“Është Kokëfortë”, Arsyeja që e Privoi nga Puna në UP

Hyrije Koraqi mendon se i është bërë e padrejtë nga Universiteti Publik i Prishtinës i cili nuk e angazhoi si asistente lëndësh në Fakultetin e Bujqësisë.

Thotë se i është ankuar Bedri Dragushës, dekanit të këtij fakulteti.

Koraqi thotë se që nga korriku i këtij viti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga njerëzit kompetentë të këtij fakulteti lidhur me mosangazhimin e saj në universitetin publik.

“Nuk e di arsyen se pse jam refuzuar,” thotë Koraqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo tregon se është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Shkupit në lëmin e kimisë dhe se ka punuar tetë vjet me radhë si asistente në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Thotë se është larguar nga Fakulteti i Mjekësisë pasi që është reduktuar numri i orëve.

Më 9 qershor të këtij viti, bazuar në dokumentet e siguruara nga Gazeta Jeta në Kosovë, dekanati i këtij fakulteti aprovoi raportin e komisionit vlerësues që propozon tjerë emra për këtë pozitë.

“Aprovohen raportet e Komisioneve Vlerësuese për Angazhimin e Personelit Akademik në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, sipas konkursit intern të shpallur më datë. 09.06.2015. Senatit të Universitetit i Propozojmë që t’i procedojë këta kandidate,” thuhet në propozim-vendimin e dekanit, Bedri Dragusha.

Dekani Dragusha i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka dashur që të përgjigjet në pyetjet që ndërlidhën me ankesat e Koraqit.

“Është kokëfortë”

Komisioni vlerësues përbëhej nga Arben Haziri, kryetar, Bedri Dragusha-anëtar dhe anëtari Salih Salihu.

Kryetari Haziri përmend një arsye jo të zakonshme se pse Koraqi nuk u përzgjodh për asistente në këtë fakultet.

Haziri thotë se për asistentë angazhohen disa persona që janë të përshtatshëm për të bashkëpunuar.

“Secili profesor ka dëshirë të angazhojë një asistent i cili është i përshtatshëm, e jo një asistent me të cilët nuk mundet me punu. Hyrija është kokëfortë pak. Është disi tip i papërshtatshëm,” thotë Haziri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Por Haziri thotë se megjithatë gjashtë asistentët në këtë konkurs u përzgjodhën bazuar në nenin 178 të Statutit të Universitetit të Prishtinës.

Haziri shton se Koraqi nuk ka drejtim adekuat për t’u angazhuar si asistente.

“Hyrija nëse nuk gaboj e ka të studiuar kiminë analitike, ndërkaq neve na janë dashur asistentë për kimi organike dhe inorganike. Kështu që ne si komision kemi vendosur që tre asistentë të angazhohen për lëmin kimi organike dhe tre për kimi inorganike,” deklaroi ai.

Por në konkursin e shpallur me 9 qershor 2015 për angazhim të këtyre gjashtë asistentëve nuk është cekur se të punësuarit potencialë do të angazhohen për kiminë organike dhe inorganike. Mirëpo në konkurs përmendet vetëm se asistentët do të angazhohen për grup lëndësh.

Një anëtar i komisionit i jep të drejtë Koraqit

Anëtar i komisionit vlerësues ka qenë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Salihu.

Ai mban pozitën e shefit të Departamentit të Teknologjisë Ushqimore në kuadër të Fakultetit të Bujqësisë.

Salihu thotë se ndjehet i befasuar që kandidati me doktoratë dhe përvojë pune është refuzuar, ndërkaq një kandidat  i cili nuk ka pasur përvojë pune dhe doktoratë të regjistruar të jetë pranuar. Ai nuk e di se si i ka ikur kjo.

“Po më befason dhe nuk është e drejtë që një kandidat pa doktoratë dhe pa përvojë pune të angazhohet si asistent, e një kandidat me doktoratë dhe përvojë të refuzohet. Po më habit fakti se si më ka ndodhur një lëshim i tillë, por këtë më së miri e din Rektorati i Universitetit të Prishtinës, meqë është instanca e fundit që vendoset se kush do të pranohet në fakultet,” përfundoi Salihu.

Gazeta Jeta në Kosovë i ka dërguar pyetje Rektoratit të UP-së. Ende nuk ka marrë përgjigje lidhur me rastin e Koraqit.