EULEX-i Heton Masakrën e Krushës

Sipas Misionit të BE-së për Zbatimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, më shumë se 50 të pandehur të mundshëm, të gjithë serbë të Kosovës dhe ish-anëtarë të forcave të armatosura serbe, mund të përballen me akuza për krime lufte ndaj civilëve shqiptarë në fshat.

“Prokuroria ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm që mund të përballem me akuza për krime lufte ndaj popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, si dhe plaçkitje dhe shkatërrim pronash”, thuhet të deklaratën për shtyp të EULEX-it.

Një prokuror europian ka filluar marrjen në pyetje të dëshmitarëve, të cilët i mbijetuan masakrës që ndodhi më 25 dhe 26 mars 1999.

Sipas mediave lokale, të paktën pesë dëshmitarë të mundshëm kanë folur me prokurorin e EULEX-it, ndërsa 40 fshatarë të tjerë kanë dhënë deklaratat e tyre.

Banorët e Krushës së Vogël, më parë kishin dhënë dëshmitë e tyre për masakrën, te misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, në vitin 2003. Dy vjet më vonë, dosja iu dërgua zyrës së Tribunalit të Hagës në Prishtinë, por asnjë hetim nuk është bërë zyrtarisht.

Masakra në Krushën e Vogël, sipas prokurorisë së EULEX-it dyshohet se është një “nga masakrat më të mëdha që ndodhën gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë”.

Nga 113 personat që u vranë brenda dy ditëve në Krushë të Vogël, eshtrat e 86 prej tyre, përfshirë fëmijët, ende mungojnë.

Agron Limani, kreu i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur në Krushë e Vogël, thotë se trupat e drejtësisë ndërkombëtare e kanë vonuar fillimin e hetimit me qëllim.

“Janë disa arsye pse u vonua. Fillimisht ata [ndërkombëtarët] pritën deri sa një numër dëshmitarësh të vdisnin. Deri më tani, 4 persona kanë ndërruar jetë, duke përfshirë Lutfi Ramadanin, i cili i mbijetoi masakrës”, thotë Limani.

“Pikë së dyti, u mbështetën në faktin se shumica e detajeve për masakrën do të harroheshin. Dhe arsyeja kryesore pas kësaj është se UNMIK-u dhe EULEX-i , e dinin se krimet e kryen nga serbët vendas, dhe se duke paditur dikë nga ata, do të zgjatnin procesin e kthimit të refugjatëve”, tha Limani për gazetën vendore Koha Ditore, të dielën.

Trembëdhjetë vjet pas fundit të luftës në Kosovë, nga një total 6,019 personash të raportuar nga familjarët e tyre tek Kryqi i Kuq Ndërkombëtar si të zhdukur, më shumë se 1,700 mbesin të pagjetur – shumica shqiptarë të Kosovës.

Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia në 2008 dhe është njohur nga 89 vende anëtare të OKB-së. Beogradi sidoqoftë, refuzon të njohë ndarjen.