Vlora Nikçi.

Erotika, tabuja shekullore që e rijetësoi Vlora Nikçi

E mbyllur brenda shtëpisë së secilit, erotika përgjatë gjithë historisë ka arritur të thyej muret e të pasurojë folklorin shqiptar. Edhe pse ende vazhdon të konsiderohet tabu, një art i tillë ka qenë përherë pasuri e artit shqiptar.

E frymëzuar nga gjyshërit, aktorja e njohur Vlora Nikçi ka risjellë artin erotik përmes mbledhjes së këngëve erotike në trojet shqiptare. Nisur nga fakti që gjyshërit e saj kanë kënduar këngë erotike të cilat janë pasuri kulturore, asaj i ka penguar që këto vlera nuk janë hasur nga të tjerët.

“Meqë mua më falnin shumë pasuri, doja ta ndaja me të tjerët këtë ndjenjë. Prandaj më ka munguar erotika shqiptare, ajo e këngëve të lira, e jona tradicionale e botuar”, tha mbledhësja e folklorit në një intervistë për KALLXO.com.

Këngët e shpërfaqura në librin “Kangë popullore erotike” që ajo ka mbledhur nëpër trojet shqiptare janë këngë të Malësisë. Nikçi i ka mbledhur këngët e fshatrave të Rugovës të cilat këndohen edhe ndër shqiptar të Malit të Zi, Plavë e Guci, Valbonë e Malësisë së Shkodrës e deri në Ulqin.

“Këngës është vështirë me i vu kufi. Kënga nuk pyet për kufijtë, por i ndjek emocionet njerëzore”, tha ajo.

E shtyrë nga fakti që një pjesë e popullsisë nuk arrijnë ta dallojë erotikën nga pornografia, Nikçi shprehet e irrituar se si ende në Kosovë nuk ekziston dijenia për dallimin e lirikës së mirëfilltë popullore, e cila ndikon shumë në zhvillimin e personalitetit njerëzor, por shpesh është konsideruar si turp për shfaqjen e saj në publik.

“Besa besë edhe për veten”, thotë ajo, duke e konsideruar librin e saj si protestë ndaj këtyre dukurive.

Nikçi vlerëson se dukuri të tilla shoqërore nuk e lejojnë zhvillimin e mirëfilltë të jetës skenike – artistike e as ajo shoqërore. Sipas saj, shumë shpesh duke mos ditur të bëhet dallimi mes erotikes dhe pornografisë, janë censuruar skenat erotike në teatër e film.

“Mosnjohja e këtyre fushave të rëndësishme letrare ka rezultuar të hasim në një farë turpi të luhen skena të tilla, duke ngjasuar në ato pornografike dhe pikërisht kjo më ka shkaktuar irritim të madh mua si aktore”, shprehet aktorja e shfaqjeve që njihet e vlerësohet për rolet e interpretuara në shfaqjet teatrale.

Si aktore, Nikçi nuk i vë faj publikut që skenat e tilla nuk i ka pritur si duhet sepse nuk i ka hasur me parë.

“I ka njohur ato, por vetëm në mënyrë të fshehtë, sikur diçka të turpshme”, tha Nikçi, e cila përpos si aktore viteve të fundit është bërë e njohur edhe si mbledhëse e folklorit shqiptar.

Nikçi vlerëson se mësimi më i mirë, kujtesa më e bukur emocionale, dallimi mes të mirës dhe të keqes, vjen bukur dhe rrjedhshëm tek ne përmes lojës artistike, e cila njëherë edhe ngjallë shije të mirëfilltë, prandaj nuk duhet censuruar skenat reale të dashuruarve.

Duke qenë aktore e teatrit, duke njohur erotiken, dashurinë e seksin, i ka ndihmuar asaj që të njoh më mirë personazhin që luan. Sipas Nikçit, folklori i ka ndihmuar në zgjedhjet e enigmave në skenë.

“Mënyra se si njeriu dashuron, apo si dëshiron të arrijë atë që dashuron, vë në pah më së miri personalitetin e tij”, tha ajo.

Një ndër ndjesitë më të mira që i ka dhënë mbledhja e këngëve të tilla, është rikujtimi i fuqisë i të qenurit grua. Aq sa i ka dhënë kënaqësi një koleksionim i tillë i pasurive gojore, aktorja thotë se ka mësuar shumë më shumë se që ka pritur.

Kjo e ka mësuar atë që trashëgimia kulturore është shumë e rëndësishme të dokumentohet sa më teër sepse përmes saj, individët e njohin veten e tyre. Sipas saj trashëgimia i dhuron jetës shumë gjërat të bukura të gatshme, keqkuptimet i zgjidh, shumë pyetje-përgjigje e mbi të tjerat kulturë dhe emancipim.

“Të njohim vetën tonë, e për të njohur vetën është rrugë e gjatë në jetë”, tha ajo.

Pavarësisht që në Kosovë ende ekzistojnë paragjykime e tabu çështje, Vlora Nikçi nuk është befasuar fare për pritjen e mirë që e ka pasur libri i saj në mesin e shoqërisë, duke marrë parasysh që çdo njeri e do të bukurën, dashurinë dhe sensualitetin.

“Nuk ka pas njeri që nuk e ka përqafuar idenë time, të plasimit të trashëgimisë tonë në këtë format. Është pëlqyer shumë ideja ime e pikturave që ato të pikturohen me veshje kombëtare nëpër ato vende ku kanë jetuar dhe ku janë realizuar këto dashni”, shprehet aktorja.

Çfarë e ka befasuar më së shumti artisten ka qenë fakti që njerëzit me të cilët ka folur gjatë mbledhjes së folklorit, kanë qenë më mendjehapur për erotikën se sa ata të ditëve të sotshme.

“Edhe pse mosha e zonjave dhe zotërinjve është mbi 80 dhe ato/ata, i qanin kohërat e moçme, kur kënga erotike është kënduar me shoqëri e miq”, thotë Nikçi duke potencuar se ata nuk e kuptonin se pse në kohërat tona është krijuar një lloj turpi për t’i kënduar këto këngë.

Sa i përket “vajzës dhe erotikes”, Nikçi u shpreh se nuk e ka ditur që gratë nuk janë marr me erotikën dhe këtë hezitim të tyre e ka mësuar nga Instituti Albanologjik i Kosovës, por jo nga gratë dhe burrat e bjeshkëve. Këtë të vërtetë të dhimbshme asaj ia kanë treguar dr. Rrustem Berisha dhe dr. Sadri Fetiu, të cilët gjithë jetën dhe krijimtarinë e tyre ia kanë falë trashëgimisë kulturore shqiptare.

“Më erdhi fort keq që ne gratë kemi lanë pas dore poezitë më të bukura të trashëgimisë tonë, në të cilat ne vet udhëheqim. Dhimbje e madhe për ne si gra që nuk kemi marrë pjesë bashkë me burrat në plasimin e tyre, ashtu siç kemi marr pjesë edhe në krijimin e këtyre këngëve”, tha ajo.

Ballina e librit ‘Kangë popullore erotike’.