Ëndrra u shua, rroftë ëndrra!

Pas ndeshjes së fundit për këtë vit të Kosovës kundër Anglisë, të dielën, trajneri Bernard Challandes foli për përgjegjësinë që ai dhe lojtarët e tij ndiejnë ndaj publikut të Kosovës.

“Populli i Kosovës ka vuajtur – ata e dinë pse e kemi Kosovën, pse luajmë futboll si lojtarë të Kosovës”, deklaroi ai në konferencën për media. “Lojtarët nuk mund të zhgënjejnë.  Të gjithë duan të mbështesin këtë ekip.  Të gjithë ndihen krenarë për këtë ekip”.

Ndërsa menaxheri zviceran nuk është mjaftueshëm korrekt për të gjithë ata që duan të mbështesin ekipin kosovar – ka ende disa grupe tifozësh në Kosovë të cilët me plot vendosmëri vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë – mirëpo fakti që imagjinata e publikut është kapluar nga paraqitjet e Kosovës këtë vit, në këtë pikë, kjo shihet absolutisht përtej çdo dyshimi.

Me gjithë humbjen ndaj Republikës Çeke në Plzen javën e kaluar, pas të cilës Kosova renditet në vendin e tretë në grup, dhe për të siguruar pjesëmarrjen në kampionatin europian duhet të fitojë në play-off, lojtarëve iu bë një pritje prej heronjsh me t’u futur në Prishtinë, ndërkohë që mijëra përkrahës u grumbulluan në sheshin “Zahir Pajaziti” për të shikuar përballjen e fundit në grup me Anglinë.

Secila përballje e Kosovës tani ka ndjesinë e një ngjarjeje të madhe publike. Madje për ekipin e Kosovës u janë bërë pyetje edhe kandidatëve për deputetë të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, me idenë se mbështetja e ekipit kosovar mund të jetë një parakusht për suksesin zgjedhor.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila jo shumë kohë më parë (më 2017) mbështeste pikëpamjen se vetëm ekipe sportive të bashkuara shqiptare mund të siguronin “përfaqësim dinjitoz”, e kanë përqafuar palën kosovare, me liderin e partisë, Albin Kurtin, i cili u shfaq në ndeshjet që Kosova i luajti si nikoqire, me Malin e Zi, në muajin tetor dhe me Anglinë këtë të diel.

Suksesi i arritur nuk është vështirë të vërehet. Që kur Challandes u bë trajner në fillim të vitit 2018, Kosova ka luajtur një lojë futbolli emocionuese, shumë energjik, një futboll me lojë sulmuese, që për një kohë të gjatë dukej pothuajse e pamposhtur. Pas fitores së shtatë dhe barazimit në dy ndeshje vitin e kaluar, Kosova e nisi vitin 2019 duke e vazhduar pamposhtmërinë e saj në mbi 500 ditë pas një barazimi me rezultat 2-2 në një miqësore me Danimarkën, një ekip ky i renditur në vendin e 10-të në botë nga FIFA në atë kohë.

Një lojë e këtillë tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare dhe shtoi pritjet për ndeshje të zjarrta përpara ndeshjes së parë ndërkombëtare me karakter konkurrues të luajtur në tokën kosovare, ndeshjen si nikoqir kundër Bullgarisë në muajin mars. Atë natë, një atmosferë elektrizuese e përfshiu stadiumin “Fadil Vokrri”, pasi tifozët shpalosën një demonstrim duke inkurajuar ekipin kosovar që të vazhdojë me ëndrrën e tij.

Kjo ëndërr dukej një çështje e pamundur: Një shtet me popullsinë më të vogël dhe GDP-në më të ulët në kontinent, a mund të kualifikohet në Kampionatin Europian në përpjekjen e tij të parë? Megjithatë, për një kohë të gjatë, kjo dukej e mundur.

Fitorja e vonë dhe dramatike e Kosovës në Bullgari në muajin qershor e vendosi ekipin kosovar në vendin që çon drejt kualifikimit në grup, ndërkohë që fitorja me rezultat 2-1 ndaj Republikës Çeke në muajin shtator i dha asaj sigurinë që në këtë garë ajo tashmë është në gjysmën e rrugës.  Goli me kokë i shënuar nga Atdhe Nuhiu në Plzen madje për pak kohë e gjeti Kosovën në dy vendet e para në grup në ndeshjen e parafundit përpara se dy gola të shënuar nga çekët  bënë që ëndrra përfundimisht të shuhet.

Pas humbjes ndaj Anglisë, Challandes vuri në pah kreativitetin e ekipit, punën ekipore dhe vendosmërinë si pjesë e arsyes që ata janë kapur aq fort nga publiku. Por, mbase, aspekti më i admirueshëm i kësaj fushate ka qenë reagimi i tyre ndaj goditjes që morën.

Në gjysmën e parë të vitit, ylli i pamohueshëm i skuadrës ishte mesfushori sulmues Arbër Zeneli, i cili e kryesoi Ligën e Kombeve të UEFA-s për vitin 2018 me katër gola të shënuar dhe më pas shënoi në të dyja ndeshjet që Kosova i zhvilloi në muajin mars kundër Danimarkës dhe Bullgarisë. Megjithatë, në qershor, Zeneli pësoi një lëndim në këmbë në Podgoricë. Qysh atëherë, Arbër Zeneli nuk ka pasur asnjë minutë paraqitje në futboll.

Milot Rashica shënoi dy herë në muajin qershor, por si pasojë e një dëmtimi mungoi për ndeshjet e shtatorit, kur Vedat Muriqi dhe Valon Berisha të dy dolën në skenë me një performancë monumentale kundër Republikës Çeke në Prishtinë dhe kundër Anglisë në Southampton.

Qëndrueshmëria që ekipi kosovar e ka treguar ndaj mungesave kryesore, nënkuptonte se edhe pasi u dha lajmi se Muriqi do të mungojë në dy ndeshjet e fundit, shumë tifozë ende ishin optimistë se mund të dilnin fitues kundër dy ekipeve të para në grup dhe të merrnin pikët e nevojshme për t’u kualifikuar.

Përkushtimi ndaj ekipit kosovar i ka bërë bashkë kosovarët të cilët jetojnë nëpër Europë përgjatë gjithë vitit. Mijëra kosovarë nga diaspora udhëtuan në Plzen pa bileta për t’i dhënë mbështetje përfaqësueses së tyre, ndërsa kërkesa për bileta në Kosovë shpesh ka qenë njëzet herë me e lartë sesa kapaciteti i stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili mund të zërë 13.500 sportdashës.

Në Southampton, anëtarë të diasporës kosovare të vendosur në Angli ishin brenda në stadium disa orë para fillimit të ndeshjes, shumë prej tyre mbanin flamujt me ngjyrat e të dy shteteve. Një tifoz më tha kjo ishte një prej atyre ndeshjeve ku ai mund t’u tregonte fëmijëve të tij se dikur kishte qenë pjesë, një tjetër tha që ai kishte pritur gjysmën e jetës së tij për një ndeshje si kjo.

Goli i shënuar në minutën e parë nga Valon Berisha në këtë përballje kulmoi me një shpërthim gëzimi të kosovarëve që nga Southamptoni deri në Prishtinë, duke përfshirë edhe shumë qytete në Europë në këtë festë. Për disa momente, Kosova ishte në krye të Grupit A dhe gjithçka dukej e mundur.

Megjithatë, fushata e kualifikimeve nuk ishte pa pikat e saj të dobëta. Në fushë, ndërsa rezultatet janë të kuptueshme, paraqitjet në ndeshjet e nëntorit e kishin ndjesinë e një zhgënjimi. Në veçanti, në Plzen, ekipi kosovar u duk se ngriu në momentin më të rëndësishëm, duke humbur fokusin, vendosmërinë dhe intensitetin e përballjeve që kishte më herët gjatë vjeshtës. Ekipi kosovar ende po lëvizë brenda valëve të një pozitivitetit dhe një paraqitje e këtillë gjatë ndeshjeve në play off me Maqedoninë e Veriut në muajin mars mund ta vendosë përballë një testi lidhjen që është krijuar.

Jashtë fushës, biletat për ndeshjet në Prishtinë kanë shkaktuar një rrëmujë të turbullt dhe të çorganizuar. Një mundësi e shitjeve përmes internetit u duk e pashmangshme pas skenave të shëmtuara që shpërthyen gjatë pritjeve në radhë deri në katër orë vitin  e kaluar për të marrë biletat, ndërkohë që edhe ndaj sistemit të ri ka mosbesim pasi që edhe ky sistem dështoi të funksionojë siç duhet para fillimit të ndeshjes në Angli.

Se Prokuroria e Shtetit nisi dy hetime për shitjen e biletave për ndeshjet kundër Anglisë dhe Malit të Zi kjo është histori në vete, ndërkohë që përdorimi i ekipit kosovar përmes videove promovuese për kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK, Kadri Veseli, gjatë fushatës elektorale gjithashtu ngre shqetësime të mëdha për politizim. Është shumë e rëndësishme që ekipi i futbollit kosovar të mbetet universal dhe të jetë i qasshëm për të gjithë.

Grupi kualifikues i Kosovës gjithashtu është i ngarkuar me një vorbull skenash politike, dhe ekipet në grup, nuk kanë mundur dhe, asnjëherë nuk mund ta tejkalojnë plotësisht, situatën politike të Kosovës në aspektin ndërkombëtar.

Trajneri malazez Lubisha Tumbakoviq u shkarkua nga detyra pasi nuk pranoi të drejtonte ekipin malazias në ndeshjen si nikoqir kundër Kosovës, pasi raportohej se i ishte bërë presion nga autoritetet serbe për të mos marrë pjesë, ndërkohë që një dron dhe një flamur që mbartte mesazhin “Kosova është Serbi” u konfiskua pak orë para fillimit të ndeshjes me Republikën Çeke në Prishtinë.

Një flamur i tillë ishte parë kur Kosova vizitoi qytetin çek, Plzen, ku disa tifozë gjithashtu raportuan se ishin sulmuar nga grupe tifozësh ultras çekë. Skenat e dhunshme mes tifozëve shpërthyen gjithashtu në Prishtinë kur Kosova priti Malin e Zi, teksa personeli i sigurimit të stadiumit po bënte përpjekje për të mbajtur situatën në kontroll përpara se njësitë policore anti-trazira të arrinin aty.

Por ndoshta storiet më të mëdha jashtë fushave të gjelbra në Grupin A erdhën nga vizitat e Anglisë të bëra në Ballkan, ku që të dyja, edhe Bullgaria edhe Mali i Zi, u penalizuan me sanksione të forta nga UEFA pasi që lojtarët me ngjyrë të Anglisë ishin subjekt të një abuzimi racist në Podgoricë në muajin mars dhe në Sofje në muajin tetor.

Ndërsa përpjekjet që këta lojtarë që ishin subjekt i abuzimit racor të mirëpriteshin në Kosovë, ishin qëllimmira, ekzekutimi i tyre shpesh dukej i ngathtë dhe, si pasojë, shtroheshin pyetjet se pse përpjekje të tilla nuk bëhen për të trajtuar diskriminimin racor brenda vetë Kosovës. Anëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian shumë rrallë e kanë pasur ndjesinë e të qenit të mirëpritur.

Por, pavarësisht ndikimit zvarritës të botës së jashtme brenda në stadium, viti 2019 ka qenë një vit i gëzueshëm për futbollin kosovar. Ajo që është, ndoshta më interesante të përmendet, është fakti se ky është vetëm fillimi. Pavarësisht nëse Kosova kualifikohet në Euro 2020 deri në ndeshjet në muajin mars, futbolli ndërkombëtar do të kthehet, së pari përmes Ligës së Kombeve 2020 dhe më pastaj përmes një fushate kualifikuese për Kupën e Botës 2022.

Më shumë tifozë do ta vizitojnë Kosovën, më shumë ndeshje që lidhin kosovarët nëpër Europë do të zhvillohen, do të shënohen gola më të paharrueshëm, dhe Kosova do të vazhdojë luftën e saj për të treguar se e ka vendin në një turnir të madh ndërkombëtar. Mezi po pres.