Fadil Kryeziu,

Doktori i politizuar

Fadil Kryeziu, kandidati i Nismës Qytetare për Prizrenin, ka ndryshuar shumë subjekte politike, pa u bërë rehat në to. 

Njeriu që është nga Pagarusha e Malishevës, njësoj si kundërkandidati i LDK-së Eqrem Kryeziu, me të cilin ka edhe një mbiemër, nuk shkon mirë me ish-kryetarin e Prizrenit gjatë viteve 2000-2007. 

Fadil Kryeziu që ishte themelues dhe anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Prizren që nga viti 1990, u largua nga ky subjekt, pikërisht pse bashkëfshatari i tij Eqremi, vendosi që kandidat i partisë më të madhe opozitare për Prizrenin, në zgjedhjet lokale të 2009-ës të jetë Hanefi Muharremi. 

Fadil Kryeziu i mungoi debatit prizrenas në Zgjedhjet Lokale 2013.

Kur u pyet pse mungon njëri nga kandidatët me mbiemrin Kryeziu, “Eqa”, kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, pa treguar se a e ka kushëri Fadilin, tha se ne kryezinjtë jemi fifti-fifti, pasi njëri nga ne është në debat. 

Fadil Kryeziu, doktori që në vitin 1990 diplomoi në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme, për të kryer studimet pasdiplomike në vitin 2001 dhe për të doktoruar dhjetë vjet më vonë në Tiranë në drejtimin e Shëndetit Publik, gjatë tërë kohës krahas veprimtarisë profesionale është marrë edhe me politikë. 

Kryeziu që ishte edhe aktivist i lëvizjes studentore dhe themelues i Unionit të Pavarur të Studentëve të UP-së, është zëvendësministër në Ministrinë e Administratës Publike, në emër të listës dr.Ibrahim Rugova.

Kur kundërkandidatët e tij u pyetën në Emisionin Zgjedhjet Lokale 2013, se pse mendojnë që Muja, Kryeziu e Pajtim Kosova, nuk kanë ardhur në debat, e “gozhduan” me përgjegjësi të pakryera Ramadan Mujën, ndërsa për Kryeziun thanë se mund të mos ketë ardhur për arsye personale.