Erdogani dhe Islami Janë Provokim për Shkrimtarin Turk

Para një audience të përbërë nga shumë gazetarë, shkrimtari dhe kritiku Ömer Lekesiz ka mbajtur një ligjëratë, titulli i së cilës ka qenë një pyetje: Pse duhet të merremi me Artin dhe Letërsinë?

Në kryeqytetin kosovar, ka shpjeguar sesi arti e lartëson individin dhe sesi letërsia tamam nuk del jashtë realitetit. Një  “çaj rusi” që përdoret jashtëzakonisht në Turqi dhe Kosovë ka qenë ajo çfarë Lekesiz që njihet si shkrimtar i antologjisë së tregimit turk i përbërë nga 5 vëllime, ka pirë pas ligjëratës së mbajtur në Prishtinë. 

Duket i qeshur dhe i gatshëm të flasë kur pyetet për shqiptarët në Turqi, raportet miqësore turko-kosovare të portretizuara nga  “vëllazërimi i dy kryeministrave”. Flet pa përtesë edhe për atë sesi feja është baza e artit dhe letërsisë bashkë me ndikimin e tyre në jetën e njerëzve.

Kryeministri turk Erdogan gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2010 e quajti vëlla homologun e tij Thaçi. Të njëjtin “kompliment” Thaçi ia ktheu Erdoganit, tre vjet më vonë, kur i pari ekzekutivit turk vizitoi përsëri Kosovën.  

Por pikërisht kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan dhe qeverisja islamike e tij ia prishin qejfin shkrimtarit që në vitin 2001 nga Unioni i Shkrimtarëve ne Turqi u nderua me çmimin e kritikës për punimet mbi tregimin në letërsinë turke.

Ai ndërpret intervistën kur i kërkohet të flasë sesi e sheh ai Turqinë nën qeverisjen e Erdogan-it dhe ndikimin e elitës së shkrimtarëve në shoqërinë turke.

“Këto janë pyetje provokative dhe nuk dua të vazhdoj të përgjigjem”, thotë ai gjatë intervistës për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përpara ndërprerjes së intervistës ai shpjegon se ka qenë përkrahës i protestave që nisën e Gezi Park të cilin Erdogan-i kishte vendosur ta shndërrojë në një hapësirë për ndërtimin e një qendreje tregtare. 

“Kam qenë me ata studentë që e patën vendosur një tendë në parkun Gezi, sepse donin ta mbronin natyrën. Por kur protestat u bënë politike, unë nuk kam qenë një përkrahës i asnjë lëvizjeje protestuese apo ndonjë puçi shtetëror”, tha Lekesiz. 

Protestat që plasën vitin e kaluar fillimisht duke mbushur rrugët e Stambollit dhe më pas edhe të qyteteve të tjera në Turqi, ishin drejtuar kundër pushtetit të më shumë se një dekade të Erdogan-it. 

Në Kosovën e vërshuar nga bizneset turke, protestat ishin parë nga dy kënde, njëri që përkrahte protestuesit kundër Erdoganit dhe tjetri që përkrahte kryeministrin që është edhe vizitues i shpeshtë në Kosovë. Protestuesve iu ishin bashkuar edhe shumë fytyra të njohura të artit në Turqi, por Lekesiz nuk ka qenë njëri ndër ta. 

Ai ka bindjen se shkrimtarëve nuk u takon të merren me politikë edhe pse në të njëjtën kohë thotë se letërsia ka obligim të trajtojë realitetin. 

“Nuk dua të flasë për politikë, e as për qeverinë në Turqi. Mendoj se nuk i takon gjithkujt të merret e të komentojë politikën ose një qeveri. Ushtari duhet të rri si ushtar, mjeku si mjek, e shkrimtari si shkrimtar”, tha Lekesiz i cili nuk deshi të komentojë as ndikimin e artistëve turq në lëvizjet shoqërore në Turqi. 

Qeveria turke në shkurt të këtij viti ka miratuar edhe një ligj që censuron faqet e ndryshme të internetit dhe gjithashtu ka shtuar kontrollin mbi shtëpitë botuese. 

Lekesiz i cili ka ardhur në Kosovë nga Qendra Kulturore Turke “Yunus Emre”, në Prishtinë, një agjenci shtetërore e qeverisë turke, nuk ka dashur të flasë nëse kjo përben censurim të shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë. 

Ai madje është edhe kolumnist në një gazetë elektronike në Turqi. Shkruan zakonisht për artin islam. Edhe libri i tij i fundit “ Pse duhet të merremi me letërsinë dhe artin” trajton tema të artit islamik. 

Por ai i ik përgjigjes kur pyetet sesi e sheh faktin se islami ndalon për shembull muzikën.

Megiithatë gjatë ligjëratës së tij, Lekesiz tha se arti ka një gjuhë tejet të veçantë. Pikturën e ka quajtur nevojë dhe obligim të një shoqërie dhe sipas tij për këtë arsye në perceptimin e botës krishtere, piktura është tejet normale edhe kur vizatohet profili i profetit Isa. 

“Por, një artist oriental i përkatësisë fetare islame, kurrë nuk e ka në rend të parë pikturën. Shtrohet pyetja se pse nuk e ka? Përgjigjja është kjo, sepse besimi islam, Zotin e ka futur në imagjinatë dhe për këtë arsye nuk ka nevojë që të përshkruhet përmes pikturës. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se njerëzit e orienti nuk merren me art dhe pikturë”, tha Lekesiz, në ligjëratën e tij 40 minutëshe.