Euronews: Bisedimet Kosovë - Serbi vazhdojnë sot, Rusia po përpiqet ta rrisë ndikimin e saj në Ballkan

Rrjeti europian televiziv, Euronews, i kushton sot një shkrim të gjatë takimit mes, siç e quan kjo e fundit, rivalëve të kohës së luftës, e ku ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian shpresojnë se do t’i de-përshkallëzojnë tensionet në rritje në Ballkan dhe ku Rusia është përpjekur ta rrisë më tej ndikimin e saj në mes të luftës në Ukrainë.

Shpresat se takimi i rrallë kokë më kokë midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, mund të shënojë ndonjë progres të madh sot janë të pakta, megjithatë BE pret dhe shpreson që ky takim, të paktën, do ta reduktojë retorikën gjithnjë e më luftënxitëse që vjen nga të dyja palët, raporton Euronews.

Por zyrtarët që mbikëqyrin ngërçin prej dekadash midis dy fqinjëve shpresojnë se kjo të paktën do të reduktonte retorikën gjithnjë e më nxitëse të luftës që vjen nga të dyja palët.

Tutje, sipas Euronews, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i i ka takuar dje në takime të ndara Vuçiqin dhe Kurtin në Bruksel duke deklaruar se trupat e udhëhequra nga NATO të stacionuara në Kosovë e kanë forcuar praninë e tyre në kufirin verior të Kosovës me Serbinë për shkak të tensioneve aktuale dhe ka shtuar se nëse është e nevojshme trupat e |KFOR-it në Kosovë do të veprojnë në mënyrë proporcionale në dobi të uljes së tensioneve dhe lirisë së lëvizjës për të gjitha komunitetet  atje, përfshirë edhe serbët. 

Presidenti serb ka deklaruar se është “gënjeshtër” kur thuhet se Serbia dëshiron të intervenojë në Kosovë  duke shtuar se një gjeneratë e “fëmijëve” të rinj serbë që jetojnë atje “nuk e konsiderojnë Kosovën si një shtet të pavarur dhe e shohin atë si pjesë të Serbisë”.

Tutje, Vuçiq, ka deklaruar se bisedimet e sotme do të jenë të vështira  për shkak se, sic thotë ai, ne nuk pajtohemi pothuajse për asgjë me Kurtin dhe me lidershipin kosovar.

Përmes zëdhënësit të tij Ned Price,  Departamenti i Shtetit amerikan ka deklaruar se suksesi i bisedimeve të Brukselit “është një prioritet absolut” për SHBA-në duke shtuar se SHBA e mbështetë plotësisht dialogun dhe se është shumë me rëndësi që të dyja palët, Serbia dhe Kosova, ta përdorin këtë mundësi për normalizim marrëdhëniesh mes vete. 

Tensionet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës u rritën në fund të muajit të kaluar kur qeveria e Kurtit deklaroi se dokumentet serbe të identitetit dhe targat e automjeteve nuk do të jenë më të vlefshme në territorin e Kosovës me gjithë faktin se, nën presionin e madh të Perëndimit, kryeministri i Kosovës Kurti e shtyu zbatimin e këtij vendimi për një muaj, për 1 shtator, pasi paraprakisht reagimi i minoritetit serb në veriun e Kosovës ishte i ashpër duke vendosur postblloqe, duke lëshuar sirena për sulm ajror dhe duke shtënë me armë në ajër dhe në drejtim të policëve të Kosovës.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës e ka akuzuar Serbinë fqinje për nxitjen e trazirave në mënyrë që ta destabilizojë Kosovën me ministrin e brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla i cili njëkohëisht e ka akuzuar Serbinë dhe aleatin e saj Rusinë për shkaktimin dhe mbështetjen e trazirave në veriun e Kosovës..

Euronews tutje shton se ndërkohë që BE-ja bënte thirrje për qetësi, Presidenti serb Vuçiç e vizitoi selinë e ushtrisë serbe në Beograd në atë që shihej si një paralajmërim i fshehtë se të gjitha opsionet – përfshirë veprimet ushtarake – ishin në tryezë. 

Janë rreth 3,800 paqeruajtës të udhëhequr nga NATO të stacionuar në Kosovë dhe çdo ndërhyrje ushtarake atje, serbe apo ruse, pothuajse me siguri do të krijonte një konflikt më të gjerë.

Zyrtarët rusë dhe propaganda e tyre, të cilat janë shumë aktive në Serbi, iu bashkuan shumë shpejt narrativës pro-serbe, duke pretenduar se pakica serbe në Kosovë po shtypet dhe po i nënshtrohet dhunës nga shumica e shqiptarëve etnikë – i njëjti tregim i përdorur si justifikim nga Moska për pushtimin e Ukrainës.

Në Perëndim ekziston një frikë se Rusia mund ta përdorë Serbinë për ta destabilizuar Ballkanin dhe kështu ta zhvendosë të paktën njëfarë vëmendjeje nga lufta e saj në Ukrainë. Duke i ngritur aksionet, zyrtarët rusë kohët e fundit filluan ta mbrojnë ngritjen e një baze ushtarake në Serbi, e cila është e rrethuar pothuajse tërësisht nga vendet anëtare të NATO-s.

“Serbia është ushtarakisht neutrale dhe ne nuk kemi nevojë për baza të huaja (ushtarake)”, ka deklaruar Vuçiq, i cili konsiderohet një politikan pro-rus dhe shpesh i vlerëson lidhjet e tij miqësore me presidentin rus Vladimir Putin.

Serbia, Rusia dhe Kina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, e cila mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e shteteve të tjera perëndimore. BE ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre nëse duan t’i bashkohen bllokun 27-vendesh të BE-së./Euronews

Përgatiti: Nuhi Shala