bashkëshortja e tij, u përshkrua si njeri punëtor. 

Tyrkane Softa, tha se burri i saj është një mjeshtër që rregullon gjithçka që prishet, jo vetëm në shtëpinë e tij, por edhe te të afërmit, duke e cilësuar bashkëshortin si një njeri “që i shkon gjithçka për dore”. 

Tyrkanja shtoi se “Fadili me nejt smuhet”, si duke e parandjerë se burrit të saj do t’i bëhet pyetje se pse konkurron në këtë moshë. 

Ajo tregoi se gjatë kohës kur Kosova ishte nën pushtimin serb, ajo dhe ai dilnin për të shëtitur, duke bërë edhe ushtrime trupore, ndërsa kur ktheheshin vonë në banesë, te dera e ashensorit e gjenin të shkruar me të kuqe fjalinë “ovo je Serbia” (Kjo është Serbi). 

Tyrkanja thotë se Fadili merrte ngjyrë dhe e lyente derën, duke zhdukur mbishkrimin, derisa ajo ruante, mos po vinte dikush, për ta paralajmëruar burrin. 

Ajo tregoi se gjatë bashkëshortësisë kaq të gjatë kanë kaluar nga makina në makinë, duke pasur në një periudhë kohe, të gjitha makinat karakteristike për ish-Jugosllavinë. 

Çifti Softa në fillim kishte një Zastava 750-“Fiqë”, për të kaluar pastaj te “Reno 4”-shi, e më vonë te “101”-shi, ndërsa tash nuk kanë makinë.  

Softës iu shtrua edhe pyetja pse në Prizren zyra e partisë së tij rri mbyllur, ndërsa ka zëra, se ai nëse humb, pas zgjedhjeve do t’i bashkohet PDK-së. 

Softa tha prerë: jo, për bashkim me PDK-në, edhe pse e pranoi se bashkëpunim mes subjekteve duhet të ketë, për të mirën e prizrenasve.