Ende asnjë kërkesë në Kuvend për mbajtje të seancës për votimin e Qeverisë Hoti

Presidenti Thaçi nuk ka pranuar të deklarohet sot gjatë ditës nëse e ka mandatuar zyrtarisht kandidatin e LDK-së për formimin e Qeverisë, Avdullah Hotin.

Ai kërkoi mirëkuptim nga gazetarët për t’u mos u përgjigjur pasi që ishte për homazhe në fshatin Mejë, në nderim të 27 prillit – përvjetorit të të zhdukurve në Kosovë.

KALLXO.com ka dy ditë që i ka shkruar Zyrës së Presidentit Thaçi, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje nëse është mandatuar Avdullah Hoti për krijimin e Qeverisë së re.

KALLXO.com ka provuar poashtu të marrë një përgjigje edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mirëpo zyrtarë të saj nuk janë përgjigjur.

LDK me 23 prill mandatoi zyrtarisht Avdullah Hotin për kryeministër.

KALLXO.com merr vesh nga burime brenda Kuvendit të Kosovës se deri më sot ende nuk ka pasur ndonjë kërkesë për thirrjen e seancës për formimin e Qeverisë së Kosovës.

Seanca e jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë mund të thirret me 40 nënshkrime të deputetëve.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar të premten para mediave se në momentin që Avdullah Hoti mandatohet zyrtarisht nga presidenti Thaçi për formimin e Qeverisë, ai do ta dërgoj lëndën në Gjykatën Kushtetuese.

Deri më tani, zyrtarisht ende nuk është bërë publike mandatimi i Hotit nga ana e presidentit.

Të enjten e javës së kaluar, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se presin që ta marrin mandatimin zyrtar nga presidenti së shpejti.

Sot gjatës ditës, ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu ka kritikuar presidentin e vendit, duke i kërkuar që ta bëjë publike letrën e mandatimit të Avdullah Hotit.

Haxhiu i kërkon Thaçit ta bëjë publike letrën për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër