Energjia në Duart Tuaja; Riciklimi i Baterive

Si një mallkim distopik, fotografia ime prodhon negativët e saj – një shtet i ndotur, me ushqim të helmuar. Çka kam ba? Paj, aparatit tim i vura bateri AA.

Dhe kur e përdor një bateri, çka me ba? Ajo hidhet në mbeturina, dhe metalet e rënda prej baterisë fillojnë udhën e tyre në zinxhirin ushqimor; fotografitë e mia (dhe fotot e tua, edhe baterinë që sapo e ndërrove në orë, llambë) po na mbysin. Bateritë përmbajnë zhivë, kadmium, nikel dhe plumb – a është kjo toka ku ushqimi që han ti dëshiron të rritet?

Këto metale krijojnë ndotje, jo vetëm në pikën kur hedhin bateritë, por edhe bajnë dëm gjatë prodhimit – industritë nxjerrëse që harxhojnë shumë energji dhe rrezikojnë edhe shtazët e egra, edhe vendbanimet e njerëzve në hapësirat ku punojnë minierat.

Kuptohet, ka një alternativë. Kur blihet një produkt elektrik, gjej një që ka bateri që mund të mbushen. Blej bateri të ripërdorshme (por vetëm nëse je sigurt që do të përdoren – përpunimi shtesë që nevojitet, si dhe metalet që përbëjnë këto bateri i bën ato një zgjidhje shumë armiqësore ndaj mjedisit, nëse nuk janë përdorur plotësisht) – tipi i preferuar im që mund të kyçet në prizë, USB të kompjuterit, gjë që mundëson mbushjen edhe në lëvizje. Ka një bateri të ripërdorshme të dizajnuar nga Sanyo me emrin “eneloop” (ende nuk është në shitje në Kosovë) që mund të rimbushet 1000 herë dhe mban mbushje për 12 muaj. Por edhe nëse nuk mund ta gjesh, ka brende për ripërdorim që janë të disponueshme në Kosovë, mbajnë mbushjen shumë më mirë sesa modelet e vjetra, dhe – kur llogaritet edhe çmimi i aparatit për mbushje – kushtojnë më lirë në afat të gjatë. Këto bateri të ripërdorshme zvogëlojnë jo vetëm ndikim prej prodhimit për 1000 bateritë e reja, por edhe ndikim në ambient prej transportit të baterive që përndryshe do të harxhohen.

Megjithatë, bateritë e ripërdorshme nuk janë të përshtatshme për gjithçka – ato kanë një shkallë të vetëshkarkimit rreth 1% brenda një ditës dhe harxhohen më shpejt kur janë gati të shpenzuara, pra nuk janë opsioni më i mirë për pajisje të sigurisë, siç janë alarmet kundër zjarrit. Dhe pavarësisht prej llojit të baterisë që përdoret, në fund të fundit ato duhet të hidhen. Cilat janë zgjidhjet?

Për katër vite një kompani e vogël (prej pesë punëtoresh) ka punue në Kosovë me ofrue riciklimin e baterive. Envricon (044 194 666, [email protected]) ofron pranimin e baterive të grumbulluar (minimum 10 kg) që merren në qendrën e tyre në Fushë Kosovë. Një pjesë prej atyre që janë grumbulluar – për shembull bateritë e automjeteve – janë ricikluar prej tyre në Kosovë. Të tjerë (siç janë bateritë AA prej aparatit tim) janë transportue në Maqedoni për riciklim.

Envricon ka punue me KFOR-in dhe UNMIK-un për grumbullimin e baterive të tyre dhe është gati për myshterinj të tjerë. Ruzhdi Thaçi, menaxheri, thotë që çmimet për grumbullim varen si merren vesh me çdo klient, mirëpo për organizata humanitare ata mund të bëjnë transporte falas, si pjesë e punës në mbështetjen e zhvillimit të Kosovës. “Kryesorja është që çdo ditë pastrohet pak ambienti”, thotë ai.

Elizabeth Gowing është autorja e Travels in Blood and Honey; becoming a beekeeper in Kosovo, të botuar vjet. Gjithashtu ajo është themeluesja e OJQ’së The Ideas Partnership, të regjistruar në Kosovë me punë në projekte arsimore, mjedisore dhe kulturore. Mund të kontaktohet në [email protected]